Udhetim & Turizem

Të gjitha arsyet pse mund të biesh shumë lehtë në dashuri me Parisin

Që nga bukuria e arkitekturës së tij, ushqimi i shijshëm, e deri tek mundësitë e shumta për të eksploruar mbi artin, kulturën dhe historinë, arsyet se pse mund të biesh në dashuri me Parisin janë të shumta.

Në zemrën e qytetit kalon lumi Seine, i njohur në shekuj për shkak të historisë se migrimit të romakëve përmes tij. Kjo nuk e bën lumin të mërzitshëm në ditët e sotme, pasi përgjatë tij mund të shohësh në rrugë tabela shkrimi, shkumësa dhe tabela lojërash për argëtimin e secilit.

Parisi ka 37 ura unike përgjatë gjithë gjatësisë së lumit Seine. Ato janë unike për shkak të arkitekturës së tyre dhe nuk ka urë të ngjashme me tjetrën. Kjo për shkak të ndërtimit të tyre në periudha të ndryshme historike, ku pikëpamjet e bukurisë në arkitekturë ishin të ndryshme. Pra, edhe urat mbeten një dëshmi e pasur e historisë së Parisit.

Parisi, edhe pse është një metropol, mund të shëtitet shumë lehtë, pa humbur në rrugët e tij. Nga ana tjetër, në çdo rrugë të tij mund të shohësh farmaci dhe furrë buke me arkitekturë tepër të veçantë. Asnjëri nuk krahasohet me dyqanet tipike që mund të shohësh në vendet e tjera.

Mbi të gjitha, në Paris nuk sheh persona të veshur keq. Atje çdo javë mund të jetë një javë fashioni, pasi kryeqyteti i Francës shquhet përsa i përket stilit dhe fashionit. Në trupat e francezëve mund të shohësh veshje Louis Vuitton, Chanel, Gucci, Jimmy Choo etj, si dhe të ndjesh aromën e parfumeve origjinalë kur të të kalojnë pranë. Nëse ka diçka që francezët e vlerësojnë shumë, është mbajtja e vetes. Jo më kot, ata njihen përsa i përket finesës dhe stilit me të cilin e mbajnë veten.

Në Paris as që diskutohet që ke mundësi të jashtëzakonshme për të eksploruar aspekte të ndryshme të artit dhe historisë. The Musee d’Orsay, The Louvre, I’Orangerie janë ndër muzetë më të famshëm dhe që ndodhen pranë qendrës së qytetit. Nuk duhet menduar se në muze shihet vetëm Mona Liza siç edhe mund të dëgjohen shpesh fjalë, pasi në to ka dëshmi të çdo periudhe historike në të cilën ka kaluar kryeqyteti i Francës, si dhe vetë Franca.

Në Paris mund të ecësh nëpër rrugë dhe të dëgjosh koncerte muzikore live që të kënaqin. Mund të dëgjosh muzikën karakteristike të këmbanave të kishës, që në mendjen e çdo turisti sjell zhurmat e përshkruara nga Viktor Hygo të “Katedrales së Parisit”.

Por ajo që të kënaq në kryeqytetin e Francës është fakti se të tërë i sheh të ulur nëpër kafene, të bisedojnë qetë, pa zhurmë dhe në gjuhë të ndryshme. Ulur në lokalet përreth kullës Eiffel, një nga mrekullitë botërore, të dëgjosh persona të tillë kaq të kulturuar, të qetëson, të bën ta duash më shumë atë qytet. Jo më kot mbetet tepër i preferuar, edhe në ditët e sotme. / f.xh. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button