BotaMAIN

Takimet sekrete që tregojnë se rrëzimi i Maduros ndodhi (edhe) nga brenda…

Një anëtar i lartë i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe ka vepruar si ndërmjetës në bisedimet mes Donald Trumpit dhe presidentes së përkohshme

Në një sallë takimesh në Doha, rreth 7.500 milje larg Karakasit, disa zyrtarë po diskutonin të ardhmen e Venezuelës pa Nicolás Maduro-n, diktatorin e saj. Një anëtar i lartë i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe vepronte si urë lidhëse mes regjimit dhe Donald Trump-it, ndërkohë që presidenti amerikan po ndërtonte një “ushtri”, për t’i bërë presion udhëheqësit venezuelian që të dorëzohej.

Por Maduro nuk ishte pjesë e takimeve sekrete në Doha. Në vend të tij, ishin zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, dhe vëllai i saj, Jorge Rodríguez, ata që udhëhiqnin bisedimet.

Sipas Miami Herald, që ka lidhje të forta në Amerikën Latine, zonja Rodríguez i ishte drejtuar Uashingtonit për t’u paraqitur si një alternativë “më e pranueshme” ndaj regjimit të Maduros. Sot, ajo qeveris Venezuelën me miratimin e Trumpit.

Detajet e takimit kanë ushqyer dyshimet se largimi i Maduro-s ishte një operacion i brendshëm, i planifikuar për të lënë në pushtet një presidente që mund të menaxhojë tranzicionin, pa e shpërbërë plotësisht shtetin dhe pa shkaktuar kaos apo trazira.

Siç thuhej në raportimet e tetorit për takimin, zonja Rodríguez ofronte “madurizëm pa Maduron”, një lloj “regjimi të lehtësuar”. Të shtunën, Donald Trumpi deklaroi se SHBA do ta “drejtonte” Venezuelën gjatë tranzicionit përmes qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Rodríguez, ndërkohë që po bëheshin përgatitje që kompanitë amerikane të naftës të hynin dhe të nisnin nxjerrjen.

“Ajo është në thelb e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën sërish të madhe,” u tha Trump gazetarëve për zonjën Rodríguez, e cila ishte sanksionuar nga SHBA gjatë mandatit të parë të Trumpit, për rolin e saj në minimin e demokracisë venezueliane.

Të dielën, Francisco Santos Calderón, ish-zëvendëspresident i Kolumbisë, sugjeroi se i gjithë operacioni për largimin e Maduros kishte qenë një punë nga brenda, me ndihmën e zonjës Rodríguez.

Santos tha se ishte “absolutisht i sigurt” se Rodríguez e kishte tradhtuar Maduron duke lejuar kapjen e tij nga SHBA pa shumë rezistencë. “Ndaj nuk e rrëzuan, por ia dorëzuan,” tha ai.

“Jam absolutisht i bindur se Delcy Rodríguez e dorëzoi. Të gjitha informacionet që kemi, kur i bashkon, të çojnë në përfundimin se ky ishte një operacion ku ai u dorëzua. Sigurisht që duhej përgatitur skena. Presidenti Trump thotë se Delcy do të jetë ajo që do të udhëheqë tranzicionin, pra Delcy do ta drejtojë tranzicionin. Ajo është shumë e qartë për rolin që do të luajë dhe do të përpiqet të fitojë pak pavarësi.”

Në të vërtetë, Rodríguez, një avokate 56-vjeçare me lidhje me industrinë e naftës, duket si një kandidate ideale për të bashkëpunuar me SHBA.

Ajo ka shërbyer si zëvendëspresidente e Maduros që nga viti 2018. Ajo hyri në qeveri menjëherë pas zgjedhjes së Hugo Chávezit në vitin 1999 dhe u ngjit gradualisht në hierarki.

Ka shërbyer si ministre e Jashtme, kryetare e Asamblesë Kushtetuese dhe, gjatë kohës si zëvendëspresidente, ka mbajtur edhe postet e ministres së Naftës dhe të Financave. Në rolin e saj të fundit, Rodríguez arriti të ruajë profilin e saj të majtë, duke u bërë njëkohësisht “fytyra e një liberalizimi relativ ekonomik”, sipas Geoff Ramsey, ekspert për Amerikën Latine në Atlantic Council.

