Bota

“Tani do të ndryshojnë të gjithë ekuilibrat në Lindjen e Mesme”

Screen Shot 2015-07-27 at 10.09.34

Një përmbysje e pozicioneve, “e destinuar që të ndikojë në mënyrë domethënëse mbi ekuilibrat ushtarakë dhe gjeopolitikë në Lindjen e Mesme”: Daniel Pipes, president i Forumit të Lindjes së Mesme, si dhe një prej ekspertëve më të mëdhenj të dinamikave në atë rajon, nuk prdor fare terma diplomatikë për të folur për lëvizjen e Erdoganit. Presidenti turk, në fakt, kishte refuzuar deri më tani që të bashkëpunonte me ofensivën ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik, duke shkaktuar irritim në Uashington dhe në kryeqytetet e tjerë, ndërkohë që tani ka dhënë lejën për forcat ajrore amerikane që të përdorin bazat e Incirlikut dhe Dijabarkirit për sulmet kundër ISIS, dhe ka urdhëruar forcat e tij të armatosoura që të godasin pozicionet e kalifatit. Cili do të jetë efekti që do të ketë gjithë kjo në luftën kundër Kalifatit, dhe veçanërisht në ofensivën irakene, të mbështetur nga Pentagoni, për të rimarrë kontrollin e qytetit të Ramadit?

Pipes, si e shpjegoni ndryshimin e drejtimit nga Erdogani?

Një ndikim të madh në vendimin e presidentit turk pati atentati në Surus, një qytet në kufi me Sirinë, ku 5 ditë më parë një kamikaz i lidhur me ISIS, vrau 32 persona. Deri tani, Ankaraja ka qenë në fakt një sponsor i Kalifatit: përmes Turqisë, ISIS priste armë dhe ilaçe, dhe njëkohësisht arrinte të eksportonte naftën. Erdogani kishte një avantazh të dyfishtë, sepse xhihadistët luftonin kundër dy prej armiqve të tij më të mëdhenj: nga njëra anë kurdët, nga ana tjetër qeveria e Assadit.

Cfarë ndryshoi pas bombës në Suruc?

Erdogani kuptoi risqet që lidhen me ekstremizmin e pakontrollueshëm të ISIS, në një situatë kur opinioni publik turk është gjithnjë e më i alarmuar nga miliona refugjatët, nga efektet ekonomike të luftës dhe nga perspektiva për atentate të tjerë. Prej këtu erdhi kthesa: e cila do të ketë shumë pasoja, duke nisur nga izolimi i mëtejshëm politik i Kalifatit. ISIS nuk ka më simpatizantë në Jordani, pasi dogji të gjallë pilotin e Ammanit, që më herët e kish zënë rob. Dhe është i rrethuar nga armiq: ndoshta nuk e kupton, aq e vërtetë është kjo, sa kishte kërcënuar madje se do të pushtonte Stambollin. Të gjithë këto janë shenja të shkatërrimit të tij të afërt.

Cilat do të jenë pasojat ushtarake të kësaj kthese?

Për Pentagonin do të jetë shumë e rëndësishme që të përdorë për qëllime ushtarake bazat në territorin turk: nuk i duhet më që gjuajtësit dhe dronët e tij të fluturojnë nga Gjiri, duke kursyer kështu kohë dhe karburant, dhe duke mundur të sulmojë dhe godasë në kohë më të shpejta. Të gjithë këto, ndërkohë që Iraku përgatitet të rimarrë Ramadin: një objektiv i rëndësishëm për të rivënë të gjithë provincën e Anbarit, me dy digat dhe burimet hidrike, nën kontrollin e Bagdadit.

Në atë zonë do të ndihen shumë shpejt edhe pasojat e marrëveshjes bërthamore me Teheranin.

Po, është një marrëveshje që e konsideroj katastrofike, edhe pse tani mendoj që nuk mund të bëhet më asgjë për të mos hyrë në fuqi. Një prej rezultateve do të jetë që Irani do të përfitojë një det me petrodollarë, me të cilët do të mundet të financojë Hezbollahun, ose të blejë raketa dhe tanke, apo të mbështesë miqtë e vet në zënë, duke nxitur kështu një garë armatimi në të gjithë Lindjen e Mesme.

Përtej kthesës së Erdoganit dhe marrëveshjes bërthamore, çfarë të rejash të tjera shihni në rajon?

Shfaqet gjithnjë e më shumë paaftësia e komponentëve të ndryshëm të islamizmit militant për të bërë front të përbashkët dhe bashkëpunuar. Frakturat shihen kudo, nga Egjipti në Turqi: ku më duket se Erdogani është gati t’i hyjë një rruge “alla Chavez”, duke ngushtuar të gjitha hapësirat e demokracisë, dhe reduktuar rolin e Parlamentit, për të ndërtuar një fuqi autokratike.

A e quani ende të mundur një të ardhme në paqe për Sirinë?

Po, por kam frikë se për Sirinë, e vetmja mundësi që ka mbetur është një ndarje më tresh: në qendër të vendit një shtet shiit; nga njëra anë dhe tjetra një shtet sunnit; dhe në veri dhe lindje një shtet kurd. Duhet të pranojmë që ndarjet e 1916-ës nuk kanë funksionuar, dhe që në Siri dhe në Irak, është më mirë të rikthehemi tek njësitë më homogjene.

La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button