Histori

Si vdiq Jezu Krishti? Ja çfarë tregojnë provat e reja nga praktika e kryqëzimit

Një dokumentar i ri televiziv në “Smithsonian Channel” me titull “Misteri i Kryqëzimit”, ka trajtuar teoritë e fundit nga disa ekspertë të mjekësisë ligjore mbi vdekjen e Jezu Krishtit. Kardiologu danez Per Lav Madsen, beson se i gjithë procesi i kryqëzimit, i shkaktonte të dënuarit vuajtje të jashtëzakonshme para vdekjes.

“Kryqëzimi ishte një mënyrë e tmerrshme për t’i vrarë njerëzit, pasi zgjaste për shumë kohë. Ishte një mënyrë e ngadaltë e vdekjes, dhe kjo është arsyeja pse u përdor ky lloj ekzekutimi”.

Sipas dr.Kristina Killgrëv, kohëzgjatja e ekzekutimit dhe vuajtjet e të dënuarit ndryshonin. “Dikush mund të mbijetonte në kryq edhe për 4-5 ditë, derisa vdiste nga dehidratimi”- thekson ajo. Dokumentari hedh ditë mbi 2 shembuj të rrallë të skeleteve të njerëzve që besohet se janë kryqëzuar. Zbulimi më i fundit arkeologjik i përket vitit 2007, kur një ekip muratorësh të bashkinë Gavelo në Italinë e Veriut, zbuloi aksidentalisht një skelet të izoluar në një varr të epokës romake.

Shkencëtarët besonin se kur u kryqëzua, i ndjeri ishte në të 30-at. Përdorimi i përparimeve më të fundit teknologjike për të studiuar skeletin, mund të na ofrojë njohuri të reja mbi vdekjen e Jezu Krishtit. Ekipi i hulumtimit, përfshinte Emanuela Gualdi-Ruso, Ursula Hohenshtajn dhe Nikoleta Onisto nga Universiteti i Ferraras, si dhe Elena Pili dhe David Karameli nga Universiteti i Firences.

Ata arritën të nxjerrin ADN-në nga mbetjet kockore, dhe ishin në gjendje të përjashtonin origjinën aksidentale të një vrime të madhe që ndodhej në kockën e thembrës. Vrima ishte rrethore, duke kaluar nga pjesa e brendshme e këmbës në atë të jashtme, me provat që tregojnë  se ajo ishte shkaktuar pikërisht në kohën e vdekjes së të ndjerit.

“Në interpretimin tonë, ne gjetëm një dëmtim të veçantë në këmbët e një skeleti të gjetur në një varr të izoluar romak, të zbuluar nga gërmimet në vitin 2007 në Italinë Veriore. Ne sugjerojmë kryqëzimin si një shkak të mundshëm të vrimës”-shkruajtën arkeologët.

Studiuesit besojnë se “lloji i të çarës që gjendet në kockën thembërore të skeletit nga Gavelo, është i pajtueshëm me një pozicion të trupit…i pozicionuar në të djathtë me këmbët njëra mbi tjetrën, për të lejuar një gozhdë të vetme t’i shpojë që të dyaj thembrat, ose në gjunjë në një pozicion të hapur dhe thembrat e këmbëve të mbivendosura dhe të fiksuara në pjesën e jashtme nga një gozhdë e madhe”.

Skeleti datonte në epokën romake, pasi arkeologët zbuluan fragmente tullash dhe pllaka tipike romake aty pranë, të cilat e vendosin këtë kryqëzim afër kohës së vdekjes së Jezu Krishtit. Po përse romakët e përdorën kryqëzimin si një formë ndëshkimi?

Kjo formë ekzekutimit, rezervohej për shtresat më të përbuzuara të popullatës:skllevërit, ushtarët dezertorë, të krishterët, të huajt dhe aktivistët politikë. Gjatë shekullit I Pas Krishtit, një numër i madh rebelësh kundër Romës u kryqëzuan në Palestinë.

Besohet se Jezu Krishti, u kryqëzua me akuzën se nxiti një rebelim popullor kundër Romës, dhe romakët dihej se ishin të pamëshirshëm në shtypjen e rebelimeve të tilla. Shembulli i parë i një kryqëzimi është zabuluar nga një gërmim i vitit 1968 në një varreze në Giv’at ha-Mivtar në periferi të Jeruzalemit.

Aty u zbulua një kockë thembrore, me një gozhdë ende të ngulur në të. Mbi varr ishte emri i Jehohanon Ben Hagkol, dhe ai mund të ketë qenë një aktivist politik si Jezu Krishti. Edhe vetë romakët, e cilësonin kryqëzimin një praktikë barbare të ekzekutimit.

Oratori romak Ciceroni, ka shkruar se “nga të gjitha ndëshkimet, ai është më mizori dhe më i tmerrshmi”. Ai shtoi se ishte ndëshkimi më “ekstrem për skllevërit”. Ndërkohë filozofi romak, Seneka, ka përshkruar mënyrat e ndryshme në të cilat kryheshin kryqëzimet.

