Analiza

Sisi: Nëse dështojmë kundër terrorizmit, rajoni në kaos edhe për 50 vitet e ardhshme

Në intervistën ekskluzive për “Der Spiegel”, presidenti egjiptian Abdel Fatah el-Sisi diskuton mbi luftën në vendin e tij, përmbysjen me forcë të paraardhësit Muhamed Morsi, dhe kërcënimin që Egjipti ndjen nga Shteti Islamik dhe Vëllazëria Myslimane

Nga Dieter Bednarz dhe Klaus Brinkbäumer

Screen Shot 2015-02-11 at 22.47.34

Shumë pak gjëra dihen publikisht për El-Sisin, njeriun që u ngrit në majat e pushtetit nga sfera e fshehtë të ushtrisë. Në të ashtuquajturën fushatë zgjedhore presidenciale, ai e portretizoi veten e tij në televizionin qeveritar, si një njeri të duruar dhe me zemër të madhe. Ai uli vështrimin, kur foli për fëmijërinë e tij në Gamalija, një nga lagjet më të vjetra të Kajros.
Në atë emision El-Sisi e quajti veten një “mysliman të devotshëm”, por që ishte rritur i rrethuar nga toleranca ndaj kulturave të tjera. Shtëpia e prindërve të tij, ishte pranë “Lagjes së hebrejve”, ndërsa shtoi se ende mund kujtonte tingullin kumbues të këmbanave të kishës për meshat e së djelës. Si shumë egjiptianë që vinin nga shtresa e varfër, El-Sisi u përpoq të zhvillohet dhe fitojë respektin e të tjerëve përmes një karrierë ushtarake.
Me afro gjysmë milionë ushtarë, ushtria egjiptiane nuk është vetëm forca më e madhe ushtarake në botën arabe, por është gjithashtu edhe një forcë ekonomike. Supermarketet dhe dyqanet ushqimore në Kajro tregtojnë shumë nga produktet, që mbajnë logon e “Forcave të Armatosura”. Ushtria, është prodhuesi më i madh në vend i mallrave të konsumit, dhe është e përfshirë në thuajse çdo sektor.
Disa ekspertë vlerësojnë se ushtria, me asete prej më shumë se 100 miliardë dollarësh, mban gjysmën e peshës së ekonomisë kombëtare, ndërsa qytetarët e shohin Ministrin e Mbrojtjes më shumë si një President të Egjiptit, sesa si një mjeshtër të luftës dhe paqes .
Përmes uniformës, El-Sisi ngjiti shpejt shkallët e karrierës. Ai u largua nga akademia ushtarake në vitin 1977, 2 vjet pasi Izraeli dhe Egjipti patën nënshkruar një traktat paqeje. Ai u dërgua në Britaninë e Madhe për trajnim në vitin 1992, dhe në SHBA në vitin 2005. U diplomua për “Studime Strategjike” në Kolegjin Amerikan të Luftës në Pensilvani në vitin 2006.
El-Sisi, gëzonte reputacionin e një njeriu që punonte fort, një nxënës i vjetër 52-vjeçar që mori përgjegjësitë e tij seriozisht, ndonëse teza e tij e diplomës ishte vetëm 11 faqe. Pasi u dallua për shërbimin e tij si atashe ushtarak në ambasadën egjiptiane në Arabinë Saudite, dhe pasi komandoi njësi të ndryshme të këmbësorisë, El-Sisi u gradua komandant i armatës veriore në vitin 2008.
Selia e tij ndodhej në Aleksandri, ku dy vjet më vonë filloi revolucioni kundër presidentit të atëhershëm Hosni Mubarak. Menjëherë pasi ky i fundit u rrëzua nga pushteti, El-Sisi ndërmorri një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Me emërimin në krye të Inteligjencës Ushtarake, ai u bë një nga njerëzit më të fuqishëm në vend. Ai iu bashkua Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura, i cili nën drejtimin e tij shërbeu si një qeveri emergjence.
Ngjitja e El-Sisit në pushtet, përfundoi me paraqitjen e tij të parë si një udhëheqës i fuqishëm. Ai tentoi bujshëm të justifikonte “testet e virgjërisë”, të kryera nga mjekët ushtarakë mbi protestueset femra në Sheshin Tahrir. El-Sisi tha se këto teste poshtëruese, ishin si reagim ndaj akuzave për përdhunim, që u ngritën ndaj ushtrisë.
Pas protestave, ushtria hoqi dorë nga këto teste, ndërsa El-Sisi u zhduk edhe një herë në prapaskenë. Në muret e zyrës së tij, nderen piktura të anijeve të ndryshme historike, ndërsa në dysheme ka një valixhe. El-Sisi, 60 vjeç dhe 1.66 metra i gjatë, qëndron ulur në një karrige të dekoruar shkëlqyeshëm. Gjatë gjithë intervistës, mbetet i palëvizshëm, flet me qetësi dhe duket i çliruar nga ankthi. Tamam një njeri, që seriozisht beson se mund të shpëtojë Kajron dhe Egjiptin.

