Shendeti

Studimi: Zemërimi e dëmton më shumë shëndetin tonë, sesa trishtimi

Nga Marta Musso

Ne e dimë që ndjenjat mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në mirëqenien tonë fizike dhe mendore. Por, a mund ta masim këtë peshë, dhe të bëjmë krahasime mes gjendjeve të ndryshme shpirtërore, dhe efekteve të tyre në shëndetin tonë? Për shembull, a është më keq të ndjesh zemërim apo trishtim ?

Përgjigjja nuk është e prerë: në fakt me kalimin e moshës, këto dy ndjenja mund të kenë një ndikim shumë të ndryshëm tek shëndeti jonë. Kjo sugjerohet nga një studim i studiuesve të Shoqatës së Psikologëve Amerikane, sipas të cilit, zemërimi mund të jetë më i dëmshëm për shëndetin fizik të të moshuarve se sa trishtimi.

Është konstatuar se ndjenja e inatit, mund të rimodulojë reagimin e sistemit imunitar, duke rritur inflamacionin, që lidhet me zhvillimin e sëmundjeve kronike, siç janë sëmundjet e zemrës, artritet dhe tumoret.

Mosha dhe ndjenjat negative

“Kur njerëzit plaken, ata nuk mund të kryejnë më shumë nga aktivitetet, që bënin dikur. Dhe kur përjetojnë humbjen e bashkëshortit të tyre, ndjejnë zemërim dhe pikëllim”- komentoi shkencëtarja që udhëhoqi këtë studim Megan A.Barlou e Universitetit Kondkordia.

“Megjithatë, studimi ynë, ka treguar se zemërimi mund të çojë në zhvillimin e sëmundjeve kronike, ndërsa trishtimi jo”. Siç e tregojnë kërkuesit, inflamacioni në përgjithësi na ndihmon të mbrojmë trupin tonë dhe ta shërojmë atë, por inflamacioni afatgjatë mund të çojë në sëmundje të ndryshme, sidomos në pleqërinë e avancuar.

Studimi

Për të kuptuar se si zemërimi dhe trishtimi, mund të ndikojnë tek inflamacioni, ose reagimi i sistemit imunitar ndaj kërcënimeve të tilla, si infeksioni ose dëmtimi i indeve, Barlou dhe ekipi i saj ekzaminuan të dhënat nga 226 njerëz të moshës 59-93 vjeç në Montreal të Kanadasë. Më pas, ata i ndanë në dy grupe: ata me moshë më të vjetër (80 vjeç e lart), dhe më të rinj, midis 59 dhe 79 vjeç.

Për më shumë se një javë, pjesëmarrësit në studim, plotësuan disa pyetësorë të shkurtër rreth asaj se sa të zemëruar apo të trishtuar e ndjenin veten. Ndërkohë, hulumtuesit matën nivele të ndryshme të inflamacionit përmes mostrave të gjakut, dhe pastaj u kërkuan pjesëmarrësve të raportonin nëse kishin sëmundje kronike që lidheshin me moshën.

Zemërimi dhe sëmundjet kronike

Nga analizat, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit që kishin raportuar çdo ditë ndjenja të zemërimit, kishin gjithashtu nivele më të larta të inflamacionit dhe sëmundjeve kronike. Por, kjo nuk ishte e vlefshme për të gjithë pjesëmarrësit.

“Ne kemi zbuluar se përjetimi çdo ditë i ndjenjës së zemërimit, është i lidhur me nivele më të larta të inflamacionit dhe sëmundjeve kronike për njerëzit e moshës 80 vjeç e lart, por jo për njerëzit më pak të moshuar”- shprehet bashkëautori i studimit Karsten Urosh, po nga Universiteti Kondkordia.

“Përkundrazi, ne kemi vënë re, se trishtimi nuk është i lidhur as me inflamacionin, dhe as me sëmundje kronike”- theksoi ai. Studiuesit arritën në përfundimin, se trishtimi si ndjenjë mund t’i ndihmojë të moshuarit të shkëputur nga qëllimet që nuk janë më të arritshme.

“Nga ana tjetër zemërimi, është një ndjenjë që mund të ndihmojë njerëzit të motivohen për të ndjekur qëllimet. Prandaj njerëzit e moshuar mund të jenë në gjendje ta përdorin këtë ndjenjë, si një “karburant” për të kapërcyer sfidat e jetës. Por, për njerëzit që janë 80 vjeç e lart, zemërimi shdërrohet në një problem, pasi kënaqësitë e jetës dhe qëllimet e tjera bëhen të papërshtatshme”- përfundon Barlou.

GalileoNet – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button