Analiza

Të gjithë jemi të barabartë. Por disa, janë gjithmonë më të barabartë se të tjerët…

download

Tashmë javë më parë, zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar rikonfirmuan konservatorët në pushtet. Për hërë të parë britanikët i druheshin një parlamenti ‘’të varur’’ por kështu nuk ndodhi, konservatoret u rikthyen më të fortë se më parë, të aftë të qeverisin me shumicën e duhur dhe nga ana tjetër, Partia Kombëtare skoceze për të parën herë mblodhi mbi pesëdhjetë vende. Ndjesia e përgjithshme, menjëherë pas zgjedhjeve ishte pozitive, tregjet financiare dhe ato të pasurive të paluajtshme, si edhe stërlina, u fuqizuan si pasojë.

Por, sido që të kishte shkuar përfundimi i zgjedhjeve, klasa drejtuese e radhës, zor se do të kishte qënë ndryshe nga kategoria që së fundmi duket se nuk bën përjashtime për sa i përket kushteve për t’u bërë pjesë e saj. I bardhë, heteroseksual dhe Oxbrigde. Kështu të paktën sipas Simon Kuper, kolonist i Financial Times.

‘’Ne meshkujt e bardhë OxBrigde (emërtim i përdorur për të treguar edukimin në një nga kolegjet e Oxford-it apo Cambridge-it) që sundojmë në Britani, jemi mësuar me demostrime periodike pakënaqësie, nga nga ata që qëndrojnë më poshtë, – shkruante Kuper rreth dy muaj më parë’’.

Edhe sipas Komisionit për Lëvizshmërinë Sociale dhe Varfërinë e të Miturve, 59 % e kabinetit Britanik, tre të katërtat e gjyqtarëve të shkallës më të lartë, (mos të harrojmë kolegët shqiptarë me formim gjashtëmujor), gjysma e diplomatëve etj, studiuan në Oxbridge. Çdo CEO tipik ka frekuentuar Oxbridge apo Harvard gjithashtu, raporton shoqëria Qlik, që merret me përpunim të dhënash lidhur me Biznesin.

‘’Kasta në të cilën bëj pjesë, – thotë Kuper, prodhon opinionet që pjesa më e madhe e popullit britanik pritet të gëlltisë. Por argumenti mbi të cilin rrallë diskutojmë ndershmërisht është fakti që ne qeverisim. Më lini tjua shpjegoj nga këtu lart. Nuk na është dashur të punojnë shumë për të arritur këtu ku jemi. Për fat të mirë sistemi politik britanik nuk kërkon të punosh derrçe, me përjashtim të disa muajve afër sezonit të provimeve. Diletanti gentleman është akoma i nderuar (shih David Cameron)’’.

Duke sjellë shembullin e tij personal:

Fillimi im në gazetari nuk ishte ndonjë kush e di çfarë për t’u përmendur. Por që atëherë nuk mu desh fort ta tregoja veten: Unë isha tashmë një mashkull i bardhë Oxbridge. Në moshën 28 vjec, unë u bëra kolumnist në një gazetë tjetër. Thuajse në të njëjtën kohë, një mik me ngjyrë nisi punën diku tjetër. Redaktori i tij nuk kishte fort besim tek ai, dhe shoku im kurrë nuk e bëri karrierën që donte. Ndoshta punën e tij e kam unë tani.

.Ideologjia jonë themelore është: Beso në sistem. Në fund të fundit, sistemi është i drejtuar nga tipa si unë. Unë jam diplomuar dy minuta më këmbë larg nga kolegji ku ka studiuar Cameron-i, dhe pesë minuta nga vendi ku ka studiuar ish-lideri i opozitës Ed Miliband. Nuk do të identifikohesha me askënd në këtë sistem, për shkak të disa ndarjeve brenda kastës, që janë të padukshme për të huajt, por inati popullor ndaj politikanëve më habit pa masë.

