Ndërsa Shtetet e Bashkuara u përballën me valën e lajmeve të rreme para dhe pas zgjedhjeve, pjesa tjetër e botës po shikonte me vëmendje. Disa politikanë, grupe dhe qeveri e kuptuan se mund të prodhonin në masë lajme të rreme, për të ndikuar në zgjedhjet e veta, dhe për të fituar ose ruajtur pushtetin politik.
Në Filipine, përhapja e lajmeve të rreme ishte një pjesë kyçe e fushatës së suksesshme të Rodrigo Dutertesit për t’u bërë president në vitin 2016, dhe kjo është një taktikë që ai e ka përdorur që atëherë, për të çuar përpara axhendën e tij. 97 për qind mbresëlënëse e filipinasve që përdorin internetin kanë një llogari në Facebook dhe Duterte e përdor atë duke hapur mijëra llogari të rreme në mediat sociale, për të nxitur lajme të rreme gjatë çdo palë zgjedhjeve.
Si për shembull një lajm i rreme që mund të duket i njohur, ku artikulli thoshte se Papa e kishte quajtur Duterten “një bekim”. Një tjetër histori e njohur por e rreme që u përhap në mediat sociale pretendonte se Princi Harry dhe Dukesha Meghan Markle mbështesnin Duterten.
Pasi Duterte u zgjodh, ai vazhdoi të përdorte lajme dhe foto të rreme, por këtë herë për të justifikuar një luftë të dhunshme kundër drogës.
Ai vendosi skuadra vdekjeje, të cilat kanë vrarë dhe burgosur mijëra trafikantë të dyshuar droge, njerëz me varësi dhe njerëz të pafajshëm. Në një rast, anëtarët e administratës së Dutertes postuan një foto të një vajze të re dhe pretenduan se ajo ishte përdhunuar dhe vrarë nga kriminelët në Filipine. Zyrtarët e përdorën foton për të akuzuar mediat për gjoja “prishjen” e luftës së drogës së Dutertes, duke e kritikuar atë, dhe për t’u përpjekur të bindin publikun se goditja e tij e dhunshme ishte e domosdoshme. Por fotografia rezultoi se ishte e një vajze që ishte sulmuar në Brazil. Administrata e tij gjithashtu inkurajoi dhe mbështeti aktivistët që kryen sulme të egra në internet kundër kritikëve të Dutertes, që nxirrnin artikuj dhe video të lajmeve të rreme që mbështesnin Duterten.
Ndërsa po zhvillonte luftën e tij të dhunshme të drogës, Duterte punoi gjithashtu për të mbyllur mediat që qeveria nuk i kontrollonte tashmë, duke përfshirë Rappler, një startup i pavarur i lajmeve në internet. Rappler kishte bashkëpunuar me Facebook për të identifikuar dhe hequr faqet e lajmeve të rreme pro-Dutertes, dhe gjithashtu kishte raportuar gjerësisht për fushatën e dhunshme të Dutertes kundër kritikëve dhe përdorimin e lajmeve të rreme. Për të poshtëruar dhe diskredituar çdo media që e kritikonte, Duterte kishte filluar të përdorte një term të ri-presstitutë, një kombinim i fjalëve press (shtypi) dhe prostitutë. Ai gjithashtu kishte burgosur dhe vrarë në mënyrë rutinore aktivistë që flisnin dhe paralajmëronin gazetarët se ata nuk ishin të përjashtuar nga atentati.
Në nëntor 2017, Presidenti Trump zhvilloi një takim me Duterten në skajet e një samiti ndërkombëtar në Manila. Në një konferencë për shtyp me Trumpin, kur përfaqësuesit e mediave pyetën për abuzimet e të drejtave të njeriut nga Duterte, ky i fundit i denoncoi gazetarët si “spiunë”.
Kur shpërthyen të qeshurat nervoze, ai tha prerazi: “Po, ashtu jeni “.
Siç monarkitë evropiane zbatuan të gjitha llojet e ligjeve për të kufizuar atë që njerëzit mund të publikonin duke përdorur shtypshkronjën, qeveritë tani përdorin “lajmet e rreme” si një justifikim për të ndjekur median dhe për të kufizuar lirinë e shtypit.
Qeveritë kanë miratuar ligje për të ndaluar kritikët në internet. Vetëm në vitin 2018, Rusia miratoi një ligj që lejonte qeverinë të mbyllte faqet e internetit që publikojnë informacione kritike ndaj figurave publike, Malajzia i shpalli të paligjshme lajmet e rreme dhe e përdori me shpejtësi ligjin për të dënuar një shtetas danez, që kritikoi qeverinë në YouTube dhe Bjellorusia ndryshoi ligjin e vet për median, për të lejuar qeverinë të ndjekë penalisht këdo që besohet se ka përhapur informacion të rremë në internet.
Gjithashtu në vitin 2018, presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi miratoi një ligj që i jep qeverisë kompetencë gjithëpërfshirëse për të hequr, ndaluar dhe ndjekur penalisht çdo llogari të mediave sociale ose pronar blogu me të paktën pesë mijë ndjekës, që gjykon se ka postuar lajme të rreme pa marrë as një urdhër gjykate. Ligji gjithashtu thekson se këto llogari dhe blogje konsiderohen ligjërisht si organe mediatike dhe për këtë arsye duhet të marrin një leje nga qeveria egjiptiane përpara se të lejohen të krijojnë një faqe interneti.
Qeveria miratoi një ligj të veçantë duke i dhënë vetes autoritetin për të bllokuar çdo faqe interneti që ajo e konsideron kërcënim për sigurinë kombëtare, pa pasur nevojë të jepte një shpjegim, madje ngriti një njësi brenda qeverisë për të gjurmuar thashethemet dhe njerëzit që i përhapin ato në internet.
Zyrtarët egjiptianë pohuan se lajmet e rreme po mbjellin përçarje në vend dhe po kërcënonin sundimin e presidentit egjiptian, por ligjet nuk përcaktojnë as atë që konsiderohej lajm i rremë. Që atëherë, qeveria ka përdorur ligjet për të goditur gazetarët dhe zërat e tjerë kritikë ndaj qeverisë. Cilitdo që zbulohet se shkel këto ligje mund t’i jepen gjoba të rënda ose të burgoset, dhe në vitin 2018, Egjipti burgosi më shumë gazetarë me akuza për lajme të rreme se çdo vend tjetër.
Nuk është rastësi që me goditjet në rritje ndaj medias dhe fjalës së lirë, shkalla e dhunës ndaj gazetarëve në mbarë botën është rritur gjithashtu. Që nga viti 2016, ka pasur një rritje të numrit të gazetarëve të burgosur dhe në vitin 2018, më shumë gazetarë u vranë se kurrë më parë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ). (TruthHub – Bota.al)