Spiegel: Zoti El-Sisi, ju u ulët në këtë zyrë për shkak të një grushti shteti. Kjo është ajo që ne e quajmë një president të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe që rrëzohet nga pushteti me forcë…
Karakterizimi që ju i bëni situatës, nuk është i qartë dhe kuptimi juaj është i pasaktë. Ju gjykoni përvojat tona, nga pikëpamja tuaj kulturore, qytetëruese dhe zhvillimore e favorshme dhe nuk mundeni të hiqni dorë nga ky kontekst. Por unë ju ftoj të kuptoni, se çfarë ndodhi në Egjipt në dritën e rrethanave, sfidave dhe kërcënimeve, me të cilat është përballur Egjipti.

Spiegel: E keni fjalën për islamizmin në rritje në vend, nëpërmjet qeverisjes së “Vëllazërisë Myslimane” dhe ish-presidentit Morsi?
Ajo që ju i referoheni si një grusht shteti, për ne ishte revolucioni ynë i dytë. Çfarë do të ndodhte, nëse gjysma e popullsisë në Gjermani, Francë apo Britaninë e Madhe, do të dilte në rrugë për të kërkuar rrëzimin e qeverisë? Nëse këto qeveri do të planifikonin përdorimin e forcës dhe nëse më pas nuk do të kishte asnjë ndërhyrje …

Spiegel: Doni të thoni përmes ushtrisë …
…Atëherë edhe këto vende do të rrëshqisnin në luftë civile. Nëse ne nuk do të kishim ndërhyrë, nuk do të përmbushnim përgjegjësinë tonë historike dhe morale.

Spiegel: Ju ndiheshit të thirrur nga populli?
Edhe nëse vetëm 1 milion njerëz demonstrojnë në rrugë kundër një sundimtari, ai duhet të japë dorëheqjen. Por në rajonin tonë, kjo nuk është regjistruar ende në ndërgjegjen e sundimtarëve.

Spiegel: Por në vend të parandalimit të një luftë civile, nëpërmjet shkarkimit të Morsit, ju e provokuat atë. Qindra vetë vdiqën dhe shumë të tjerë u arrestuan…
Jo dhe jo. Ata qindra njerëz nuk duhej të kishin vdekur. Unë trishtohem edhe nga humbja e një jete të vetme. Megjithatë, më lejoni ta vendos këtë ngjarje, në një kontekst të ndryshëm. Shikoni për një moment numrin e madh të vdekjeve, gjatë 10 viteve të fundit në Irak, Siri, Libi dhe Jemen. Popullsia e Egjiptit është thuajse e barabartë, me të gjitha ato vende të marra së bashku. Nëse ju bëni krahasimin, do të kuptoni se ushtria e ka mbrojtur popullin egjiptian.

Spiegel: Pra, ju jeni duke thënë që Egjipti do të kishte përfunduar si Siria apo Iraku, në rast se ushtria s’do të kishte ndërhyrë?
Sikur ushtria të mos ndërhynte, qindra mijëra, në mos miliona, do të kishin vdekur.

Spiegel: Ajo çfarë ndodhi në sheshin Raba ishte një masakër  e vërtetë, ku të paktën 650 mbështetës të Morsit u vranë nga forcat e sigurisë. Ajo ngjarje përfaqëson një abuzim të pastër me pushtetin…
Unë e përsëris se ju po na gjykoni në bazë të kritereve tuaja. Numri i viktimave në Raba, mund të kishte qenë 10 herë më i madh, nëse njerëzit do të kishin pushtuar sheshin. Dhe egjiptianët ishin të përgatitur për të bërë këtë. Protestat u lejuan të vazhdojnë për 45 ditë, dhe njerëzit e panë sesi një nga sheshet kryesore të kryeqytetit tonë ishte krejtësisht i paralizuar. Ne bëmë thirrje në mënyrë të përsëritur mbi protestuesit që të largoheshin në mënyrë paqësore. A do të lejohej diçka e tillë në vendin tuaj?

Spiegel: Policia jonë nuk hap zjarr me municion të vërtetë. Nëse është e mundur, ata do të përdornin gaz lotësjellës ose topat me ujë. Dhe në vendin tonë, Ministri i Brendshëm do të duhej të jepte dorëheqjen pas një masakre të tillë…
Unë s’kam turp ta pranoj, se ekziston një hendek qytetërues midis nesh dhe jush. Policia dhe njerëzit në Gjermani janë të civilizuar dhe kanë një ndjenjë përgjegjësie. Policia gjermane është e pajisur me metodat më moderne, dhe ka marrë trajnimin më të mirë. Dhe në vendin tonë, protestuesit nuk do të përdornin armë në mes të demonstratave për të vrarë policët.

