Bota

Të jesh Wolfgang Schäuble

Portret i superministrit gjerman që i ka imponuar të gjithë Bashkimit Europian ligjin e tij të rregullit financiar. Nëqoftëse nuk kuptohet ai, nuk kuptohet Gjermania

Screen Shot 2015-07-26 at 15.34.50

Të premten e kaluar Bundestagu ka miratuar shpëtimin e tretë të Greqisë. Ka votuar pro edhe Wolfgang Schäuble, superministri i Financave, duke saktësuar se me Tsipras gjithsesi bëhet fjalë për të bërë «tentativën e fundit». Ajatollah i rreptësisë financiare, lider maximo i fajkojve, gardian i ortodoksisë së bilancit, kryesues grupi i rregullit, për disa thjesht një nazist, në traktativat me Athinën ka marrë mbi vete rolin e të keqit qysh nga fillimi. “Corriere della Sera”: «Nëqoftëse nuk kuptohet Schäuble, nuk kuptohet Gjermania e sotme».

Schäuble tregohet nga shumë si fytyra cinike dhe e pamëshirshme e Berlinit. Nuk ka gjë më të pasaktë. Në vitin 2010 “Financial Times” e kish kurorëzuar si ministrin ekonomik më të mirë europian dhe i njihte sidomos aftësinë për t’ju kundërvënë cilitdo, brenda vendit të vet, nëqoftëse do të donte të ndante Bashkimin Europian dhe t’i copëtonte kufijtë. Shkruan Danilo Taino për “Corriere della Sera”: «Schäuble është një prej politikanëve gjermanë më të gatshëm për të dëgjuar idetë e të tjerëve, për të imagjinuar një Europë që parashikon një humbje të sovranitetit fjerman. Dhe kjo në Gjermani nënkupton përgjithësisht mendim të fortë, për t’u mbrojtur me bindje. Ndonjëherë edhe me arrogancë».

Sepse për Schäuble shpëtimi i euros është ekuivalent me shpëtimin e Europës nga populizmat në ngjitje që, djathtas apo majtas, duan ta shkatërrojnë atë. Ja se pse, po të dëgjosh atë, politika e tij nuk ka të bëjë aspak «me një predominim të supozuar të markës gjermane». Shkruan “Espresso”: «Në traktativën me qeverinë Tsipras nuk i ka besuar kurrë bashkëbiseduesit, që vinte në mbledhje pa propozime të shkruara ose luante me riskun. Nuk duronte Varoufakis, një koleg flamboyant dhe karakterialisht i kundërt me të. Ka nxjerrë historinë e Grexit për 5 vjet. Pastaj ka propozuar që pasuria greke për t’u privatizuar të kishte seli në Luksemburg, por i është thënë që “jo”: do të mbesë në Greqi. Domethënë ka luajtur të gjitha kartat për të siguruar maksimumin. Në fund ka siguruar atë që donte».

Midis gjermanëve është politikani më popullor (kalohet Angela Merkel). Të mirëqena vlerësimet që vijnë për të nga Bundesbanku, nga krahu i djathtë i partisë së tij (CDU) dhe nga aleatët bavarezë të CSU-së, tradicionalisht të djathtë. Më befasues konsensusi midis socialdemokratëve, të pranishëm në koalicionin e madh qeverisës, dhe në mënyrë të veçantë rezonanca e ideve me Sigmar Gabriel, Zëvendëskancelar dhe udhëheqës i SPD-së. Përtej kufirit merr shtrëngime duarsh të ngrohta nga tutorë të tjerë të rregullit në vendet e Europës Veriore, hollandezë, finlandezë në radhë të parë, por edhe nga eksponentë të të ardhurve të fundit në Bashkimin Europian, balltikas apo sllovakë. Po nga ana tjetër e barrikadës kush është? Grekët, në radhë të parë. E majta radikale europiane. E djathta ekstreme alla Le Pen, Salvini, Wilders, idhtarë të no-euros. Beppe Grillo. Por sidomos vendet me një borxh publik të lartë, të ekspozuar ndaj inkursioneve, diktateve, kartelave të kuqe të mundshme të rij të afta që të reflektojnë mbi tregjet dhe, për pasojë, mbi titujt shtetërorë.

