Histori

Super-detektivë. Historia e 3 legjendave

Gjenialë, nuhatës të mëdhenj. Të papërmbajtshëm. Njerëz të rrugës me një nuhatje për vrasje. Por mbi të gjitha për vrasësit. Policë dhe detektivë për filma noir, në gjendje të ndiqnin fajtorët deri në catitë e shtëpive, duke u infiltruar në bandat e malavitës. Si dhe të rindërtonin hap pas hapi krime në dukje perfektë, duke u nisur nga shumë pak tregues në dispozicion. Ja një rrëfim për jetët e tre “super këmbëmëdhenjve” legjendarë, që bënë të famshëm emrat e Surete, FBI dhe Scotland Yard, zyrat historike të hetimit në Francë, SHBA dhe Britaninë e Madhe.

HooverHajduti që krijoi Surete-n
“Erdha në botë në Arras, në 23 korrik të vitit 1775, në një shtëpi shumë pranë asaj ku kishte lindur Robespierri 16 vjet më herët. Ndodhi gjatë natës: shiu binte me rrëmbim, i shoqëruar nga zhurma e bubullimave; si pasojë një e afërme e familjes, që një herë e një kohë kish qenë fallxhore, arriti në konkluzionin që e ardhmja ime do të ishte një furtunë e vërtetë”. Kështu fillojnë Kujtimet, libri autobiografik i Francois Vidocq, themeluesi i Surete, reparti investigativ i policisë franceze.
Rebel dhe i paduruar ndaj cdo lloj disipline, në moshën 14 vjec vrau gabimisht mësuesin e tij të skermit dhe u detyrua të arratiset. I harxhoi të gjithë paratë në shoqërinë e një aktoreje të re dhe nuk i mbeti vecse të rregjistrohej, duke përfituar pak edhe nga konfuzioni i atyre viteve, një herë në forcat e armatës revolucionare franceze e pastaj me forcat kundër-revolucionare austriake. Në moshën 19 vjec, me një martesë të dështuar pas shpine, u bashkua me një grup oficerësh të larguar, të përfshirë në mashtrime dhe shantazhe kundër aristokratëve dhe borgjezëve të papërvojë, duke i kaluar 25 vitet e ardhshëm brenda dhe jashtë burgjeve, i akuzuar për një seri të pafundme krimesh. Tashmë ishte një i jashtëligjshëm.
Rruga e tij dukej e përcaktuar. Të paktën deri kur takoi Prefektin Pasquier dhe komisarin Henry, të policisë së Parisit. Këta të dy e afruan kur ndodhej ende në burgun e Bicetre dhe i propozuan që të transformohej nga kriminel, në informator. Vidocq pranoi dhe në “periudhën e provës” e kreu kaq mirë punën e tij saqë meritoi daljen nga burgu dhe një punë si detektiv.
I trazuar, por në mënyrën e tij gjenial, konceptoi për herë të parë idenë e një njësie të lëvizshme të policisë e përbërë nga hetues me një të kaluar si kriminelë – pikërisht si ai – dhe shpiku një moto shumë të vecantë: “Për të kapur një hajdut, duhet nëj tjetër hajdut”. Lindi kështu brigada e Surete, që brenda 15 vitesh numëronte 28 detektivë. Megjithatë, marrëdhëniet me prefekturën ishin të vështira: Vidocq dhe njerëzit e tij përdornin metoda hetimi jo shumë ortodokse. Në ndonjë rast edhe sulme, zhvatje dhe rrëmbime.
Edhe më shumë hije mbi punën e tij hodhi zbulimi që në pak vite kishte mundur të grumbullonte gjysmë milionë franga. Paga e tij vjetore ishte jo më shumë se 5 mijë franga. Edhe për këtë arsye, në vitin 1827 dha dorëheqjen.
Por kjo pauzë ishte e shkurtër: në vitin 1832 e thirrën sërish në Surete, për pak muaj. U detyrua përsëri të largohej kur u zbuua që një prej hetuesve të tij më të besuar ishte anëtar i një bande kriminale.
Vidocq vendosi atëherë që të shfrytëzonte famën që i kish sjellë botimi i autobiografisë së tij duke krijuar një agjenci private investigimesh: Bureau de renseignements universels dans l’interet du commerce. Por nuk ndryshoi metodat e tij dhe, në 1843, u gjend përballë një dënimi për mashtrim dhe rrëmbim personi. E falën dhe shmangu burgun, por gjashtë vjet më vonë i kërkuan që të kthente favorin. Bënë gjoja sikur e arrestuan, dhe e dërguan në burgun e Congiergerie për të marrë informacione nga një grup revolucionarësh të burgosur. Ishte detyra e fundit për llogari të policisë pariziene.
