Histori

Të gjithë ishin vërtetë bashkë në luftë?

Screen Shot 2015-06-11 at 5.30.56 PM

Nga Seria: Ide te gabuara per Luften e Dyte Boterore

Gabim, thotë Juliet Gardiner. Kur shohim frontin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, zakonisht kemi perceptimin që eksperiencat e përbashkëta dhe domosdoshmëria e shfaqjes në një front të bashkuar kundër Hitlerit kapërcenin dallimet klasorë, dhe që lufta ishte, në fakt, një barazues i madh.

Ndërkohë që nuk dua të lë të kuptohet se Britania ishte e ndarë keqas gjatë Luftës së Dytë, tensionet vazhduan dhe ndarjet klasore nuk u zhdukën siç na bëri të besojmë propaganda.

Pasuria ishte sërish e pabarabartë; mbetej trashëgimia e papunësisë së lartë të viteve të paraluftës, dhe marrëdhëniet industriale në industritë kyçe ishin tmerruese. Një prej historive më popullore ishte që londinezët, të pasur dhe të varfër, mblidheshin bashkë në stacionet e metrosë së qytetit, me dallimet klasorë tashmë të harruar nën rrezikun e bombardimeve nga ajri. Nuk është e vërtetë. Vetëm afro 70 mijë vetë u strehuan në rrjetin e metrosë së Londrës gjatë Blitz-it, dhe këta ishin kryesisht njerëz të klasës punëtore që nuk kishin të njëjtat kushte për strehim si ata më të pasurit.

Vendet e montimit të anijeve ishin një shënjestër e zakonshme ashtu si edhe fabrikat, që shpesh herë ishin të rrethuara nga banesa për punëtorët, dhe këta pësuan dëme të mëdhenj anësorë gjatë sulmeve nga ajri. Zona lindore e Londrës ishte vazhdimisht nën sulm, ashtu si Merseyside, Glasgou, Hull, Belfast, Bristol, Plymouth dhe vende të tjerë. Natyrisht, u bombarduan dhe zona ku jetonin të pasurit, por po të kishe para dhe të ardhura, kishe më shumë shanse t’i dërgoje fëmijët larg në vende të sigurtë, për të qëndruar me miq apo të afërm në fshat apo jashtë vendit. Krimi gjithashtu pati rritje gjatë luftës dhe është e drejtë të thuhet se ndërkohë që disa gardianë vullnetarë si dhe shërbimet e mbrojtjes civile treguan një kurajë të jashtëzakonshme, gjithësesi jo të gjith u paraqitën kur kish sulm ajror; shtëpitë e bombarduara shpesh herë plaçkiteshin ndërkohë që hiletë me racionet e ushqimit ishin shumë të përhapura.

Nuk po them që kishte një frymë revolucionare tek klasa punëtore në Britani. Ishte më shumë një frymë shfryrjeje – një ndjesi që jo të gjithë po angazhoheshin njësoj në atë kohë. Mbizotëronin sidomos grevat në industritë minerare dhe nxjerrëse dhe për shumëkënd mbizotëronte ndjesia që Britania ishte një shoqëri e pabarabartë.

Megjithatë, qeveria britanike ishte e vetëdijshme se lufta mund të humbej në frontin e brendshëm po aq sa edhe në fushëbetejë dhe se morali do të ishte një komponent shumë i rëndësishëm i fitores. Narrativa duhej të ishte që gjithkush duhej të ishte i bashkuar në këto përpjekje, sakrifica dhe vuajtje: që Britania ishte një komb i bashkuar në përpjekjet e saj për të mposhtur Gjermaninë – që, sigurisht, ia doli ta bëjë.

Juliet Gardiner është autore e “Lufta: Britania 1939-1945” dhe “Blitz: Britania e sulmuar”. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button