Spiegel: Grupet e të drejtave të njeriut, ankohen se shtypja gjatë kohës tuaj në detyrë, ka qenë më e madhe sesa ajo nën rregjimin e Mubarakut…
Nuk mund të përcaktohen të drejtat e njeriut kaq ngushtë, sikurse bëni ju. Nëse “Vëllezërit Myslimanë” manipulojnë ndërgjegjien e njerëzve apo shtrembërojnë besimet e tyre, atëherë edhe kjo edhe është një shkelje e të drejtave të njeriut. Nëse ju nuk jeni në gjendje të merrni një arsimim apo strehim të mirë, nuk mund të gjeni një punë dhe s’keni asnjë shpresë për të ardhmen, edhe kjo është gjithashtu një shkelje e të drejtave njerëzore. Të drejtat e njeriut, s’duhet të reduktohen vetëm tek liria e shprehjes. Sa për këtë të fundit, njerëzit në vendin tonë janë të lirë të thonë çdo gjë që ata duan.

Spiegel: Pa aktivistët si Ahmed Maher, Muhamed Adel dhe Ahmed Duma, ju nuk do të ishit sot president. Këta 3 revolucionarë aktualisht gjenden në burg, për shkak se kanë shkelur kufizimet e rritura, që u janë imponuar egjiptianëve mbi të drejtën e protestës…
Ligji ynë mbi protestat e ka prejardhjen nga ligjet e ngjashme franceze, gjermane dhe zvicerane. Gjithkush ka të drejtë të protestojë, por duke njoftuar më parë dhe marrë leje tek autoritetet. Aktivistët protestuan, duke e shkelur këtë ligj. Nëntëdhjetëmilionë egjiptianë duan ushqim dhe ujë. A do të investonte vendi juaj këtu, nëse protestat vazhdojnë ditë-natë?

Spiegel: Kur ju kohët e fundit mbajtët një fjalim në Universitetin e famshëm të Azharit, bëtë thirrje për përtëritje fetare…
Ky diskurs fetar do të marrë shumë kohë. Ai duhet të zërë fill, nga vetëdija se ne kemi një problem. Po flas këtu për gjë shumë të çmuar për vendet arabe dhe myslimane, sepse feja është e rrënjosur në zemrat dhe mendjet e njerëzve.

Spiegel: A do të thotë kjo një riinterpretim i Kuranit, përmes aplikimit të kodit ligjor dhe moral të islamit, të njohur si Sheriati?
Për 1400 vjet, Kurani ka përfaqësuar të vërtetën absolute. Por interpretimet ndryshojnë. Unë propozoj heqjen e ideve të gabuara dhe të shtrembëruara nga diskursi fetar. Tema e konferencës në universitet ishte “liria e zgjedhjes”, dhe dhurata e madhe që kjo liri përfaqëson. E drejta për të zgjedhur një besim të caktuar, qoftë të krishterë, judaike apo myslimane, është një pjesë e pandarë e fesë sonë.

Spiegel: Do të thotë kjo që myslimanët duhet të marrin masa kundër atyre, që në mënyrë të gabuar interpretojnë fenë e tyre?
Sigurisht, sepse këta ekstremistë jo vetëm fyejnë Islamin, por gjithashtu ofendojnë imazhin e Zotit. Besimet e tyre të rreme, bëjnë që shumë njerëz të pyesin veten:Çfarë lloj feje është Islami?

Spiegel: Presidenti amerikan Barak Obama, ka mbledhur një koalicion ndërkombëtar, për të luftuar ekstremistët islamikë të ISIS-it. Por Egjipti është vetëm një partner simbolik në këtë aleancë…
Ne jemi partnerë në këtë betejë, por ne jemi përfshirë edhe këtu në Egjipt. E kemi filluar luftën kundër radikalëve, një vit e gjysmë përpara formimit të koalicionit. Nëse dështojmë në luftën kundër terrorizmit, i gjithë rajoni do të jetë i përfshirë në trazira për 50 vitet e ardhshme. Evropa gjithashtu do të kërcënohet me sulme nga ana e ekstremistëve. Unë ua kam thënë tashmë miqve të mi evropianë, një vit e gjysmë më parë.

Spiegel: Dhe si reaguan ata?
Sisi: Ata s’duan të më besojnë, duke menduar se po përpiqesha të justifikoja atë çfarë kishte ndodhur këtu…

Spiegel: Pas largimit të presidentit Morsi nga detyra, tani ka edhe një degë e Shtetit Islamik në Sinai, që po kërcënon unitetin e vendit tuaj…
Rreth 600 mijë njerëz jetojnë në Sinai, dhe terroristët janë vetëm një e vogël e tyre. Ata nuk mund të kërcënojnë unitetin e Egjiptit. Thjesht janë duke tërhequr vëmendjen, për shkak se veprimet e tyre janë aq të keqija. Por ne jemi të vendosur për të luftuar terroristët.

Spiegel: Cili është kërcënimi më i madh:Shteti Islamik apo Vëllazëria Myslimane?
Të dyja ndajnë të njëjtën ideologji. Por Vëllazëria Myslimane është origjina e të gjithave ekstremistëve.

Spiegel: Po flisni në një mënyrë, sikur Egjipti do të pushtohet nga terrorizmi nëse nuk jeni ju. A kanë egjiptianët një alternative tjetër?
Unë nuk do të qëndroj kurrë në detyrë kundër vullnetit të popullit. Etika e mi dhe patriotizmi nuk më lejojnë ta bëj këtë. /“Der Spigel”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button