Analiza

Të gjithë paragjykimet e shtypit amerikan. Tre gazetarë rusë nxjerrin zbuluar stereotipet për Rusinë

K. Beniomov, P. Borisov dhe A. Gorbaçev

Siç e ka pranuar ambasadori amerikan në RUsi, Majkëll Mekfoll, në SHBA është gjithnjë e më e vështirë të gjesh ekspertë të besueshëm për çështjet e RUsisë: universitetet kanë pushuar së formuari specialistë për vendet e tjera dhe shpesh herë, askush nuk verifikon kompetencën e atyre që paraqiten si ekspertë. Vështirësitë që duhet të hasin gazetarët e huaj, kur përpiqen të kenë qasje në burime pranë Kremlinit, vetëm sa e ndërlikojnë situatën për mjetet amerikane të informimit. Edhe gazetarët rusë më të besueshëm, shpesh herë arrijnë të intervistojnë funksionarë publikë dhe persona të informuar, vetëm duke u garantuar anonimatin. Rezultati është që, shumë botime amerikane u besojnë personave, të cilët janë larguar nga Rusia prej kohësh.
Në artikullin e fundit të revistës “Nju Jorker”, mbi luftën e re të ftohtë, lexuesit nxjerrin disa lajme mbi politikën e jashtme të Moskës, nga ish ministri i jashtëm i Rusisë, Andrej Kozyrev, i cili megjithatë, nuk është më në politikë qysh prej fundit të viteve nëntëdhjetë dhe jeton në SHBA, që nga viti 2012. E njëjta gjë vlen për një tjetër burim të përmendur në artikull, ish funksionari i KGB-së, Oleg Kalugin, i cili është transferuar në SHBA, që nga mesi i viteve nëntëdhjetë. Rezultati është që, artikujt që kanë të bëjnë me Rusinë në shtypn amerikan, janë shpesh herë të privuar nga pikëpamjet autentike ruse.
Në 14 shkurt, Nju Jork Tajms botoi një artikull, ku pohonte se Moska ka testuar një raketë të re balistike. Artikulli, megjithatë, bazohej vetëm në informacione të siguruara nga shërbimet e fshehta amerikane. Nga artikulli nuk rezulton që gazeta të ketë kontaktuar me funksionarët rusë për koment, një praktikë gazetareske standarte në këto raste.
Tradicionalisht, gazetarët amerikanë nuk u besojnë verbërisht agjencive të tyre të zbulimit, apo qeverisë. Amerikanët nuk e kanë harruar se sa kollaj, në vitin 2003, shërbimet e fshehta gënjyen mbi armët e shkatërrimit në masë në Irak dhe, më së fundi, se si kreu i agjencisë për sigurinë kombëtare (NSA), mohoi veprimtarinë e spiunazhit ndaj miliona amerikanëve. Skepticizmi i shëndetshëm i gazetarëve, megjithatë, është më i paktë kur mbulojnë Rusinë. Disa gazeta me autoritet kanë shkruajtur se autoritetet ruse ishin padyshim përgjegjëse, për sulmet informatike kundër Partisë Demokratike. Por agjencitë amerikane të spiunazhit nuk kanë ofruar prova konkrete. E megjithatë, shtypi duket se pranon çdo rrjedhje lajmesh që shpien në akuza ndaj rusëve. Nuk ka treguar maturinë e nevojshme, as edhe ndaj raportit të shërbimit të fshehtë mbi tentativat ruse për të ndikuar zgjedhjet amerikane. Dokumenti, megjithatë, nuk përmban informacione të reja apo prova konkrete për përfshirje direkte të Vladimir Putinit: në pjesën më të madhe, kanë të bëjnë me veprimtarinë e kanalit televiziv, “RT”.
Aludime dhe të vërteta të shtrembëruara
Një tjetër shembull i këtij sensacionalizmi është një artikull mbi propagandën ruse dhe përhapjen e lajmeve të rreme në SHBA, i cili u botua në 24 nëntor në Uashington Post. Artikulli bazohej pjesërisht në punën e një grupi analistësh i quajtur “PropOrNot”, i cili e ka klasifikuar si “propagandë ruse”, praktikisht çdo kritikë ndaj Barak Obamës, NATO-s apo Bashkimit Europian. Cektësia e artikullit u kritikua shumë nga gazetat amerikane, dhe në fund, Uashington Post shtoi në versionin e saj në internet, sqarimin mbi burimet e përdorura. Nga ana tjetër, është pikërisht kjo forca e gazetarisë amerikane: ekzistojnë kaq shumë gazeta të ndryshme, saqë kontrolli i kryqëzuar mbi atë që publikohet, është konstant. Faqja e internetit “The INtercept” dhe drejtori i saj, Glenn Grinuolld, gazetari tek i cili shkoi Eduard Snoudeni për të shprndarë dokumentat e tij mbi NSA-në, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë demonizimit të Rusisë, në shtypin amerikan.
Gabime faktike gjenden edhe në dosjen famëkeqe anonime, mbi marrëdhëniet e DOnald Trumpit me Rusinë, përhapur nga Buzzfeed. Kur faqja e publikoi, dokumenti ishte tashmë në duart e disa gazetave, të cilat, duke mos mundur të verifikonin informacionet që përmbante, vendosën të mos e botojnë. Redaksia e Buzzfeed ka pohuar se lexuesit kishin të drejtë të shihnin dosjen, mbi të gjitha sepse po qarkullonte tashmë mes funksionarëve të shërbimeve të fshehta, dhe pastaj sepse ishte cituar në disa raporte që i ishin dorëzuar Obamës dhe vetë Trumpit, për një ndërhyrje të mundshme ruse në politikën amerikane.
Pjesa më e madhe e gazetarëve nuk e ka aprovuar vendimin e Buzzfeed. Megjithatë, botimi i dosjes ka nxitur përhapjen e aludimeve negative dhe lajmeve të shtrembëruara mbi Rusinë, në të gjithë shtypin amerikan. Në një intervistë me Donald Trumpin, për shembull, drejtuesi televiziv Bill Oreillli e quajtu Putinin “një vrasës”, pavarësisht faktit që nuk ekzistojnë prova të përfshirjes së drejtpërdrejtë të presidentit rus, në vrasjen e kundërshtarëve politikë. Uashington Post ka shkruajtur se disa hacker-a rusë kishin sulmuar një central elektrik në Vermont. “Politico” ka botuar një intervistë me një ish funksionar të CIA-s, sipas të cilit Trumpi mund të jetë i paguar nga Putini. Faqja e internetit Vox e ka konsideruar absurd këtë pohim, por më pas ka botuar një koment ku thuhet se Putini ka përdorur shtypin amerikan për të arritur objektivin e tij: fitoren e Trumpit në zgjedhjet presidenciale.
Pohime të diskutueshme si këto mund të shërbejnë për transformimin e disa fakteve – si për shembull ndërhyrjen e mundshme të RUsisë në politikën amerikane – në mite të pranuara gjerësisht. Në dhjetor 2016, në një sondazh të kompanisë YouGov, u zbulua se gjysma e atyre që kishin votuar për Hilari Klintonin ishin të bindur që Rusia kishte ndërhyrë në një farë mënyre, tek makinat për numërimin e votave elektronike, për të garantuar fitoren e Trumpit, një hipotezë kjo e përgënjeshtruar nga Obama dhe nga vetë Klintoni. / Revista “Meduza”, (Letoni) / Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button