Ashtu si sundimtarët komunistë të vitit 1989, ne meshkujt e bardhë Oxbridge, nuk mund ta mbrojmë dominimin tonë me argumente. Pjesa më e madhe e jona e di mirë se nuk kemi arritur këtu përmes shkëlqimit individual.

… Kasta jonë është gjithmonë në ndryshim të vazhduezhëm, po vetëm aq pak sa për t’u siguruar që gjithçka qëndron si më parë …. Duke pasur parasysh podiumin tonë, shumë prej nesh ndjejnë një përgjegjësi në vetë fuqinë tonë. Por është e vështirë ta ndjesh këtë nga brenda. Unë besoj që të tjerë njerëz duhet të sundojnë. Megjithatë, unë do të doja ta mbaja vendin tim. Ne nuk do ta bëjmë vetë revolucionin – ose siç thonë britanikët, gjelat e detit nuk e votojnë Krishtlindjen’’.

Dikush thotë se ndoshta gjërat po ndryshojnë, por për Kuper, duhet pritur edhe më. E nëqoftëse shkrimi i tij nuk shkon përtej audiences tipike të Financial Times, një tjetër i pakënaqur në gjendje ta artikulojë përmes tonesh disi me akuzuese shqetësimin e më të shumtëve, Tony Parson e shkruan në revistën panevropiane, ndoshta jo kryesisht social-kulturore, që përgjithësisht synon të vendosë tendenca, stile etj, GQ.

‘’E pse duhet që kokëtula metropolitanë si unë dhe ti, t’i heqim sytë nga Ipad Air-ivalerie apo dopio macchiato që kemi përpara, kur elita e privilegjuar parashpërfillëse qesh me fshatarët me tatuazhe?

Ja pse duhet të shqetësoheni. Ja pse duhet ta vrisni mendjen. Sepse këta njerëz të shkolluar privatisht, elita e të diplomuarve kryesisht në Oksford në Politikë, Filozofi dhe Ekonomi, (një diplomë multidisiplinare e menduar për ata që dëshirojnë të thurin lidhje mdër fenomene politike ekomomike dhe sociale, sipas atyre që reklamojnë Univesitetin e Oxfordit ….rrugë që garanton se do të bëhesh dikush, do të shtonim) që sundon këtë vend – ky repart politikanësh që dikur ishin avokatë, politikanë që gjithmonë kanë qenë politikanë dhe figura mediatike që dikur ishin politikanë – jo vetëm që nuk para e pëlqejnë popullin britanik, por e pëçmojnë atë.

Ata mendojnë se dhe ti, je një plebe po ashtu, – referohet Parson lexuesit të rregullt të revistës GQ.

Po përjetojmë faqen e fundit të librit Ferma e Kafshëve. ’Krijesat aty jashtë po e shihnin njëri-tjetrin, si derri njeriun e si njeriu derrin, e si derri njeriun dhe njëherë: por prapë, ishte e vështirë të dalloje se cilët ishin çfarë”.

Padronët e rinj janë një klub i mbyllur përkatësie. Ata pak fatlumë – të përforcuar nga arsimimi, të mbrojtur nga profesioni, të mbështetur nga lidhjet – shpesh portretizohen si një klasë llafazane, elitë metroplitane, në të cilën thuajse kushdo me një çantë burrash e një gazetë Guardian nën sqetull, mund të bëjë pjesë. Por realiteti është pafundësisht shumë më përjashtues’’.

Të diplomuarit në Oxford, në Filozofi-Politikë-Ekonomi (PPE), përbëjnë pjesën më të madhe të brezit të përbuzur të politikanëve që prej hyrjes në fuqi të Great Reform Act (Ligji i vitit 1832 ‘’Për Përfaqësimin e Popullit’’, që solli ndryshime në sistemin elektoral anglez e uellsian, e kishte për qëllim të korrigjonte abuzimet që prej kohesh ishin vënë re në përzgjedhjen e anëtarëve të Parlamentit), shkruan Nick Cohen në revistën Spectator.

