Ekonomi

Stathakis: Pse Evropa s’duhet të ketë frikë

INTERVISTA / Flet Ministri grek i Ekonomisë, Giorgios Stathakis

Nga Manfred Ertel

Screen Shot 2015-02-04 at 17.31.00Spiegel: Zoti Stathakis, a duhet të trembet Evropa nga një Greqi që me vetë-besim thotë se refuzon të paguajë borxhet e saj ?
Frikë nga çfarë? Jo, ju s’keni nevojë të jeni të frikësuar. Prej një kohë të gjatë, Syriza ka argumentuar se kushtet e vendosura nga trojka, patën efekte jashtëzakonisht negative në ekonominë dhe popullin tonë, dhe se këto kushte duhet të ndryshohen. E njëjta gjë vlen edhe për gjithë Evropën

Spiegel: Dhe sipas jush në ç’mënyrë?
Përmes ndryshimit të politikës financiare, drejt një politike më të gjerë monetare publike. Qytetarët tanë janë të lodhur pas 5 vitesh kursimesh të rrepta. Ata ndjehen sikur janë dënuar nga Evropa. Ne kemi nevojë për një axhendë të re, për një zhvillim të shëndetshëm ekonomik si dhe një kornizë fiskale të guximshme, që lehtëson efektet sociale negative të kësaj krize. Kjo është arsyeja, se përse fitorja e zgjedhjeve nga Syriza, mund të nxisë një lloj të ri të menaxhimit të krizës në Evropë.

Spiegel: Megjithatë, me kërkesat e tij për një shkurtim të borxhit dhe premtimet ndaj votuesve për dhurata prej miliarda eurosh, Aleksis Cipras ka frikësuar partnerët e tij evropianë….
Ne gjithmonë kemi thënë se zgjidhja për problemet tona duhet të jetë ajo evopiane. Pra me një marrëveshje nga evropianët, në bazë të një ideje shumë të shëndoshë të interesave të ndërsjella. Kjo është arsyeja pse ne kemi partnerë. Nga ana tjetër, duhet të ketë një ndryshim të madh politik në Greqi. Kjo është e pashmangshme.

Spiegel: A do të mbetet Greqia një anëtare e eurozonës?
Stathakis: Përfundimisht po.

Spiegel: Cilat do të jenë masat e para që do të merren nga qeveria juaj?
Hapi i parë është gjetja e një përgjigje ndaj krizës humanitare me të cilën po përballet vendi ynë. Ne duhet të lehtësojmë vuajtjet ekstreme të njerëzve, disa prej të cilëve nuk mund ta përballojnë më të paguajnë as çmimin e energjisë elektrike. Pas kësaj, javë pas jave dhe hap pas hapi, do të adresojmë problemet e tjera, për të përmirësuar strukturalisht situatën sociale dhe për të forcuar ekonominë.

Spiegel: Për ta bërë këtë, ju duhen para. Programet që sigurojnë kujdes shëndetësor dhe ushqim për shtresat më në nevojë, të kombinuara me rritjen e pagës minimale dhe përfitimet shtesë nga pensionistët, ka të ngjarë të kushtojnë afërsisht 13 miliardë euro. Ajo që i komplikon më tepër punët, është fakti që programi aktual i ndihmës së BE për Greqinë, skadon në fund të këtij muaji…
Kjo është e vërtetë. Dhe kjo është arsyeja përse ne do të fillojmë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur, por jo me trojkën. Ne do të marrim iniciativën dhe do të takohemi me udhëheqësit evropianë. Duam që të biem dakord për një marrëveshje të re, me miratimin e partnerëve tanë evropianë.

Spiegel: Çfarë doni të thoni në mënyrë specifike, kur ju flisni për rinegociim të paketës së shpëtimit?
Ne kemi nevojë për një zgjidhje praktike, për të vendosur nën kontroll borxhin publik të Greqisë. Aktualisht, rreth 5 përqind e Produktit të Brendshëm Bruto shkon për pagesën e kësteve të këtij borxhi. Do të ishte shumë më mirë që niveli i pagesave të borxhit të lidhej direkt me rritjen ekonomike: në kohën e rritjes më të lartë, të paguajmë më shumë dhe në kohën kur rritja është më e vogël, të paguajmë më pak. Në të njëjtën kohë, kursimi i rreptë duhet të zëvendësohet me një marrëveshje të re mbi bazën e mëposhtme: Duam një buxhet të balancuar, t’i përmbahemi rregullave fiskale, por gjithashtu kemi nevojë për impulset e rritjes për ekonominë tonë.

Spiegel: A duhet që reduktimi i borxhit të jetë si pika e parë e bisedimeve, apo të vendoset në fund ?
Është shumë herët për të dhënë një përgjigje të saktë. Por çdo gjë është për t’u biseduar.

Spiegel: Çfarë ndodh nëse evropianët nuk bien dakord për një reduktim të ri të borxhit?
Duhet të presim dhe shohim cilat janë rezultatet e bisedimeve dhe sa realiste janë propozimet e reja në luftën kundër borxhit. Ne nuk jemi të vetmit që kanë një ide të tillë. Kjo gjë po diskutohet edhe në Gjermani, ashtu si tek vetë FMN-ja. Rendi i ditës është krejtësisht i hapur.

Spiegel: Athina po planifikon për të paguar 2.3 miliardë euro borxh deri në fund të shkurtit …
Ne do ta paguajmë.

Spiegel: Si?
Ne do ta paguajmë.

Spiegel: Koalicioni juaj qeverisës përbëhet nga partia e majtë radikale Syriza dhe partia e krahut të djathtë populist, Grekët e Pavarur. Përveç refuzimit tuaj të përbashkët të kërkesave shtrënguese nga Brukseli, nuk ka ndonjë gjë tjetër që bashkon partitë tuaja. Si mendohet të funksionojë një qeveri e tillë?
Syriza është partia kryesore në qeveri. Ne kemi një partner të vogël në koalicion, me të cilin kemi dallime të mëdha në shumë pika. Të dyja palët janë në dijeni të tyre. Por ky ishte opsioni i vetëm, për një qeveri të qëndrueshme, dhe besoj se do të jetë e mjaftueshme për një farë kohe. Gjëja më e rëndësishme është që ne do të zbatojmë programin tonë social, reformën në administratën publike dhe rinovimin e marrëdhënieve tona me Europën. Kjo është 100 përqind Syriza. Ne duhet të arrijmë kompromise kur është fjala për çështje të tjera.

Spiegel: Për shkak të shumicës suaj të brishtë, a mos duhet grekët të fillojnë të përgatiten shpejt për zgjedhjet e parakohshme, ashtu si në vitin 2012?
Jo, pasi me disa parlamentarë të pavarur, qeveria jonë do jetë në gjendje të mbështetet mbi një bazë më të gjerë politike. Ne jemi qeveri e mirë dhe do të jemi më e qëndrueshmja ndër dekada.

Shënim: Ekonomisti Georgios Stathakis, 61vjeç, është caktuar në krye të Ministrisë greke të Ekonomisë, Infrastrukturës, Turizmit dhe Anijeve. Së bashku me zv.kryeministrin Janis Dragasakis dhe ministrin e Financave Janis Varufakis, ai do të udhëheqë negociatat me Brukselin. Djali i një manjati të anijeve, Stathakis ka qenë më herët komunist dhe studoi teorinë marksiste në Universitetin e Kretës, para se t’i bashkohej kabinetit Cipras. Ai ka tendencën për të shmangur tonet e mprehta, duke pëlqyer qëndrimet e moderuara. /SER SPIEGEL/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button