Sot nga Vidocq kujtohen mbi të gjitha nuhatjet e tij: e para nga të gjitha ajo e përzierjes mes kriminelëve, si përmes maskimit, ashtu edhe duke mësuar kodin e sjelljes dhe gjuhën. Atij i njihet gjithashtu merita e krijimit të llojeve të rinj të skedarëve të policisë dhe shpikja e parade (sfilata) e përdorur nga Vidocq si metodë për të kapur kriminelët: cdo mëngjes hapte qelitë e burgjeve duke bërë të sfilonin para tij të arrestuarit e rinj për të fiksuar në mendje kriminelët, për të cmaskuar ata që fshiheshin prapa emrave falsë dhe njohur ata që, për herë të parë hynin në botën e krimit.
Gjysmë shekulli në FBI, mes dritëhijeve
Pak gjëra dihen për fëmijërinë e John Edgar Hooverit, i lindur në Nju Jork në 1 janar 1895. Me siguri dihet që gjatë viteve të shkollës shfaqi një admirim të vecantë për Anthony Comstock, inspektor i postave të Nju Jorkut i cili u angazhua në një betejë fituese kundër mashtrimeve dhe pornografisë, me metoda ndonjëherë të diskutueshme.
Në vitin 1917 u diplomua në jurisprudencë dhe hyri në Departamentin e Drejtësisë, duke u bërë dy vjet më vonë kreu i General Intelligence Division, zyrë e sapokrijuar. Falë vendosmërisë së tij në vitin 1924 Presidenti i SHBA, Calvin Coolidge e njohu dhe e zgjodhi si drejtorin e gjashtë të Bureau of Investigation, në atë kohë me 650 punonjës, pes të cilëve 441 agjentë specialë. Sfida e parë që përballoi me sukses ishte ajo e grabitjeve në banka, që në mesin e Amerikës ngjanin si një epidemi. Në vitin 1935 struktura e tij fitoi një pushtet të tillë sa të meritonte një emër të ri: FBI, Federal Bureau of Investigation.
Investime të mëdhenj u adresuan për sistemet e mbledhjes dhe arkivimit të gjurmëve dixhitale dhe krijimit të laboratorëve të parë për analizën shkencore të provave. Edhe për arsyen se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hoover shfaqi një shqetësim në kufijtë e paranojës për spiunët, që zgjati edhe më vonë kur, gjatë luftës së Koresë (1950), paraqiti tek presidenti i SHBA, Harry Truman, një plan për të arrestuar të paktën 12 mijë amerikanë, të dyshuar se vepronin kundër demokracisë në SHBA. Në vitin 1956 Hoover nisi edhe një program sekret, Cointelpro, Counter Intelligence Program, për të luftuar organizatat politike disidente: armiku publik numër një këtë herë nuk ishte një gangster, por komunizmi.
Cointelpro nuk mohonte përdorimin e kërcënimeve, shantazheve, ndoshta edhe vrasjeve. Por u desh të pritej vdekja e Hoover në 1972 që komisioni i udhëhequr nga senatori Frank Church, të shpallte në 1976, se ky program binte ndesh me parimet e Kushtetutës së Amerikës.
Nuk ishte e vetmja nismë për të cilën u kritikua Hoover. U akuzua edhe për rezistencën e tij në pranimin e shtrirjes kriminale të mafias. Si dhe për vëmendjene mangët për vrasje të rëndësishme si ajo e John Fitzgerald Kennedy (1963) dhe Martin Luther King (1968). Megjithatë, asgjë nuk e lëkundi poltronën e tij, “e forcuar” edhe nga dosje për politikanë dhe njerëz të pushtetshëm që i mundësuan të realizonte sulme personalë: Në fillim Truman, më vonë Kennedy dhe Lyndon Johnson, menduan që ta largonin, por i druheshin kostos së madhe politike të një operacioni të tillë. Ai që e ndali ishte infarkti. Pas vdekjes së tij, Richard Nixon vendosi që një drejtor i FBI nuk mund të qëndronte në detyrë më shumë se 10 vjet.
