Your Life

Supozimet: Pse ata janë armiqtë tanë më të këqinjj?

Në një rast Buda ka thënë se: “As armiku juaj më i keq, nuk mund t’iu bëjë më shumë dëme se sa vetë mendimet tuaja “, dhe kjo frazë është shumë e dobishme kur kemi të bëjmë me supozimet. Çdo ditë ne bëjmë qindra supozime, edhe pse nuk e kuptojmë këtë. Kur bisedojmë me një koleg në punë, ecim në rrugë, kur konsumojmë një kafe në bar, dhe madje edhe kur gjendemi një dyqan duke blerë diçka.

Megjithatë, gjëja më interesante është se i gjithë procesi ndodh në mënyrë të pandërgjegjshme. Ne mendojmë shumë gjëra, por nuk jemi të vetëdijshëm për ndikimin e kësaj lloj mënyre të menduari. Në fakt, supozimet janë si një person që na shoqëron në udhëtimin e jetës, por që mezi shquhet.

Por… çfarë është një supozim?

Supozimi do të thotë të bëjmë një hipotezë të bazuar tek dëshmitë që kemi, për të arritur në një përfundim që ne e marrim si të sigurtë, por ekzistojnë shanse të mira që të mos jetë kështu. Problemi kryesor është se supozimet që i marrim si të mirëqena, ato që nuk i vëmë në dyshim, përfundojnë duke marrë rolin e të vërtetës absolute, kur në fakt janë vetëm një mundësi në mesin e një gamë të gjerë opsionesh.

Shembulli klasik është ai i një gruaje që pret në shtëpi burrin e saj, i cili për disa arsye po vonohet. Ajo fillon të lidhë ‘faktet’ (sipas një logjike që ekziston vetëm në mendjen e saj) dhe konstaton se ai nuk ka ardhur akoma, pasi është duke e tradhëtuar me një femër tjetër. Në fakt, nëse personi është i pasigurtë dhe xheloz, përjeton prirjen e natyrshme për ta interpretuar çdo situatë si shenjë të pabesisë, dhe për këtë arsye mbërrin në një përfundim (që mund të jetë i vërtetë apo jo), por që ajo e konsideron 100 përqind të

saktë.

Kësisoj, ne ndërtojmë një dramë mbi një keqkuptim. Ne bëjmë supozime rreth asaj se

si mendojnë, ndjejnë dhe veprojnë të tjerët. Dhe e keqja e saj, është se ne reagojmë emocionalisht ndaj kësaj ideje, pasi mendojmë se ajo është e vërtetë. Dhe ne e dimë që truri ynë nuk bën shumë dallime mes realitetit, dhe asaj që ne mendojmë se është e vërtetë.

Duke iu rikthyer shembullit të mëparshëm, trurit të kësaj gruaje nuk i intereson nëse burri po e tradhëton apo ajo, ajo e ka bindur veten se kjo është e vërtetë dhe për pasojë zemërohet dhe pikëllohet. Siç mund të imagjinohet, supozimet janë burimi i shumë diskutimeve dhe konflikteve në shumë marrëdhënie, pasi njerëzit fillojnë duke gjykuar nga një ide bazë, të cilën ata e konsiderojnë si të mirëqenë dhe janë tërësisht të mbyllur ndaj cilitdo argumenti tjetër.

Pse supozojmë?

Truri ynë e urren pasigurinë dhe kaosin, dhe si të qe një sekretar efikas, pëlqen të programojë, organizojë, klasifikojë, dhe nxjerrë përfundime. Truri përpiqet t’i japë kuptim mjedisit tonë dhe gjërave që na ndodhin. Problemi shfaqet kur gjërat nuk kanë kuptim, dhe ne ndihemi të pasigurtë dhe mosbesues. Në këto raste, përpiqemi të gjejmë një shpjegim në mesin e sinjaleve mjedisore.

Megjithatë, ne s’jemi në gjendje të vlerësojmë objektivisht të gjithë këto shenja, por zgjedhim pjesë të realitetit që na ndihmojnë t’i japim kuptim njërës apo tjetrës hipotezë. Sapo arrijmë në një përfundim të kënaqshëm, e përdorim atë si të vlefshëm. Për shembull, kudo në Evropë gjatë viteve të fundit, është zhvilluar një ndjenjë e fortë ksenofobie. Në fakt, ekzistojnë arsye pro dhe kundër ardhjes së emigrantëve të huaj, por ata që tashmë janë kontaminuar nga fara e ksenofobisë (një sistem besimesh të mëhershme), shohin vetëm shembujt negative dhe shpërfillur ata pozitivë.

A mund të ndalojmë së supozuari?

Për të qenë të sinqertë, heqja dorë nga supozimi është padyshim e komplikuar, për shkak se ai është një mekanizëm natyror, një tendencë e rrënjosur thellë për të kërkuar përgjigje dhe shpjegime kudo dhe mbi çdo gjë. Realisht e rëndësishme, është të mësojmë se si të ‘edukojmë’ supozimet tona, në mënyrë që të reduktojmë ndikimin e tyre mbi ne. Ndaj herës tjetër që jeni duke menduar diçka, para se ta merrni si të mirëqenë, pyesni.

Në fakt, bërja e pyetjeve dhe kërkimi i mendimit të të tjerëve, është mënyra më e mirë që ne të zgjerojmë horizontin tonë, dhe të përfshijmë perspektiva të reja në analizën që bëjmë. Nëse një person është vonë në një takim, mos supozoni se… thjesht pyeteni se çfarë i ndodhi kur ai apo ajo të mbërrijë. Në rast se ju duket sikur shefi juaj po ju sheh në një një mënyrë të çuditshme, mos supozoni se jeni kapur në gabim, mos krijoni ide paranojake, por risni momentin e duhur dhe pyeteni. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button