Analiza

Skocezët duhet të votojnë “NAE” (JO)

Niall Ferguson

union jackPër shumicën e amerikanëve, Skocia do të thotë golf, uiski dhe – nëse shkojnë atje – vesa e vazhdueshme. Edhe për miliona amerikanët, mbiemri i të cilëve dëshmon për prejardhjen e tyre skoceze apo skocezo-irlandeze, ideja që Skocia mund të bëhet shtet i pavarur është çoroditëse.
MEgjithatë, këtë javë një refendum mund tëvendosë pikërisht këtë gjë. Kur kanë mbetur edhe pak ditë që elektorati skocez të vendosë nëse do të qëndrojë apo jo brenda Mbretërisë së Bashkuar, rezultati është shumë i ngushtë për t’u parashikuar.
Edhe unë, që kam lindur në Gllasgou por jam rritur në Angli dhe në Amerikë, jam i çoroditur. Që nga ai moment në vitin 2012, kur u mor një vendim për të organizuar një referendum me pyetjen: “A duhet që Skocia të jetë vend i pavarur?”, sondazhet kanë treguar një avantazh të vazhdueshëm dhe të rehatshëm për përgjigjen “Më mirë bashkë”, ose “Jo”. Por, dy javët e fundit është parë një rritje e mbështetjes për fushatën pro pavarësisë. Cfarë po ndodh?
Le të merremi fillimisht me disa keqkuptime të zakonshëm. Kjo nuk është një revoltë e vonuar e kolonisë së fundit të Anglisë. Uellsianët u nënshtruan në kohët e Mesjetës; irlandezët u pushtuan dalëngadalë që nga mesi i viteve 1500. Por Skocia dhe Anglia ishin të bashkuar si të barabartë.
Madje në një kuptim, ishte Skocia që afroi Anglinë, kur Mbreti James VI i Skocisë trashëgoi fronin anglez pas vdekjes së Mbretëreshës Elisabetë në vitin 1603. Shkrirja në një e parlamenteve të dy vendeve përmes Ligjit të Bashkimit të vitit 1707 ishte gjithashtu konsensuale, edhe pse poeti më i madh skocez, Robert Burns më vonë do të ankohej se elita skoceze “ishte shitur për floririn e anglezëve”. Deri sot e kësaj dite, skocezët e ruajtën sistemin e veçantë ligjor dhe arsimor.
Atëherë, a është kjo një zgjedhje, mes të qënurit skocez apo anglez? Jo. Eshtë një zgjedhje mes të qënurit brenda ose jashtë Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut (emri i saj i plotë dhe i gjatë). Ashtu si anglezët dhe uellsianët, skocezët janë britanikë: Në të vërtetë, ishte James VI i cili, pasi u bë James I i Anglisë, përshtati emërtimin “Britania e Madhe” për të bërë që të nënshtruarit e rinj të pranonin faktin që kishin një skocez si mbret. Dallimi është i rëndësishëm për skocezët. Komediani skocez, Stanley Baxter ka luajtur një herë rolin e një të burgosuri lufte në një film ku një roje burgu gjermane i ulërinte: “Derr anglez!” Baxter, i zverdhur prej zemërimit, ia kthente: “Derr skocez!”
Skocia e rifitoi parlamentin e saj në vitin 1999, pas një referendumi të mëhershëm të ashtuquajtur decentralizimi, që rriti në mënyrë domethënëse autonominë e vendit. Kaq shumë kompetenca i janë rikthyer Edinburgut, sa që mund të pyesësh përse vallë gjysma e skocezëve të rritur ndiejnë nevojë për pavarësi.
Risqet ekonomikë janë kaq të mëdhenj, saqë edhe Paul Krugman dhe unë biem dakord që është një ide e tmerrshme. Cfarë monedhe do të përdorte Skocia? Stërlinën? Euron? Askush nuk e di. Cila pjesë e të ardhurave nga nxjerrja e naftës në Detin e Veriut do i shkojë Edinburgut? Po kështu, sa prej borxhit kombëtar të Anglisë do të mbartë Skocia?
A do të jetë një prej atyre divorceve ku njëri partner pretendon gjithë asetet dhe i ofron partneritetit tjetër të gjithë përgjegjësitë? Cfarëdo që të thotë partia kombëtare skoceze, një votë PO të enjten do të kishte pasoja të rënda ekonomike, dhe jo vetëm për Skocinë. Investimet tashmë janë ndalur. Kompanitë e mëdha me qendër në Skoci, si përshembull gjigandi i pensioneve Giant Life kanë paralajmëruar se do të zhvendosen në Angli. Do të humbeshin shumë vende pune. Rënia kohët e fundit e stërlinës tregon se bota financiare e urren këtë ide.
Megjithatë, argumentat ekonomikë kundër pavarësisë nuk duket se po funksionojnë – e madje mund të shkaktojnë dhe efekt të kundërt. Mendoj se e di përsenë. T’i thuash një skocezi: “Mos e bëj këtë, po e bërë do të të ndodhin gjëra të tmerrshme”, është dhe ka qenë gjithmonë një strategji dështake negociimi. Nëse shkon në një pub në Gllasgou sot dhe i thua një vendasi: “PO e pive atë birrë, do të ta përplas kokën pas banakut”, ai do të reagonte duke e rrëkëllyer të gjithë gotën dhe më pas do i thoshte baristit: “Edhe një tjetër”.
Atëherë, çfarë lloj apeli mund të bëhet për të ndalur divorcin anglo-skocez? Përgjigja mund të jetë një apel dhe një kujtim i historisë së gjatë skoceze të kozmopolitanizmit.
Filozofi i madh skocez, David Hume ishte përbuzës ndaj atij që quante “motivi vulgar i antipatisë kombëtare”. “Unë jam qytetar i botës”, shkruante ai në vitin 1764. Rrëfimi i Humes për pasojat e bashkimit me Anglinë vështirë se do të kish qenë më shumë pozitiv: “Liria publika, me paqen dhe rendin e brendshëm, ka lulëzuar pothuajse pa ndërprerje”. Ankesa e tij e vetme buronte prej tendencës së anglezëve që të trajtojnë “me urrejtje pretendimet tanë për t’i kapërcyer dhe qeverisur ata”. (Në atë kohë, anglezët nuk ishin mësuar ende me kryeministra skocezë, prej të cilëve që atëherë kemi patur 11).
Nacionalizmi i vockël thjeshtë është jo-skocez. Dhe sot skocezët duhet të mos harrojnë paralajmërimin shumë me vend të bashkëkombësit të tyre, ekonomistit Adam Smith për politikanët që “premtojnë një plan të besueshëm reformimi, me qëllim që të rimodelojnë Kushtetutën, kryesisht për t’i dhënë shtysë karrierës së tyre”. Në të gjithë Europën Kontinentale në shekujt 19 dhe 20, nacionalizmi përdorej prej politikanëve ambiciozë për interesat e tyre. Skocia bënte përjashtim. Uroj që të mos ndryshojë. /NYT/
Niall Ferguson, profesor i historisë në Harvard. Libri i tij i fundit është: “Degjenerimi i madh: Si shkatërrohen institucionet dhe marrin fund ekonomitë”
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button