Vazhdon më tej Parsons: ‘’Ka më shumë të diplomuar PPE në dhomën e ulët sesa Eton-ianë të vjetër, (anëtarë të një klubi ku bëjnë pjesë ata që kan studiuar në Eton College, një institucion që ‘’prodhonte’’ të destinuarit për të furnizuar klasën drejtuese) shkruan Cohen, duke ofruar një listë që përfshin David Cameron, Ed Miliband, William Hague, Theresa May, Ed Balls, Yvette Cooper, Danny Alexander e shumë të tjerë. Këta padronë të rinj janë lindur per të qeverisur por nuk dinë asgjë për jetën, biznesin apo punën.

Dëgjoni një fjalim të ED Miliband mbi sistemin shëndetësor kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), apo Cameron mbi ndihmat e huaja, apo Nick Clegg mbi çdo argument. Ata vetë, duket se as nuk e kuptojnë, që paratë duhen bërë, para se të mund të shpenzohen.

Padronët e rinj kanë lindur për të udhëhequr ata nuk kanë absolutisht asnjë përvojë jete, biznesi apo pune Dëgjoni një fjalim të ED Miliband mbi sistemin shëndetsor kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), apo Cameron mbi ndihmat e huaja, apo Nick Clegg mbi çdo argument.

Padronët nuk kanë dashuri të vërtetë për vendin e apo flamurin e tyre dhe konsiderojnë të neveritshëm e racist, çdo instinkt të njëriut të zakonshëm – që nga krenaria e të valëviturit të flamurit deri tek intuita e tyre se imigracioni i pafundmë ka shkuar ndoshta më larg se ç’duhet. Ata jo vetëm që janë ‘mendjemëdhenj’ ‘snobë’ apo përqeshës’ – nuk kanë absolutisht asnjë përvojë me popullin e këtij vendi, dhe nuk tregojnë shenja të ndonjë ndjeshmërie apo të kuptuari, e lëre më, dashurie, afeksioni apo respekti. Edhe nëse shumë prej tyre kanë ato diplomat Oxford PPE prej b…. të bukur, pak e kanë idenë se si krijohet mirëqënia e vendit, si ecën ekonomia, apo nga vjen paraja. Sipërmarrjet e vogla dhe furgonët e bardhë të shërbimeve, – thotë Parsons, – e bëjnë Prodhimin e Brendshëm Bruto të xhirojë.

Këtu qëndron edhe trishtimi më i madh. Të kuptuarit se jetojmë në të vetmin vënd në planet, ku të valëviturit e flamurit kombëtar është simbol përbuzjeje. Duke na kujtuar George Orwell, ‘’Është e çuditshme, por s’e luan topi, që çdo anglez intelektual do të turpërohej më shumë po të qëndronte në këmbë gjatë luajtjes së himnit, sesa po të vidhte nga kutia e lëmoshës për të mjerët’.’

Padronët e urrejnë patriotizmin instinktiv e të pakushtëzuar të njeriut të zakonshëm. Një shkëputje e madhe po ndihet në politikën britanike – mosbesimi, urrejtja dhe neveria që njerëzit supozohet të ndjejnë për padronët.

Ajo c’ka vetëm së fundmi kemi filluar të vlerësojmë është se ndjenja është krejt reciproke’’.

Na lënë me shumë pyetje, lidhur me përfaqësimin në qeverisje, që shkojnë përtej realiteteve tipike të secilit shtet, por sot, këtu e menjëherë, këto janë disa pyetje:

Po klasa drejtuese në Shqipëri ku ka studiuar kryesisht? A kanë studiuar ata vetë, të gjithë? Sa këshillohen ata me ata që kanë studiuar? A kanë ndonjëfarë ndjeshmërie a lidhje funksionale me kategorinë e atyre që kanë studiuar (pavarësisht nëse këta të fundit kanë bërë agresivisht fushatë apo jo)? A është dikush tjetër aty jashtë që shqetësohet për këtë? Ndonjë Kuper apo Parson?

A.Q./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button