Para së gjithash, duhet thënë se Gjermania siç e njohim sot është edhe një ndërtim i tij. Qysh nga viti 1972 është në mënyrë të pandërprerë deputet i Bundestagut. Janë plot 43 vjet. Në ato kohëra qeveriste në Bonn Kancelari Willy Brandt. Schäuble ka asistuar në lindjen e të Gjelbërve, në rënien e Helmut Schmidt, në rënien e bllokut lindor. Ka qenë dëshmitar i dështimit të kandidatit për kancelarinë Franz Josef Strauss. Në korrikun e vitit 1990, nxënës i Helmut Kohl, përgatit si avokat i mirë Kontratën e Bashkimit midis Republikës Federale dhe ish Republikës Demokratike Gjermane dhe në qershor të 1991 bind eputetët gjermanë që ta transferojnë kryeqytetin nga Bonn në Berlin. Ka parë të vijë e të iki Gerhard Schröder, i ka mbijetuar politikisht Joschka Fischer, Otto Schily, Roland Koch dhe Helmut Kohl, ka ndihmuar Angela Merkel në ngjitjen e saj. Shkruan Stefan Willeke: «Ka mbetur gjithmonë numri dy, por me sa duket nuk e vret mendjen më. E di shumë mirë se nuk mund të bëhet Kancelar dhe kjo i jep një pavarësi të brendshme që mund t’ia perceptojë kushdo që e njeh». Sërish Willeke: «Ka duruar humbje politike, poshtërime, fyerje dhe gjithmonë nuk është lëkundur. Gjithçka që lejon është bindja e palëkundur se ka gjithmonë të drejtë». Sot është më i fuqishëm se çdo Ministër Financash tjetër në Europë, është Ministri i Plotfuqishëm i Financave europiane. Kriza e euros e ka çuar në kulmin e pushtetit. Pa të, nuk bëhet asgjë».

Schäuble është 72 vjeç, ka lindur në Fribourg, qyteti universitar në jugun e thellë të vendit, për nënën e tij kujton «se nëqoftëse nuk kishte monedha për parkimetrin, kthehej të nesërmen për të paguar» dhe me rregullin është edukuar edhe nga babai luteran, «kommercialisti më pedant i zyrës fiskale». Për vëllain e tij Thomas, «në shkollë ishte i pathyeshëm në matematikë, por në sport dinte të humbiste». Më 12 tetor të vitit 1990 ishte duke folur në një manifestim elektoral në një restorant të Oppenau, në Baden, kur një individ mendërisht i paqëndrueshëm e qëlloi 3 herë me një kalibër 38. Një plumb i shpërthen në fytyrë, një tjetër i shpon shtyllën kurrizore. Qysh atëhere është i detyruar të qëndrojë në një karrige me rrota.

Nuk e ka përmendur kurrë si atentat, por si incident. Sikur të kishte qenë një fatkeqësi në vendin e punës. Kur shoqatat e hendikapatëve i kërkonin që të impenjohej përkrah tyre, Schäuble i bllokonte. Nuk e ka konsideruar kurrë veten si një hendikapat që bën politikë. Është një politikan që qëndron i ulur në një karrige me rrota. Shkruan Stefan Willeke: «Pas disa muajsh u kthye në Bundestag dhe rifilloi të sulmojë kundërshtarët politikë. E rriti ashpërsinë e diskutimeve politike të tij, duke u hequr deputetëve të tjerë çdo motiv për ta mëshiruar. Arrihet një marrëveshje e heshtur: asnjë manifestim publik mëshirimi, por ama asnjë politikan t’i tregonte karrigen me rrota si motiv të ashpërsisë së tij».

Pas paralizës është vetë Kohl ai që e motivon, duke i thënë se «mund ta bësh ministrin edhe mbi një karrige me rrota». Theo Waigel, ish Ministër i Financave, kujton se «në qeveri më ambiciozi ishte ai». Aq sa në vitin 1997, në kuvendin e CDU-së në Lajpcig, ndërhyn me një diskutim të fortë dhe shumë të duartrokitur, pothuajse si për një investiturë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Praktikisht i kërkon skeptrin Kohl, i cili nuk dorëzohet dhe në vitin 1998 do të jetë akoma ai që do të garojë dhe humbasë zgjedhjet kundër socialdemokratit Gerhard Schröder, i cili do të futet në qeveri për 7 vjet bashkë me të Gjelbërit. Nëse është Kohl, pas rënies së Murit, ai që zgjedh Angela Merkel si eksponente të parë të Lindjes në një qeveri, i takon pikërisht Schäuble ta promovojë si Sekretare të Përgjithshme të Partisë Kristian Demokrate.

Në vitin 2000 një traumë tjetër, kur pranon në transmetim live në television se ka marrë për CDU-në 100 mijë dojçmarka nga biznesmeni Schreiber: një muaj më pas lë presidencën e partisë, duke e çuar për dreq karrierë. Shkruan “Espresso”: «Por asgjë nuk e ndal: është Sizifi miti i tij dhe “Dy jetë” titulli i një autobiografie». Në vitin 2005, në koalicionin e saj të parë të madh me SPD-në, «vajza e ardhur nga Lindja» studiese e Fizikës Kuantike, bëhet Kancelare dhe i ofron Schäuble fillimisht Punët e Brendshme dhe më pas Financat. Një zgjedhje e gjetur: nga viti 1969 deri më sot është ministri i parë gardian i llogarive për ta mbyllur një bilanc në barazim.

