Si u fundos Princi Andrew: Para, seks dhe informacione të rezervuara

Princi Andrew dhe Epstein

Princi Andrew i Mbretërisë së Bashkuar dhe Jeffrey Epstein u njohën në vitin 1999: i kishte prezantuar Ghislaine Maxwell, vajza e një botuesi të madh anglez, partnere sentimentale dhe bashkëpunëtore (në biznes dhe në vese) e miliarderit pedofil. Djali i tretë i mbretëreshës Elisabeta i ftonte Epstein dhe Maxwell në darka dhe festa në Buckingham Palace dhe në kështjellën Windsor, madje i uli edhe në fron. Me pas, i vizitoi në shtëpinë që Epstein kishte në Nju Jork dhe në ishullin e financierit në Karaibe. 

Nga njëra anë është një anëtar i familjes mbretërore gjithmonë në kërkim të parave, sepse për shijet e tij nuk janë kurrë mjaftueshëm; nga ana tjetër, një biznesmen i pasuruar me shantazhe dhe mashtrime, që ka nevojë për një rrjet miqsh me pushtet dhe informacione të rezervuara për të mbijetuar.

Në këtë karusel takimesh, një grua e re, Virginia Giuffre, pretendon se është detyruar nga Epstein të kryejë marrëdhënie seksuale me Andrew të paktën tri herë në fillim të viteve 2000, duke filluar që kur ajo ishte 17 vjeç, pra e mitur. 

Princi Andrew, akuza që nuk zhduket

Një akuzë që me kalimin e kohës e ndjek vazhdimisht Andrewn, të cilën ai e ka mohuar me vendosmëri: «Nuk e kam njohur kurrë», thotë në një intervistë për BBC. 

Por kur Donald Trump, i rizgjedhur president, urdhëron publikimin e miliona email-eve dhe dokumenteve mbi çështjen, e vërteta del në dritë, edhe pse ndërkohë si Epstein ashtu edhe Virginia kanë vdekur, të dyja të shpallura si vetëvrasje. Fotografia e Andrew duke përqafuar Virginian është autentike. Të dy kanë pasur vërtet marrëdhënie seksuale. Dalin edhe indicie për abuzime të Andrew ndaj grave të tjera, përfshirë një foto ku ai shfaqet sipër mbi një vajzë.

Për këtë, Kongresi amerikan i kishte kërkuar Andrew të dëshmonte nën betim për të treguar atë që di. Ish-princi deri tani kishte refuzuar. Por është një tjetër linjë hetimi ajo që ka çuar dje në mëngjes në arrestimin e tij. 

Nga viti 2001 deri në 2011 Princi Andrew ka mbajtur postin e Përfaqësuesit të Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë e Jashtme, brenda ministrisë së Industrisë. Në këtë rol, ashtu si edhe në jetën private, ai bie në sy për skandale, dyshime dhe shpërfillje të rregullave. 

Akuzohet për korrupsion në marrëdhëniet me Kazakistanin, Arabinë Saudite, Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Email-et e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë zbulojnë se Princi Andrew i ka kaluar Epsteinit informacione të rezervuara për çështje shtetërore britanike. Kjo mjafton për ta akuzuar për shpërdorim detyre. / bota.al

Back to top button