Analiza

Sulme të tjerë trondisin Parisin. Sërish policë të vdekur

sulm

Pas 24 orësh nga masakra në zyrat e gazetës satirike “Charlie Hebdo”, edhe mëngjesin e sotëm Franca është zgjuar e tronditur nga tre sulme të njëpasnjëshme, brenda një harku të shkurtër kohor, ku ka vdekur një police si dhe është plagosur një tjetër. Bëhet fjalë për një sulm me armë zjarri në jug të Parisit si dhe dy shpërthime me eksploziv, e para në një restorant në Villefranche-sur-Saône në Lion, dhe një në xhaminë e Le Mansit, ku si pasojë e sulmeve ka humbur jetën një oficere policie, ndërsa një polic tjetër ka mbetur i plagosur.
Fillimisht, nga ana e autoriteteve franceze janë raportuar të shtëna me armë zjarri në jug të Parisit, në zonën e Porte de Chantillon rreth orës 08:05. Mësohet se një agresor, nën drejtimin e automjetit të tij tip Renault Clio, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov ndaj dy oficerëve të policisë, në momentin që këta të fundit, po trajtonin një aksident rrugor.
Autori është larguar nga vendi i ngjarjes, madje edhe duke shkëmbyer të shtëna me policinë e vënë në ndjekje të tij, ndërsa nga ana e autoriteteve të rendit, është prangosur një i dyshuar. Ndërkaq, pas kësaj një shpërthim eksploziv është shënuar në Lion, në një restorant pranë xhamisë, ku si pasojë e sulmit, fatmirësisht nuk raportohen viktima apo të lënduar. Menjëherë pas kësaj, një tjetër shpërthim eksplozivi u shënua në Le Mans, në xhaminë e qytetit, ku nuk dihet ende për viktima apo të lënduar. Në vendin e ngjarjes, policia franceze zbuloi 3 granata të paprekura. Deri më tani nuk dihet ende nëse këto sulme të ditës së sotme, të kenë lidhje me aktin terrorist të një dite më parë ndaj satirikes “Charlie Hebdo” ku mbetën të vrarë 12 persona, mes të cilëve 8 gazetarë, 2 policë, një recepsionist dhe një i ftuar. Lidhur me masakrën e djeshme, policia ka identifikuar dy autorët e dyshuar si vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi respektivisht 34 dhe 32 vjeç, me origjinë algjeriane.
Një tjetër sulm me armë zjarri ka tronditur Parisin. Sipas mediave ndërkombëtare, ngjarja ka ndodhur në jug të kryeqytetit, në zonën e Porte de Chantillon rreth orës 08:05. Si pasojë e sulmit, mësohet se ka humbur jetën një police, ndërsa një tjetër punonjës policie ka mbetur u plagosur, në gjendje shoku. Sipas mediave franceze, autori i plagosjes, është larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të metrosë me një automjet tip Renault Clio, ngjyrë të bardhë. Madje theksohet se gjatë arratisjes ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes tij dhe policisë franceze. Autoritetet e rendit kanë arritur të prangosin një 53 vjeçar të dyshuar por sipas mediave franceze nuk është i përfshirë në ngjarje. Mësohet se në ngjarjen e sotme, dy policët e plagosur kanë qenë duke trajtuar një aksident rrugor, kur pranë tyre është afruar automjeti Renault Clio me ngjyrë të bardhë dhe ku më pas agresori me armë zjarri kallashnikov ka shtënë ndaj uniformave blu. Menjëherë pas kësaj ai është larguar me shpejtësi. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje personi që qëlloi mbi dy oficerët e policisë komunale në Chatillon nuk ka bërë asnjë thirrje dhe kjo vërtetohet nga shtatë të pranishëm në vendngjarje. Nga informacionet fillestare u raportua se një burrë i veshur me të zeza dhe me një jelek antiplumb ka dalë nga makina e tij dhe ka zbrazur një kallashnikov mbi policët të cilët po luftojnë për jetën.  Sipas mediave franceze nuk dihet nëse ngjarja e sotme të ketë lidhje me sulmin terrorist ndaj “Charlie Hebdo” të ditës së djeshme, ku mbetën të vrarë 12 persona, mes tyre 8 gazetarë dhe 2 oficerë policie, si dhe mbetën të plagosur disa të tjerë.
Një shpërthim eksplozivi i dyshuar kriminal ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 6:00 në Villefranche-sur-Saône të Lionit në një restorant pranë xhamisë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat franceze sipas të cilave, deri më tani nuk raportohet për viktima. Po ashtu nuk dihet se kush mund të jenë autorët e dyshuar të sulmit në fjalë, si dhe nëse ka lidhje me masakrën e djeshme ndaj “Charlie Hebdo”. Ky është një tjetër sulm që ka tronditur Francën brenda një dite, të cilat dyshohet të jenë të organizuara nga terroristët.
Një tjetër sulm është shënuar mëngjesin e sotëm në Francë, ku mësohet se një shpërthim eksploziv ka ndodhur në xhaminë e Le Mansit.
Sipas mediave franceze, shpërthimi dyshohet të ketë ardhur nga një granatë, ndërsa në vendin e ngjarjes, policia franceze ka arritur të gjejë edhe tre granata të tjera të pashpërthyera.
Po ashtu nga inspektimet e kryera, në murin e xhamisë është gjetur edhe një plumb, ndërsa deri më tani nuk dihet nëse ka të lënduar apo viktima. Ky është sulmi i katërt brenda 24 orësh në Francë, ndërsa nuk dihet ende se sulmet e sotshme të kenë lidhje me aktin terrorist të ditës së djeshme.

Leave a Reply

Back to top button