Analiza

Siguria evropiane pas Ukrainës

Nga Jan Techau*

Në kundërshtim me atë që thonë shumë analistë, ajo krizë ka shumë pak lidhje me rregullat, arkitekturën, dhe të gjitha abstraksionet e tjera, që mbushin shumicën e komenteve. Ka të bëjë me shumë me atë, se kush është më i gatshëm të vërë në dispozicion fuqinë ushtarake për të mbrojtur Europën Perëndimore dhe Qëndrore. Me fjalë të tjera, kriza ukrainase ka të bëjë me rolin e Shteteve të Bashkuara në Evropë

Screen Shot 2015-02-15 at 17.26.43

A ka realisht një përçarje strategjike, midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës? Nëse ju e besoni jehonën e mediave, që kumbonte ende në unison pas Konferencës të Sigurisë në Myhih, një takim i përvitshëm i liderëve dhe ekspertëve të mbrojtjes, përgjigja është po. Çështja nëse Perëndimi duhet të furnizojë me armë qeverinë e Ukrainës, për të mbështetur betejën e saj kundër separatistëve rusë të mbështetur nga Moska, u shndërrua në një psikozë në Mynih, por edhe gjetkë.
Në fakt, përgjigja nëse ka apo jo një përçarje transatlantike mbi këtë çështje, është edhe më e komplikuar, por po aq edhe më shqetësuese. Sepse problemi i vërtetë nuk është Ukraina. Përkundrazi, luhet diçka shumë më e madhe. Kriza mbi Ukrainën dhe në Ukrainë është e vërtetë, sikundër sugjerojnë shumë komentues, për të ardhmen e rendit politik dhe të sigurisë në Evropë.
Por në kundërshtim me atë që thonë shumë analistë, ajo krizë ka shumë pak lidhje me rregullat, arkitekturën, dhe të gjitha abstraksionet e tjera, që mbushin shumicën e komenteve.
Ka të bëjë me shumë me atë, se kush është më i gatshëm të vërë në dispozicion fuqinë ushtarake për të mbrojtur Europën Perëndimore dhe Qëndrore. Me fjalë të tjera, kriza ukrainase ka të bëjë me rolin e Shteteve të Bashkuara në Evropë. Në thelb, evropianët dhe amerikanët janë në mes të negociatave, se cili duhet të jetë përgjegjës për sigurinë në Evropë, në kohën e mungesës së një strategjie konkrete.
Shtetet e Bashkuara duhet dhe duan të ndryshojnë drejtimin e saj gjeopolitik në paqësor, ku një rival i vështirë është në ngjitje, dhe ku e ardhmja e balancës globale të pushtetit, do të vendoset gjatë gjeneratave të ardhshme. Për krahasim “teatri” evropian mendohet se do të kërkojë më pak vëmendje.
Në teori, vendet e pasura të kontinentit të vjetër, duhet të jenë krejtësisht të afta të kujdesen vetë për sigurinë e tyre.
Kjo është veçanërisht e vërtetë, qëkur kërcënimi më i madh në Evropë vjen prej Rusisë, gjigandja lindore në rënie, që mezi është e aftë të sigurojë mbijetesën e saj ekonomike, si dhe të kontrollojë sjelljen e agresive. Por Evropa është larg nga garantimi i sigurisë, duke u mbështetur tek vetja.
Në fakt, në vend se të bëhen më të pavarura, qeveritë e saj po e rrisin varësinë e tyre nga shërbimet e sigurisë së SHBA-së, duke e ulur në mënyrë të vazhdueshme aftësinë e tyre. Kjo pjesërisht shkaktohet nga kriza ekonomike, e pjesërisht për shkak të paaftësisë akute që sjell mospasja e një strategjie. Evropianët duken se janë të pavetëdijshëm për dilemën e tyre strategjike: se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen në vende të tjera, ndërsa siguria e Evropës është gjithnjë e më e kërcënuar nga fqinjët e saj të padisiplinuar.
Kriza e Ukrainës, vetëm sa ka përshpejtuar negociatat ndërmjet vetë Perëndimit, mbi sistemin e ri të sigurisë në Evropë. Çuditërisht, përçarja aktuale mbi vetë Ukrainën, është shumë më e vogël sesa duket. Kur kriza u bë serioze, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa vepruan me të drejtë në sinkron mes tyre.
