Bota

Si vepron Putini në kohë krize?

Screen Shot 2015-11-27 at 23.51.09

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i vështirë të parashikohet kur ka krizë.

Ai nxitoi të shprehë zemërimin ndaj Turqisë, për rrëzimin e një bombarduesi rus në 24 nëntor – përshkallëzimi më i fundit në krizën e Sirisë.

Por ndonjëherë ai pret me durim dhe reagon ndaj situatave të vështira, në mënyra krejt të papritura.

Vetëm pak orë pasi bombarduesi Su-24 u rrëzua, Putini tha në një takim me mbretin jordanez, Abdullah, se kishte qenë një “thikë pas shpine”, e dhënë nga “bashkëfajtorë me terroristë”. Ai paralajmëroi gjithashtu për “pasoja të rënda” për marrëdhëniet e Moskës me Ankaranë.

Retorika e Putinit ishte shpërthyese, por e ofruar me një vetëpërmbajtje të vetëdijshme.

Ai nuk është zakonisht kaq i shpejtë në reagimet e tij ndaj sulmeve kundër Rusisë dhe popullit të vet.

Pas bombave që morën 30 jetë njerëzish në qytetin jugor të Vollgogradit në dhjetor 2013, ai priti dy ditë përpara se të thyente heshtjen për t’u betuar se “terroristët do të shkatërrohen”.

Vështrimi i akullt

Pati një reagim njësoj të vonuar ndaj rrëzimit të avionit rus mbi Egjipt, ku gjetën vdekjen 224 vetë.

Tragjedia ndodhi në 31 tetor, por vetëm në 2 nëntor, Putini doli në televizion për të shprehur ngushëllimet e tij, për familjet dhe miqtë e viktimave.

Shumë përdorues të mediave sociale mbetën të shastisur nga kjo vonesë. “Minuta e heshtjes e presidentit rus ka zgjatur tashmë më shumë se një ditë”, shkruante njëri.

Njoftimi zyrtar që avioni i Metrojet ishte shkatërruar nga një bombë terroriste, iu nënshtrua një kontrolli të rreptë të mediave nga Putini.

Në samitin e G-20 në Turqi, në 16 nëntor, gazetarët i kërkuan që të komentonte për hetimin – dhe Putini tha se ishte shumë herët për të nxjerrë konkluzione. Ai u shfaq i qetë, i relaksuar dhe i përqëndruar në fakte.

Por disa orë më vonë, gjatë një takimi natën vonë me zyrtarë të sigurisë në Kremlin, ku u konfirmua shkaku u fatkeqësisë, sjellja e tij kishte ndryshuar krejt.

Duke parë ngultas kamerën dhe duke bërë pauza mes frazave, Putini tha se “kriminelët” që kishin kryer sulmin ndaj Metrojetit do të ndiqeshin dhe ndëshkoheshin, kudo që të ishin. Ata duhet të kuptojnë se “shpagimi është i pashmangshëm”, shtoi ai me një vështrim të akullt.

Siç thuhet në faqen e internetit të Kremlinit, takimi ishte filmuar natën vonë në 16 nëntor, por ai nuk u shfaq në televizionin shtetëror Rossya 24, deri pas orës 11.00 mëngjesin tjetër.

Krahasojeni këtë me një deklaratë që Z. Putin bëri pak ditë pas rrëzimit të avionit MH17 mbi Ukrainën lindore, në korrik 2014. Tashmë kishte të dhëna se armë ruse dhe separatistë të mbështetur nga Moska ishin për t’u fajësuar.

Putini u shfaq krejt papritur në Rossya 24 në orën 01:30 të mëngjesit, për të thënë se askush nuk kishte të drejtë “ta përdorte këtë tragjedi për qëllime egoiste politike”, dhe se ajo nuk “duhet të ndajë, por të bashkojë njerëzit”.

U duk se presidenti po ndiente barrën e detyrës. Ai kishte rrathë të zinj poshtë syve dhe lëkurën e kishte të zbehtë. Ai dukej sikur nuk “kishte fjetur për ditë të tëra, dhe ishte e qartë që ishte nervoz”, thotë analisti politik Stanislav Belkovsky. Sigurisht, kjo nuk mund të thuhet për performancën e tij pas rrëzimit të avionit rus nga Turqia.

Komentatorët thanë se koha e pazakontë se deklaratës natën vonë për MH17, u zgjodh për shkak se ai synonte audiencën ndërkombëtare. Ai doli thjeshtë pak përpara kohës televizive të mbrëmjes në SHBA.

Belkobsky rezultoi një lexues shumë i mprehtë i psikologjisë së Putinit për MH17-ën. Presidenti mund të jetë në qoshe, tha ai në atë kohë, por kjo nuk do të thotë se ai do të sprapset.

Sjellja dhe gjuha e Putinit në rastin e Su-24 tregon se ai nuk ka gjasa të sprapset, as këtë herë./BBC

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button