Analiza

Simbolet, pistat, arsyet: Analiza e sulmit që tronditi Shën Petërsburgun

Sulmi në metronë e Shën Petërsburgut vjen në një moment kur Moska është rikthyer në qendër të skakierës ndërkombëtare, për një seri të gjatë dosjesh: nga Siria në përplasjen me terrorizmin xhihadist. Shtoji dhe tensionet politike e pistat e brendshme, dhe kuadri që shfaqet është ai i një presioni shumë të lartë.

  1. Simbolet e sulmit. Terrorizmi, i cilësdo ngjyrë qoftë, vepron sipas shanseve që shfaqen, sidomos kur gjen një dritare për veprim. Por përpiqet edhe të godasë në faza delikate dhe momente simbolike. Sulmi i Shën Petërsburgut mund të futet në këtë kornizë dramatike. Për momentin është e parakohshme të hidhen hipoteza, por mund të tregohen vetëm disa pika.

2. Tensionet politike. Sulmi ndodh në një moment me tension shumë të madh politik në Rusi, me incidente, kontestime, arrestime.

3. Prania e Putinit. Presidenti rus, Vladimir Putin ndodhej në qytet kur ndodhi sulmi, kështu që mund të jetë edhe një mesazh i drejtpërdrejtë për udhëheqësin rus.

4. Helmi i xhihadit. Prej kohësh, Rusia është në shënjestër të xhihadistëve, nga ISIS tek al Kaeda. Përplasjes historike i është shtuar helmi për ndërhyrjen e Moskës në krah të Assadit, prani që shtyu militantët që të premtonin hakmarrje. Afro një vit më parë, policia parandaloi një plan sulmi kundër Shën Petërsburgut dhe Moskës, organizuar nga një celulë militantësh. Nëse autoritetet nuk gënjejnë, shkatërrimi i Metrojet-it rus në Sinai i duhet veshur një pajisjeje shpërthyese të vendosur në avion. Veprim që më pas u mor përsipër nga ISIS, por mbi të cilin mbeten shumë gjëra të paqarta.

5. Foreign fighters. Janë afro 3 mijë (ndoshta edhe më shumë sipas burimeve të tjera) rusët që kanë shkuar të luftojnë në Siri-Irak, të paktën 250 prej tyre janë rikthyer në atdhe.

6. Terrorizmi i Daghestanit. Në javët e fundit ka patur një shtim të operacioneve terroriste në rajonin e Daghestanit, një sinjal i largët, por në të njëjtën kohë i afërt për potencialet e ekstremistëve.

7. Dega e Kaukazit. Për ekspertët, rrjeti ruso-çeçen i ISIS ka krijuar prej kohësh struktura që i lejojnë të veprojë edhe në EUropë: duhet kujtuar që masakra në aeroportin e Stambollit në korrik 2016, u organizua pikërisht nga ky “krah” i lëvizjes së udhëhequr nga Akhmad Chataev. Edhe sulmi i fundvitit, sërish në Stamboll, brenda një klubi nate u krye nga një element i krahut të Kaukazit. / Corriere della Sera – bota.al

Leave a Reply

Back to top button