Përgjigja e tyre ishte një përzierje e sigurive të dhëna nga NATO me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, si dhe mbështetjen ndaj qeverisë së re në Kiev. Megjithatë, më e rëndësishme është që Perëndimi (me të drejtë) vendosi më herët sesa duhej mbi krizën, duke u shprehur se nuk ishte i gatshëm të shkonte në luftë për Ukrainën.
Duke vepruar kështu, liderët perëndimorë e bënë të qartë se garancitë e tyre të sigurisë nuk zbatohen dot në rastin e Ukrainës dhe se vendi nuk ishte pjesë e arkitekturës së sigurisë evropiane. Kjo është vërtetë tragjike për ata ukrainas që u bënë pjesë e tubimeve masive në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, gjatë protestave kundër qeverisë në fundin e vitit 2013 dhe vitin 2014.
Por kjo ishte e vetmja rrugë përpara. Përfshirja ushtarake perëndimore do të ishte absolutisht një çmenduri. Edhe sot kjo politikë nuk ka ndryshuar. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa ndodhen në të vërtetë në të njëjtën linjë. Të kalojmë tani tek përçarja, që vjen nga diskutimi rreth furnizimit me armë të Ukrainës. Zhurma që “skifterët” e Uashingtonit bënë në Konferencën e Sigurisë në Mynih  mbi këtë çështje – mjafton vetëm të dëgjohet fjalimi i ashpër zemërak i senatorit amerikan Xhon Mekein kundër “diplomacisë budallaqe” të kancelares gjermane Angela Merkel – i drejtohej më pak europianëve dhe më shumë presidentit të tyre Barak Obama dhe ekipit të këtij të fundit, të cilin kundërshtarët e brendshëm e akuzojnë se është shumë i butë.
Në një nivel më bazik, kjo potere reflektoi edhe një pakënaqësi të vërtetë që SHBA ka ndaj mosgatishmërisë së evropianëve për të kuptuar dilemën themelore strategjike me të cilën ata përballen. Në rastin e Ukrainës, Mekein mundet të “lehë” tek “pema e gabuar”, por ai vë theksin edhe tek një pikë e rëndësishme, kur kërkon nga evropianët të bëjnë më shumë për sigurinë e tyre. Cili do të jetë rezultati i negociatave mbi sigurinë evropiane, në botën post-evropiane? Nuk është e qartë, dhe për më tepër deri tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme.
Tani për tani, Amerika është rikthyer, megjithëse pa dëshirë. Me angazhimin e përtërirë të SHBA-së, NATO ka përforcuar krahun e vet lindor, duke shënuar kufijtë, jashtë të cilave përgjegjësitë e sigurisë së Perëndimit përfundojnë. Ukraina është lënë e varur në një pozicion të ndërmjetëm, me pjesë të territorit të saj që janë shndërruar në një tjetër konflikt të ngrirë e që siguron zgjatjen e ndikimit rus, mbi këtë pjesë të hapësirës post-sovjetike.
Ndërkohë evropianët po përpiqen dëshpërimisht të mbrojnë ekonomitë dhe sistemet e tyre politike, përherë të brishta, nga shpërbërja. A mundet kjo formë e mpakjes Perëndimore, Evropës me gjysmë zemre, si dhe një prani e përforcuar e SHBA-së në kontinentin e vjetër, të jetë e ardhmja e sigurisë evropiane?
Po, por jo për një kohë të gjatë. Vakumi i vazhdueshëm i pushtetit stimulon një këqyrje të jashtme.
Evropa duket e paaftë as të monitorojë rendin dhe as të integrojë “lagjen e saj” fqinje. Gjermania, udhëheqësja e përkohshme e Evropës, është një lojtare e strategjikisht e paplotë, ndërsa lojtarët tradicionalë dhe kryesorë të Evropës, Franca dhe Britania e Madhe, të paktën për momentin, e kanë mënjanuar veten e tyre, për shkak të dobësisë së brendshme. Në fund, të gjithë sërish do të varen nga Uashingtoni.
Pyetja vendimtare për sigurinë evropiane është nëse Shtetet e Bashkuara do të mund të priren të kontrollojnë “rrahjet e zemrës” së rendit botëror në të njëjtën kohë në Evropë dhe Azi. Negociatat e vërteta mbi sigurinë evropiane nuk janë duke u zhvilluar në Ukrainë apo në Bruksel. Ato po mbahen në Potomak.
Shënim: Jan Techau është drejtor i “Carnegie Europe”
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button