Bota

Siria, vetëm fillimi i ambicjeve globale të Putinit

Screen Shot 2015-10-22 at 08.49.56

Nga Neil Quilliam, Michael Bell & Tom Najem

“Chattam House”

Presidenti rus Vladimir Putin, është tërësisht i angazhuar për një fushatë të qëndrueshme ushtarake në Siri, një lloj ushtrimi i shtrëngimit të muskujve, jashtë aneksimit të Ukrainës në Evropën Qëndrore, që nuk ishte parë që nga shembja e perandorisë sovjetike. Kjo është diçka shqetësuese në shkallë globale. Ambicjet mbarëbotëre të Rusisë, nuk do të ndalen.

Arsyeja zyrtare e Moskës për ndërhyrjen ushtarake, tingëllon e njohur. Ajo kundërshton Shtetin Islamik

të Irakut dhe Sirisë (ISIS) në të gjitha shfaqjet makabre të këtij të fundit. Gjithësesi, pak analistë po e besojnë një retorikë të tillë.

Përkundrazi, llogaritjet gjeostrategjike të Moskës, janë të bazuara në interesa të forta kombëtare. Putini llogariti se presidenti sirian Bashar Al-Asad ishte në tërheqje e sipër, duke humbur territore kritike për mbijetesën e regjimit të tij. Ndaj duhej ndërhyrë, tani ose kurrë.

Pra qëllimi i menjëhershëm i Putinit, është të shpëtojë regjimin laik alevit, nëse mos vetë familjen e Asadit – klienti i vetëm i mbetur i Rusisë në Lindjen e Mesme. Për ta bërë këtë, Putini përfshiu në aksion jo vetëm bombardimin e ISIS-it, por edhe të forcave të tjera opozitare, kryesisht organizatën Al-Nusra, të lidhur fuqishëm me Al-Kaedën.

Pa përkrahjen e jashtme – Iranit, Hezbollahut dhe tashmë Rusisë – regjimi i Asadit nuk ka gjasa të mbijetojë, lëre pastaj të jetë gjendje të mposhtë i vetëm opozitën kryesisht islamike, pavarësisht ndarjeve brenda saj. Ndërhyrja e Putinit ka ngritur moralin e regjimit dhe e trimëruar atë.

Irani dhe Hezbollahu, aleatët e Asadit dhe partnerët e Rusisë në këtë gjakderdhje, po përforcojnë ofensivën e tyre kundër opozitës. Në fakt, reagimi ndaj manovrës ruse ka qenë euforik në pjesën më të madhe të rajonit, ndonëse ka mërzitur tepër krerët e shteteve të Gjirit Persik.

Fuqi ushtarake globale

Vëzhguesit perëndimorë, janë impresionuar nga performanca e avionëve dhe raketave ruse. Disa madje kanë arritur në përfundimin, se raketat ruse të lëshuara nga anijet në Detin Kaspik, mund të kenë tejkaluar ato amerikane, në aspektin e barasvlerës teknologjike.

Që nga 30 shtatori, kur filluan bombardimet nga ajri, forcat ajrore ruse kanë kryer mbi 700 fluturime,

duke goditur më shumë se 450 objektiva. Vazhdimi i ofensivës pranë Alepos nga besnikët e Asadit, po shoqërohet me një sukses të konsiderueshëm.

Putini kërkon, ndër të tjera, të shpartallojë ISIS-in dhe radikalët e tjerë islamikë, përpara se ata të depërtojnë në rajonet jugore të Rusisë, të populluara kryesisht nga myslimanët, dhe ku ka patur dhe ende ka një armiqësi e konsiderueshme me bazë fetare dhe fisnore, qoftë në Çeçeni apo diku tjetër.

Ndërkohë kjo ndërhyrje, është e ndërthurur thellë me dëshirën e Putinit për rikthimin e rolit tradicional të Rusisë, si një fuqi ushtarake globale:për të rivendosur ndikimin e saj në mbarë botën. Ai ka zbatuar një program, për të modernizuar forcat e falimentuara ushtarake të Rusisë, të cilat që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, kishin rënë nën standartet teknike, në raport me ushtritë e Perëndimit.

Suksesi i këtij programi nuk është plotësisht i njohur, por performance ushtarake e Rusisë në konfliktin sirian po e tregon këtë. Interesat ruse në Lindjen e Mesme shtrihen nga kohët cariste e deri në epokën sovjetike. Në kulmin e tij, Bashkimi Sovjetik numëronte si klientët e vet, shumë nga shtetet shekullariste arabe – duke përfshirë Egjiptin, Irakun dhe Sirinë – duke sfiduar Shtetet e Bashkuara për hegjemoni rajonale.

Ajo epokë mori fund në vitet ’90, kur Bashkimi Sovjetik u shemb. Vetëm Siria mbeti një klient besnik i Moskës. Putini kërkon të sfidojë sërish hegjemoninë perëndimore, dhe të rikthejë influencën ruse. Ngurrimi i administratës së Obamës, dhe ndjesia publike në Shtetet e Bashkuara, kundër aventurave të mëtejshme ushtarake, e ka hapur derën për këtë.

Rusia ka forcuar jo vetëm partnerët e saj rajonalë, por ka ndërkohë arritur të bëjë për vete edhe aleatët tradicionalë të Amerikës, përfshirë Egjiptin dhe Arabinë Saudite, duke iu vetëofruar për t’u shitur pajisjet ushtarake ruse të teknologjisë më të fundit. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara shfaqen në mëdyshje dhe të pasigurta, duke reaguar ndaj iniciativave ruse teksa ato janë në zhvillimin e sipër, e duke nxjerrë në pah perceptimin e një dobësie në rritje.

Moska i ka bërë llogaritë saktë, se Uashingtoni nuk do të ishte në gjendje të ndalonte ndërhyrjen e saj ushtarake. Luftimet në Siri do të vazhdojnë të pandërprera edhe për vitet që do vijnë, duke e destabilizuar rajonin në tërësi dhe më gjerë. Kjo do të rëndojë edhe më shumë katastrofën humanitare, që edhe si paraqitet aktualisht është e patolerueshme.

Zgjedhjet që Perëndimi ka për Sirinë janë të kufizuara – aty nuk ‘ka opsione të mira’. Perëndimi nuk ka një opozitë të vërtetë për të mbështetur në Siri. Forcat laike pro-amerikane, janë margjinalizuar shumë kohë më parë. Edhe në rast se Asadi do të rrëzohet nga pushteti, kaosi do të vazhdojë të përshpejtohet, me pasoja akoma më të rënda për Libanin, Jordaninë dhe fqinjët e tjerë.

Putini nuk është lloji i liderit, që do të lehtësojë rrëzimin e një kolegu diktator, edhe pse ai mund të pranojë dështimin e familjes Asadit, nëse vetë regjimi mbijeton. Ai nuk do të heqë dorë nga zgjerimi i ndikimit rus. Në Lindjen e Mesme, ai nuk do të sakrifikojë reputacionin në rritje të Moskës, thjesht për imazhin e një të forti të qytetit. Ai do tolerojë asnjë ndërhyrje nga ata që i kundërvihen Moskës diku tjetër, por ata duhet të jetojnë në mos me frikë, së paku me pasiguri.

Shënim: Dr Neil Quilliam është drejtor i Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në “Chattam House”, Michael Bell ka shërbyer si ambasador i Kanadasë në Jordani (1987-1990), Egjipt (1994-1998) dhe Izrael (1990-1992 dhe 1999-2003), Tom Najem është profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Ëindsorit në Britaninë e Madhe.

Leave a Reply

Back to top button