Your Life

Të jesh dhe të dukesh. Kurrë s’ka qenë kaq e thjeshtë

dukja
Sa rëndësi ka dukja, dhe sa rëndësi ka thelbi?

Të gjithë individët, nga pikëvështrimi i natyrës së tyre sociale, “janë” po aq sa edhe “duken”. Hyjmë në marrëdhënie me të tjerët përmes trupit tonë dhe askush nuk mund të ketë akses në shpirtin dhe brendësinë e tjetrit, përveç se duke kaluar nëpër atë që percepton me shqisa. Pra, në dimensionin social, dukja ka shumë peshë. Ky konstatim nuk duhet të na shqetësojë: është një tipar i gjendjes njerëzore, dhe si i tillë duhet kuptuar.

Nevoja për t’u dukur është e natyrshme, apo frut i një zhvillimi kulturor?
Të dyja bashkë. Cdo njeri prodhon një imazh të vetvetes, një lloj vetëprezantimi. Kur e bën, mund të adoptojë si teknika fshehjeje, ashtu edhe teknika eksibicionizmi. Eshtë një mekanizëm fiziologjik, i natyrshëm. Pastaj ka kontekste të caktuar kulturorë ku nevoja për t’u dukur bëhet faktor dominues. Kështu ka qenë në disa epoka të të kaluarës dhe kështu është edhe sot. Për shembull, në Greqinë e lashtë bukuria e dukjes ishte pjesë përbërëse e natyrës së heronjve dhe elitave. Dhe epoka kur jetojmë quhet “shoqëria e spektaklit”. Sigurisht, ka edhe kontekste ku pesha e imazhit është e ridimensionuar.

A ekziston një periudhë në jetën tonë, një situatë ku jemi vërtetë vetvetja?
Sipas një miti të caktuar romantik ka kontekste të caktuar ku jemi më pranë natyrës, origjinës, dhe në marrëdhënie intimiteti më të madh me të tjerët, në të cilët mund të jemi më origjinalë. Jean-Jacques Rousseau mendonte se uni “i vërtetë” mund të jetë i rigjetshëm vetëm larg ndërmjetësimeve socialë të qyteteve të mëdhenj, duke u zhytur tek natyra. Në realitet, origjinaliteti është jë formë marrëdhënieje me vetveten që nuk ka të bëjë aq shumë me vendin apo situatën ku ndodhemi, por me mënyrën si lidhemi me vetveten, me nevojat tona dhe me aspiratat tona më të thella. Mund të jemi jo-origjinalë në një ishull të shkretë, ashtu sikurse mund të ndihemi vetvetja në një sallë universiteti të mbushur me studentë.

Të gjithë e kërkojmë miratimin gjetkë?
Eshtë shumë e vështirë, dhe ndoshta e pamundur, të jetosh një jetë të plotë dhe të lumtur pa pranimin, domethënë pa asnjë konfirmim apo “vërtetim” afektiv, vlerësim dhe respekt nga ana e qenieve të tjera njerëzore.

Rrjetet socialë duket se kanë revolucionarizuar skemat për qenien dhe dukjen…
Më duket se rrjetet socialë më shumë se kanë revolucionarizuar, kanë fuqizuar shumë dinamikat që ekzistonin tashmë. Për shembull, nëse e interpretojmë Facebookun me kategoritë e sociologut Erving Goffman, i cili krahasonte jetën sociale me një teatër të ndarë mes një skene (ku vendoset një maskë dhe recitohet) dhe kuintave (ku përgatitesh dhe trukohesh), mund të shohësh se si rrjeti social rimerr këtë mekanizëm. Dallimi thelbësor është që ndërveprimi ballë për ballë, ai ku takohesh fizikisht me të tjerët dhe rrezikohet e papritura (si për shembull humbja… e maskës!) po reduktohet. Ndërkohë rriten mundësitë për të manipuluar fasadën duke qëndruar “prapa kuintave” të ekranit. Mundet që përdorimi i përditshëm i këtyre pajisjeve, me kalimin e kohës, do të ndryshojë disa ekuilibra. Të gjithë risitë e mëdha mediatike kanë patur pasoja në marrëdhëniet njerëzore.

Sa të vërtetë ka një “selfie”?
As më shumë e as më pak se në cdo fotografi tjetër ku merr pozë, duke përfshirë edhe format e tjera përfaqësuese, si për shembull autobiografitë. /Barbara Carnevali, Filozofe/Focus
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button