Analiza

Stuhia e përsosur në Mesdhe

El Pais
Spanjë

Për të ndaluar trafikantët e qënieve njerëzore Europa duhet të adoptojë sa më shpejtë një politikë të përbashkët mbi imigracionin

1Vendet e jugut të Bashkimit Europian i vuajnë efektet e një krize migrimi të vështirë për t’u menaxhuar. Por, në një kohë që duhet të jetë e gjithë Europa që të interesohet, ajo është e zënë në kurthin e detyrimit të respektimit të të drejtave njerëzore nga njëra anë, dhe ashpërsisë gjithmonë e më të fortë ndaj imigrantëve, nga ana tjetër.
Anijet fantazmë të braktisura në detin Mesdhe janë kapitulli i fundit i këtij eksodi, përveç se një demonstrim i metodave kriminale të përdorura nga trafikantët për qëniet njerëzore, që mbushin anije të vjetra pasagjerësh e i braktisin në udhëkryqe detarë, pa ekuipazh. Fluksi i të dëshpëruarve nuk do të ndalet, pasi në horizont nuk shihen përmirësime në kushtet e jetesës të shumë afrikanëve, ndërkohë që vazhdojnë konfliktet në Lindjen e Mesme.
Mungesa e një pozicionimi të përbashkët europian penalizon mbi të gjitha vendet e jugut. Italia nuk dëshiron të vazhdojë të mbajë mbi vete përgjegjësinë e mbajtur në 2013-ën e në 2014-ën me operacionin Mare nostrum, që ka lejuar të ndihmohen më shumë sesa njëqind mijë persona në det. Operacioni europian që e ka zëvendësuar është shumë më i kufizuar dhe është i koordinuar nga agjencia Fronteks, objektivi i të cilës është survejimi i kufijve, më shumë sesa shpëtimi i të mbyturve. Edhe forcat e sigurisë spanjolle kanë përdorur masa shumë të rënda për të mos pranuar imigrantët e parregullt që kërkonin të arrinin enklavën spanjolle të Melilas në Marok, nëpërmjet detit ose tejkalimin e gardheve në kufij.
Imigracioni nuk është një çështje për ta deleguar sipas përzgjedhjes e sipas mjeteve të qeverive të veçanta. Problemi ka të bëjë me të gjithë komunitetin ndërkombëtar, e Europa duhet të marrë vendime kolektive, duke e lënë pas ndarjen midis atyre që janë në favor të organizimit të operacioneve të kërkimit dhe ndihmës së shpejtë, dhe atyre që refuzojnë ta bëjnë me shfajësimin që në këtë mënyrë të mund të krijohej një “efekt tërheqjeje”.
Politika e përbashkët duhet të parashikojë masat e sigurisë, për të individualizuar e dënuar trafikantët e njerëzve, me paisjet më të mira të kërkimit e të ndihmës. Është e papranueshme të kthesh kokën nga ana tjetër, ndërkohë që mijëra njerëz vdesin në Mesdhe, përgjatë asaj që tashmë është konsideruar rruga më vdekjeprurëse e botës.
e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button