“Unë kam parë shumë kryqëzime, dhe jo vetëm të një lloji, por të kryera në mënyra të ndryshme. Në disa raste viktimat varen me kokë poshtë, disa i kryqëzojnë në pjesët intime, të tjerët në krahë”- shkroi ai në vitin 40.

Ndërkohës viktimës, mund t’i nxirreshin sytë ose t’i shkulej gjuha. Një nga rastet më të këqija të sadizmit u regjistrua nga Jozefus gjatë mbretërimit të Antiokit IV, ku fëmija i vogël i mbytur i një të dënuari iu var atij në qafë. Tabela “Lex Puteolana”, zbulon ritualin e kryqëzimit në botën romake.

Dokumenti 2.000-vjeçar, që tani gjendjet në një kështjellë mesjetare në Napoli, u gjet në qytetin e Puteolit. Ai është mbishkrimi i vetëm, që detajon praktikën e saktë të kryqëzimit. Mbishkrimi na tregon sa paguheshin punëtorët që fshikullonin me kamxhik skllevërit që do të kryqëzoheshin, por edhe sa pagueshin ekzekutorët.

Tarifa standarde për një ekip ekzekutimi ishte 4 sesterca secili, sa kostoja e një gote vere në atë kohë. Në një kthesë ironike të ngjarjeve, gjatë rebelimeve të mëvonshme, vetë romakët iu nështruan  kryqëzimit. Sipas historianëve, në vitin 9 Pas Krishtit fiset lokale gjermanike, kryqëzuan shumë nga ushtarët e mundur të gjeneralit romak Varus.

Në vitin 28 Pas Krishtit, edhe mbledhësit romakë të taksave, patën të njëjtin fat nga fiset gjermanike. Po si vdiq Jezu Krishti? Kryqëzimi i tij, besohet të ketë ndodhur në Jeruzalem nën sundimin Romak midis viteve 30-36 Pas Krishtit. Deri tani nuk është gjetur asnjë provë arkeologjike e konfirmuar për atë ngjarje.

Megjithëse, Krishti përmendet nga historianë hebrenj dhe ata romakë. Taciti tregon se ai u ekzekutua në kohën kur Ponc Pilati ishte prefekti romak në krye të krahinës së Judesë (vitet 26-36), gjatë mbretërimit të perandorit Tiber. Sipas tregimeve biblike, Jezusi vdiq pas 6 orësh i gozhduar në kryq.

Dy hajdutët që vdiqën bashkë me të ishin Gestas në të majtë të tij, dhe Dismas në të djathtë. Sipas ligjit romak, një person i dënuar me kryqëzim në fillim fshikullohej, zakonisht me një thupër druri. Nderkohë përdoreshin edhe kamxhikët e shkurtër prej lëkure për t’i skuqur lëkurën. Personi zhvishej lakuriq, i hidhej mbi shpinë një trung druri, ndërsa qëllohej nga pas me kamxhik nga ushtarët romakë. Vdekja e Krishtit, mund të ketë ardhur për shkak të arrestit kardiak pas skuqjes së madhe të lëkurës apo dehidratimit.

Shumë shkencëtarë kanë arritur në përfundimin, se arsye ishte asfiksia progresive e shkaktuar nga dëmtimi i aparatit të frymëmarrjes. Rojet romake u lejuan të largoheshin nga vendi, vetëm pasi viktima të kishte vdekur. Por nga padurimi, ushtarët mund t’i kenë përshpejtuar gjërat, duke ia thyer këmbët ose duke e goditur më thikë në gjoks.

Sado tronditëse që mund të duket, kjo formë e tmerrshme e ekzekutimit përdoret ende sot në disa vende. Amnesty International, regjistroi një rast kryqëzimi në Jemen në vitin 2012, kur një grup islamik shpalli fajtor një 28-vjeçar për vendosjen e pajisjeve elektronike në automjetet e disa personave. Ai u ekzekutua, dhe më pas u var në një kryq.

Në vitin 2016, një burrë në Irak zbuloi se kunati i tij u kryqëzua pasi u torturua për 5 orë më radhë. “Vëllai i gruas sime u kryqëzua nga ISIS”- dëshmoi ai për organizatën bamirësie “ADF International”. Ai u kryqëzua dhe u torturua në sytë e gruas dhe fëmijëve të tij, të cilët u detyruan të vëzhgonin çdo gjë.

Ata i thanë që “nëse e donte Jezusin aq shumë, atëherë do të vdiste si ai”. Pastaj ISIS i çau barkun, i hapi stomakun dhe e qëlloi me armë, para se ta kryqëzonte. Çdo e Premte e Mirë në Filipine (vend 80 për qind katolik), një njeri që luan rolin e Jezu Krishtit gozhdohet në kryq.

Që prej viteve 1980, Ruben Enaje është shpuar me gozhdë 10 cm të gjata në duart dhe këmbë, dhe më pas është ngritur mbi një kryq prej druri për rreth 5 minuta. Në vitin 2016, Enaje vendosi t’i japë fund kësaj praktike pas plot 33 herëve. Sipas traditës fetare, Jezusi ishte 33 vjeç kur u kryqëzua. / Ancient Origins – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button