Teknologji

SPIUNAZHI KIBERNETIK / Eshtë fillimi i një epoke të re

epoka e reNdoshta aspekti më i frikshëm i spiunazhit kibernetik është se sa larg mund të shkojë dikush. Qoftë kur flitet për një vend, një grup terrorist apo një individ, një mundësi shfaqet mbi të gjithë të tjerat: një sulm mbi infrastrukturën kritike, si rrjeti i energjisë elektrike. Kjo mund të shkaktojë avionët të bien nga qielli, makinat të përplasen apo impiante bërthamorë të shpërthejnë. “Ky është një akt lufte. Eshtë përtej qytetërimit”, thotë Profesori John Steinbruner, i Universitetit të Maryland

Kina është e mbushur me ndërtesa të reja misterioze qeveritare zyrash, kështu që ai 12-katëshi në zonën e Pudongut në Shangai vështirë se mund të shkaktonte tituj të mëdhenj. As edhe posterat e propagandës që e rrethojnë apo rojet e Ushtrisë popullore tek portat nuk e bënin ndërtesën të spikaste. Megjithatë një kompani amerikane që merret me sigurinë, Mandiant, me qendër në Virginia, e ka identifikuar si ndërtesën ku ndodhen zyrat qendrore të Njësisë 61398, një grup në përbërje të ushtrisë që merret me luftën kibernetike. Studimi zbulonte se 150 sulme me një sofistikim të lartë kundër shënjestrave në SHBA e kishin patur burimin nga brenda. Gazetarë ndërkombëtarë dhe ekipe televizionesh që po shkonin në Njësinë 61398 u dëbuan, edhe në një kohë që qeveria e zemëruar e Pekinit i mohonte akuzat. Një ekip i BBC u ndalua për pak kohë.

Por lajmi i vërtetë nuk ishte ekzistenca e ndërtesës apo hacker-ët brenda saj. Lajmi i vërtetë ishte se ajo qe vetëm maja e një ajsbergu të luftës kibernetike që tani po shfaqet në mënyrë dramatike para syve të të gjithëve. Për vite të tërë ekspertët kanë paralajmëruar për një epidemi globale të hacker-ave. Por tani, ata parashikime të zymtë, janë bërë realitet.

Eshtë e qartë se superfuqia në rritje e botës, Kina, është angazhuar tashmë në një betejë me një superfuqi më të vjetër, Shtetet e Bashkuara. Eshtë një luftë që zhvillohet nëpër internet në diçka të ngjashme me lojën e spiunit të vjetër kundër lojërave të spiunazhit të luftës së ftohtë: por këtë herë nuk ka kurthe mjalti dhe shkëmbime të burgosurish në “Checkpoit Charlie”, por prodhim dhe shpërndarje virusesh, kalim muresh mbrojtës elektronikë, dhe rrëmbim dhe vjedhje nëpër server-a.

Qeveri të tjera apo ato që veprojnë në emër të tyre, si India dhe Rusia, janë gjithashtu aktorë të mëdhenj. Korporata të mëdha po tërhiqen në lojë, duke u përpjekur të mbrojnë vetveten kundër një legjioni hacker-ësh, apo ndërkohë që kompani të paskrupullta vihen në kërkim të sekreteve të vyera të rivalëve. Dhe në vend që ta fshehin, ata janë duke folur hapur tashmë, kështu që lufta kibernetike po del në pah.

Krimi është zhvendosur në internet. Nga vjedhja e të dhënave në kompjuterë privatë tek aksesi në detaje të bankave, deri tek mashtrimet për pasurim të menjëhershëm, kompjuteri që ndodhet në shtëpinë tuaj nuk është më një pajisje e pafajshme. “Ka akull të zi në internet. Ka gjëra që përbëjnë një rrezik shumë të madh për të të vënë në shënjestër”, thotë John Strand, një instruktor në kompaninë amerikane të sigurisë kibernetike Sans, me bazë në Maryland. Dhe atje ku kanë shkuar kirminelët, disa druhen se do të ndjekin pas terroristët. Që tani bota e luftës kibernetike ka parë shfaqjen e “aktorëve joshtetërorë” të fuqishëm si WikiLeaks dhe kolektivi “hacktivist” njohur si Anonymous. Por grupe të tjerë me axhenda nacionalizmi apo ekstremizmi fetar mund të planifikojnë të zëvendësojnë bombat e vjetra me akte shkatërrimtarë sabotazhi në internet.

Nje ish drejtor i CIA Michael Hayden, e krahasoi me agimin epokës bërthamore në Hiroshima, duke thënë: “Kjo ka ngjashmëri me gushtin 1945”.

Zbulim pas zbulimi ka treguar se sa aktivë janë hacker-ët kinezë. Pas botimit të detajeve mbi pasurinë e familjes së një politikani të pushtetshëm në Kinë, gazeta New York Times u vu në shënjestër për infiltrim. Washington Post dhe Wall Street Journal bënë të ditur se edhe ata ishin gjendur të sulmuar, ndërkohë që pak Microsoft zbuloi se edhe server-at e tij ishin vjedhur – ashtu siç ka ndodhur gjatë vitit të fundit edhe me gjigandët e teknologjisë, Facebook dhe Twitter.

Hacker-a kinezë kanë mbikëqyrur në mënyrë të vazhdueshme të gjithë aspektet e Uashingtonit. Think tank-e, agjenci qeveritare, grupe të të drejtave të njeriut dhe kompani ligjore janë penetruar vazhdimisht. Problemi është, sipas shumë ekspertëve, se është ende shumë e lehtë.

Sigurisht, Kina nuk është hacker-i i vetëm i botës. Pak njerëz kanë dyshime se spiunë dhe kompani amerikane janë shumë të mirë në këtë fushë. Edhe pse Pekini fshihet prapa murit të madh mbrojtës të Kinës dhe rregullon në mënyrë strikte internetin brenda vendit, vendi në vitin 2011 pësoi afro 500 mijë sulme kibernetikë – 15 përqind prej tyre me burim nga SHBA.

Akti më dramatik i spiunazhit kibernetik besohet të ketë qenë një projekt i përbashkët i SHBA dhe Izraelit ku virusi kompjuterik Stuxnet u përdor kundër Iranit. Një raport bëri të ditur se kodi dëmtoi afro 1000 centrifuga në impiantin e pasurimit të uraniumit në Natanz, që shumëkush beson se është kyç për ndërtimin e armëve bërthamore.

Vende të tjerë janë gjithashtu në veprim. Një raport i bërë publik nga Shtëpia e Bardhë javën që kaloi identifikoi Rusinë si një burim të madh të sulmeve në internet. Ai paralajmëronte se priten të shfaqen edhe shtete të tjerë. “Një ose më shumë fuqi rajonale në rritje të shpejtë mund të gjykojnë se ndryshimet në interesat e veta ekonomike dhe politike meritojnë riskun e një programi agresiv spiunazhi”, thotë raporti.

Ndoshta aspekti më i frikshëm i spiunazhit kibernetik është se sa larg mund të shkojë dikush. Qoftë kur flitet për një vend, një grup terrorist apo një individ, një mundësi shfaqet mbi të gjithë të tjerat: një sulm mbi infrastrukturën kritike, si rrjeti i energjisë elektrike. Kjo mund të shkaktojë avionët të bien nga qielli, makinat të përplasen apo impiante bërthamorë të shpërthejnë. “Ky është një akt lufte. Eshtë përtej qytetërimit”, thotë Profesori John Steinbruner, i Universitetit të Maryland.

Ndoshta përtej qytetërimit. Por jo më përtej mundësive.

Leave a Reply

Back to top button