Mbreti i Scotland Yard
Emri i Frederick Porter Uensley filloi të qarkullojë në 1888, në kohën kur në Londër bënte namin Jack the Ripper. Fama erdhi pas një ndjekjeje legjendare në catitë e shtëpive të Londrës, falës të cilës vuri në prangën autorin e një vrasjeje të dyfishtë. Por hetimi që shënoi kthesën në karrierën e tij iste ai që në histori ka hyrë si Bloody Belgium case (Cështja e belgut të mallkuar).
Ishte agimi i 2 nëntorit 1917 kur një pastrues ndesh në një thes të hedhur përtej kangjellave të kopshteve të Regent’s park. Brenda, kufoma e një gruaje: trungu dhe krahët. Mungonin duart, koka dhe këmbët, këto të fundit u gjendën më vonë në një tjetër pako. Hapi i parë i kryeinspektorit Uensley ishte ekzaminimi i cfarë ishte gjetur, duke filluar nga thesi. Kuptoi se bëhej fjalë për një material që përdorej zakonisht për të transportuar mish, dhe që përmbante gjëra interesante: marka e një lavanderie, një copë letër, ku dikush kishte shkruar me një kaligrafi të papërpunuar, fjalët blodie belgiam.
Nuk ishte e vështirë të gjendej lavanderia: ndodhej në Nr 50 të Munter Square, jo shumë larg nga Regent’s park. Në po të njëjtën adresë banonte një grua franceze 32-vjecare, Emilienne Gerard. Jetonte e vetme, sepse i shoqi ishte në front. Gjurmët e saj kishin humbur që në mbrëmjen e 31 tetorit, kur ra sirena e alarmit për inkursionin e bombarduesve gjermanë Zeppelin-Staaken. Në kuzhinë u gjet gjak dhe në dhomën e gjumit një cek 50 stërlinësh, firmosur nga një farë Louis Voisin, kasap edhe ai francez. Lajmi rezultoi interesant: si për destinacionin e thesit ku ishin gjetur eshtrat e viktimës, edhe për faktin që për të prerë një trup në atë mënyrë nevojitej një aftësi prej kasapi. Kishte të dhëna të mjaftueshme për të kërkuar Voisinin si dhe për t’i bërë disa pyetje.
Uesley e gjeti në shoqërinë e një gruaje, Berthe Roche. Asnjëri prej të dyve nuk fliste mirë anglisht, kështu që në stacionin e policisë kryeinspektori i kërkoi që të shkruante në një copë letër fjalët: “belgu i mallkuar”. E shkruajti keq, “blodie belgiam”. E përsëriti provën pesë herë, gjithmonë me të njëjtin rezultat. Kaligrafia ishte e njëjta që u gjend në thes: pista ishte ajo e duhura.
Në kuzhinën e Voisin u gjetën njolla me ngjyrë të kuqe të errët si dhe një peshqir. Një agjent zbuloi dhe një dalje për vendin ku ruhej qymyri. Aty ndodhej edhe një fuci: brenda, koka dhe duart e Emilienne Gerard.
Më pas, vrasja e Emilienne u rindërtua në këtë mënyrë: me rënien e alarmit, gruaja kishte shkuar tek i dashuri, Louis Voisin, për t’u sistemuar në bodrumin e tij. Por, në shtëpinë e tij ndodhej Berthe Roche, një rivale ekzistencën e së cilës ajo e injoronte. Mes të dyjave shpërtheu një zënkë: Berthe kishte goditur disa herë Emilienne me një thikë. Për ta bërë të heshtë, Louis i kish vendosur një peshqir në gojë duke e mbytur. Më pas e kish bërë copë, duke fshehur në shtëpi kokën dhe duart që do të bënin të njihej si dhe duke hedhur në kosh të plehërave pjesën tjetër të trupit.
Pavarësisht raportit të Uensley, i konfirmuar nga mjeku ligjor, Berthe Roche u dënua me vetëm 7 vite burg për bashkëpunim në vrasje. Pak muaj më vonë u cmend dhe përfundoi në cmendinë, aty ku vdiq në vitin 1919. Një vit më herët kish ndërruar jetë edhe louis Voisin, 42 vjec, i ekzekutuar në Londër. Disa vjet më vonë, në 1931, Uensley rrëfeu hetimet e tij në librin me kujtime “40 vite të Scotland Yard”.

Leave a Reply

Back to top button