Shkence

Të thënat dhe të pathënat për abuzimin kanabinoid

Nga SPITALI AMERIKAN TIRANE (www.spitaliamerikan.com)

Screen Shot 2015-02-12 at 3.04.19 PMTë thënat dhe të pathënat për abuzimin kanabinoid.
Marijuana është ndër substancat me abuzim më të madh në Shqipëri e kudo, përdorimi i së cilës, në botë është dokumentuar që në shekullin e 4 p.e.s. e pikërisht në Kinë. Cannabis është termi me të cilin i referohemi substancave bioaktive të bimës Cannabis Sativa. Njihen mbi 60 produkte kimike të nxjerra nga kjo bimë, tre më kryesorët e të cilave janë: cannabinoli/cannabidioli dhe tetrahydrocannabinoli, me substancë psikoaktive delta9-tetrahydrocannabinoli apo THC.
A ka ndryshim ndërmjet marijuanës dhe hashashit??!
Me termin marijuanë, i referohemi një përzierje të gjetheve dhe luleve të bimës së cannabis. Ndërsa hashashi dhe vaji i hashashit janë përkatësisht rrëshira e presuar dhe vaji i nxjerrë nga kjo rrëshirë. Përqëndrimi i THC varion nga 1% tek marijuana e cilësisë së ulët e deri në 50% tek vaji i hashashit. CB1 dhe CB2 janë 2 receptorët kryesorë të identi fikuar dhe të lokalizuar në sistemin nervor qëndror, periferik dhe atë imun; duke qenë përgjegjës kështu për ndryshimet në sjellje, në procesin e të njohurit, memories, apo aktivitetet motorike. Pas konsumimit në formë inhalatore (në formë cigare), piku i përqëndrimit ndodh pas rreth 8 minutave, ndërsa pas gëlltitjes efektet psikoaktive i presim pas 1-3 orësh. Pas konsumimit në një nga mënyrat e mësipërme, brenda 5 ditëve eliminohet rreth 80-90% e THC nga organizmi. Por tek përdoruesit kronikë metabolitët e THC gjenden në urinë deri në disa javë pas konsumimit të fundit. Cannabis është një ndër substancat më të abuzuara për shkak të disa efekteve psikologjike të vetëraportuara nga abuzuesit si relaksimi, ndjesia e mirëqënies, rritja e oreksit dhe rritja e humorit që shkakton. Abuzimet akute të THC shoqërohen me çrregullime kardiake si rrahje të shpeshta zemre, ulje të presionit arterial; çrregullime neurologjike si: marrje mendsh, skuqje të syve, ulje të presionit intraokular, dridhje të duarve, ulje të fuqisë muskulore, moskoordinim, atake paniku, probleme me të folurin.
Ndërsa abuzimi kronik manifestohet me një sërë komplikacinesh multisistemike.
-Duke modifikuar përgjigjen imune të abuzuesve, rrit rriskun për infeksione.
– Inhalimi i marijuanës shoqërohet me risk më të lartë për kancer të traktit respirator;
-ulje të fertilitetit si rezultat i oligospermisë apo dëmtimit të ovulimit.
-në sistemin nervor shkakton mungesë të motivimit, apati, nënvlerësim, defiçite të procesit të njohjes, të të mësuarit, mungesë energjie e deri në depresion.
Megjithë kundërthëniet e shpeshta mbi këtë substancë, përdorimi kronik i saj krijon varësi. Dhe pikërisht kjo varësi vërtetohet nga vetë ekzistenca e sindromit të tërheqjes (abstinencës) të manifestuar me irritim, nervozitet të shtuar, dridhje trupi, djersitje e shtuar, ethe, çrregullime të oreksit, të gjumit. Një pjesë e defiçiteve konjiktive mbeten edhe pas ndërprerjes së abuzimit me cannabis. Canabinoidët nga ana mjekësore janë aprovuar të përdoren për trajtimin e nauzeave dhe të vjellave tek pacientët që i nënshtrohen kimioterapive, si dhe për stimilimin e oreksit tek pacientët HIV pozitiv me sindrom anoreksi-kaheksie. Trajtimi i varësisë canabinoide përfshin detoksikimin, si dhe terapi ndihmëse, në varësi të gjendjes apo edhe të patologjive shoqëruese. Mjekim specifik akoma nuk ka. Megjithë thëniet dhe kundërthëniet e shumta, abuzimi canabinoid po shkakton çdo ditë e më shumë pacientë të heshtur, që nuk njohin dhe nuk e pranojnë “sëmundjen”e tyre. Informimi i saktë, pranimi i problemit dhe kërkimi i ndihmës së duhur është gjithmonë zgjidhja më e mirë.

Leave a Reply

Back to top button