Këto politika miqësore ndaj tregut ndihmuan nxjerrjen e Venezuelës nga kriza e thellë ekonomike që zgjati deri në vitin 2021, gjatë së cilës ekonomia u tkurr me tre të katërtat dhe pothuajse tetë milionë njerëz u detyruan të largoheshin nga vendi.

Ky sukses i siguroi asaj jo vetëm pëlqimin e Maduro-s, por edhe të një pjese të rëndësishme të biznesit vendas të lidhur me qeverinë, sipas Pedro Garmendias, analist venezuelian i riskut politik dhe gjeopolitikës. “Ata kanë filluar ta shohin si një figurë të parashikueshme dhe efektive,” tha ai, duke iu referuar sektorëve privatë që tashmë e shohin Rodríguezin si aleate.

Ajo mund të mbështetet edhe në historinë familjare si dëshmi revolucionare. Babai i saj dikur udhëhoqi një operacion për rrëmbimin e një biznesmeni amerikan, si pjesë e një grupi gueril komunist që e akuzonte atë si agjent të CIA-s.

Vëllai i saj Jorge është një tjetër figurë e rëndësishme e sistemit dhe aktualisht kryeson legjislaturën e vendit. Ajo dhe vëllai i saj, i cili ka qenë figurë qendrore në përpjekjet e fundit negociuese me SHBA-në, janë bërë “dyshja e fuqishme” e regjimit, sipas Garmendias.

“Të dy kanë mësuar të jetojnë dhe të mbijetojnë nën presionin dhe sanksionet amerikane,” tha ai. Megjithatë, edhe me këto kredenciale, Rodríguez përballet tani me detyrën e vështirë të mbajtjes së koalicionit dhe shmangies së perceptimit të brendshëm si “vegël e SHBA-së”, tha Ramsey, veçanërisht përballë rivalëve brenda kampit qeverisës që mund të shfrytëzojnë çdo dobësi. “Mbajtja e të gjithëve të bashkuar nuk do të jetë e lehtë. Deri tani ajo duket se po ia del,” tha ai, “por mund të supozojmë se brenda partisë qeverisëse situata nuk është aspak e qetë.”

Trump ndoshta nuk e ndihmoi situatën të shtunën, kur pretendoi se zonja Rodríguez kishte folur me Marco Rubion, sekretarin amerikan të Shtetit, dhe kishte ofruar të bënte “çfarëdo që SHBA të kishte nevojë”.

Përpjekjet e Rodríguez për të “menaxhuar perceptimin” brenda vendit dhe për t’u dukur sikur po i reziston presionit amerikan, mund të shpjegojnë deklaratat fillestare kontradiktore mes Trumpit dhe Rodríguezit, tha Ramsey.

Stil konfrontues

Rodríguez ka përqafuar një stil konfrontues në rolet e saj publike, pa patur frikë të sulmojë hapur kundërshtarët. Pas përjashtimit të Venezuelës nga blloku tregtar Mercosur në vitin 2016, ajo u përpoq gjithsesi të merrte pjesë në një nga mbledhjet e tij në Buenos Aires. “Mbylleni derën për ne dhe ne do të hyjmë nga dritarja,” u tha ajo gazetarëve, pasi arriti për pak çaste të kalonte sigurinë dhe të futej në godinë.

Gjatë konferencës për shtyp të së shtunës, Trumpi nuk e specifikoi se për sa kohë e parashikonte Rodríguezin në krye të vendit. “Askush nuk do të marrë pushtetin. Ata kanë një zëvendëspresidente, e zgjedhur nga zoti Maduro, e cila aktualisht është zëvendëspresidente dhe, mendoj, tani është presidente,” tha ai.

Në një intervistë të mëvonshme për New York Post, Trump tha se nuk do të dërgonte trupa në Venezuelë nëse Rodríguez bënte atë që ai dëshironte.

Ajo që Trump dëshiron realisht për Venezuelën mbetet e paqartë. Nëse Rodríguez do të pajtohet me dëshirat e tij, kjo mund të varet nga cila anë e identitetit të saj politik do të mbizotërojë: besnikja revolucionare apo ndërmjetësja pragmatike e pushtetit.