E kryen punën në pallatin e ish Ministrisë së Aeronautikës së Rajhut të Tretë. Në murin e zyrës së tij qëndron i varur një kuadër i piktorit Jörg Immendorff. Titullohet “Të ngjallësh guxim”. Përgjithësisht shkon në punë shpejt, rreth orës 8. Shkruan sërish Willeke: «Është më impenjativ nga sa duket. Një njeri i shëndetshëm, që në mëngjes ka ngut, mund të arrijë në gjysmë ore të bëjë dush, të rruhet, të vishet dhe të niset për punë. Por sa kohë i duhet dikujt që lëviz me karrige me rrota përpara se të dalë nga shtëpia i mbyllur në një xhaketë që, duke qëndruar në një karrige me rrote, të bezdis gjithmonë? Kur do t’i bjerë zilja e zgjimit, nëse përpara orës 8 Schäuble ka lexuar tashmë shumë gazeta? Në orën 5? Në 4 e gjysmë?».

Në një farë mënyre, Schäuble ka gjithmonë ngut; për të është kjo që i kërkohet politikës. Është bërë e famshme një skenë e zhvilluar në publik dhe e klikuar 1 milion herë në YouTube. Në vitin 2010 Schäuble e zëdhënësin e tij Michael Offer të bëjë një figurë të keqe, i cili përpara një conference për shtyp kishte harruar të shpërndante letrat me shifrat më të rëndësishme. Schäuble ndërpreu konferencën për shtyp, ju kthye Offer dhe e dërgoi që të fotokopjonte letrat. Kishte gazetarë që qeshnin. Thellësisht i ofenduar, Offer dha dorëheqjen dhe u transferua në një departament tjetër.

«E bëj më qejf politikën, e bëj me gëzim. Vuhet nën peshën e saj, por dëshirohet. Ekziston një vullnet për të ushtruar pushtetin politik, është dëshira për t’u dhënë formë gjëra dhe pastaj është familja. Më parë im atë ishte në politikë, por edhe im vëlla. Dhe kur jam zgjedhur, kam marrë një mandat, domethënë një përgjegjësi».

Është një grua që e njihte Wolfgang Schäuble qysh përpara se të hynte në politikë dhe ka parë sesi politika e ka rrëmbyer. Ingeborg Schäuble është martuar me të qysh nga viti 1969. Thotë: «Është bërë gjithnjë e më i sigurt në vetvete dhe për në punën e tij. Ndjehet i pasulmueshëm». Thotë se ka qenë gjithmonë kundra. Kishte studiuar Drejtësi, është jashtëzakonisht i zgjuar, do të ishte bërë një avokat apo një gjykatës i shkëlqyer. «Por dukshëm që e mendonte në mënyrë të ndryshme nga unë». Kanë 4 fëmijë, 3 vajza dhe 1 djalë, që janë tashmë të rritur. «Ëolfgang nuk pëlqen që ta dëgjojë», thotë ajo, «por i kam rritur vetë. Cila grua do të ishte e kënaqur?».

Schäuble merr 16694 euro në muaj, 6000 më pak se Merkel. Rigorozisht protestant, nuk mungon asnjëherë në pritje dhe në të njëjtën mënyrë shkon në teatër, në opera apo në kinema. Nuk lejon t’i afrohen të huajt, nuk u jep konfidenca gazetarëve. Përpirës i madh i librave të historianit Heinrich August Winkler, tani duke e pritur në shtëpinë e tij në Sylt, ku kalon pushimet, libri i dashur “Recherche” i Marcel Proust.

Çdo 2 muaj, Schäuble takohet me një grup të vogël njerëzish midis 40 dhe 50 vjetëve, të cilët më parë kanë punuar ngushtësisht me të dhe tek të cilët ka besim të madj. Këta njerëz nënvizojnë se nuk janë këshilltarë, pasi Schäuble nuk kërkon këshilla, por stimuj. Njëri prej tyre është Nils Ole Oermann, Profesor Etike në Universitetin e Lüneburg. Gjatë një darke, Schäuble pyet se pse sot, në ndryshim nga e kaluara, pothuajse të gjithë tenistët e nivelit të parë e bëjnë kthimin me dy duar; atëhere Oermann ngjitet në telefon për t’i shpjeguar nga një ekspert anatomie se pse kthimi me të dyja duart e bën gjuajtjen më të saktë.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button