Marrja e pushtetit nga Rodríguez ishte një nga dy opsionet që iu paraqitën SHBA-së nga ndërmjetësit nga Katari, raportoi Miami Herald, duke cituar burime anonime; opsioni tjetër ishte Miguel Rodríguez Torres, një gjeneral në pension që aktualisht ndodhet në mërgim.

Mendohet se Rodríguez ka një “marrëdhënie të rëndësishme” me anëtarë të familjes mbretërore të Katarit dhe fsheh disa nga asetet e veta në atë vend, gjë që e bëri Dohën një zgjedhje të natyrshme si ndërmjetëse mes saj dhe SHBA-së.

Gjatë një takimi në kryeqytetin e Katarit, një anëtar i lartë i familjes mbretërore pranoi se po vepronin si urë lidhëse mes Karakasit dhe Uashingtonit në çështje që lidhen me “bashkëpunimin e inteligjencës dhe ekonomisë”, raportoi Miami Herald.

Propozimet për “madurizëm pa Maduron” iu paraqitën Shtëpisë së Bardhë nga Richard Grenell, një nga të dërguarit specialë të Trumpit, i cili u takua me Maduron në janar të vitit të kaluar.

Një plan fillestar, i paraqitur në prill, parashikonte që Maduro të largohej nga pushteti, të qëndronte në Venezuelë dhe t’u jepte kompanive amerikane akses në naftën venezueliane. Në këmbim, SHBA do të hiqte akuzat penale kundër presidentit venezuelian dhe Rodríguez do të merrte drejtimin.

Por ky propozim nuk u realizua, pasi Rubio argumentoi se SHBA nuk duhej të pranonte asgjë më pak se ndryshim regjimi. Një propozim i dytë, i paraqitur në shtator, sugjeronte që Rodríguez të drejtonte një qeveri tranzicioni, ndërsa Maduro të kërkonte azil në Katar ose Turqi.

Edhe ky propozim u refuzua nga SHBA, e cila besonte se strukturat kriminale të regjimit thjesht do të riformatoheshin nën një udhëheqje të re. “Karteli i lehtësuar nuk ishte një opsion i pranueshëm,” tha një burim. Raportimet për takime mes ekipit të Rodríguezit dhe amerikanëve u zbehën drejt fundit të vitit.

Ndërkohë, ndërmjetësit e siguruan administratën Trump se ajo do të promovonte investimet energjetike amerikane, duke e bërë atë një zgjedhje të lehtë për të drejtuar të paktën një qeveri tranzicioni. “E kam ndjekur karrierën e saj prej kohësh, ndaj kam një ide të qartë se kush është dhe çfarë përfaqëson,” i tha New York Times një zyrtar i lartë amerikan.

“Nuk po pretendoj se ajo është zgjidhja përfundimtare e problemeve të vendit, por padyshim është dikush me të cilën mendojmë se mund të bashkëpunojmë në një nivel shumë më profesional sesa kemi mundur me të,” shtoi zyrtari, duke iu referuar Maduros.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë thanë se marrëdhënia e tyre me qeverinë e përkohshme do të varet nga fakti nëse Rodríguez do të veprojë sipas rregullave të tyre dhe paralajmëruan se mund të ndërmarrin veprime të tjera ushtarake nëse ajo nuk respekton interesat amerikane.

Të shtunën në mbrëmje, Rodríguez u shfaq në televizionin shtetëror dhe mbajti një ton sfidues. “Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Presidentit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores,” tha ajo.

Trump duket se e ka lënë mënjanë María Corina Machadon, lideren e opozitës venezueliane që fitoi Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar. Trump tha se zonja Machado nuk kishte mbështetjen e nevojshme në vend për të marrë pushtetin pas Maduros, duke zhgënjyer mbështetësit e saj.

Raportimet sugjeruan se ekipi i saj nuk arriti ta bindte Uashingtonin se kishte kapacitetin për të marrë kontrollin e aparatit shtetëror, kryesisht për shkak se nuk kishte mbështetjen e ushtrisë venezueliane. / The Telegraph – bota.al

Back to top button