Your Life

Të lëndojnë dhe pastaj të kërkojnë falje

“Pendesa është gjëja më e pavlerë në botë. Asgjë nuk mund të kthehet ashtu siç ishte më parë”, do të thoshte autori im i preferuar Erich Maria Remarque…

Është e përditshme në shoqërinë tonë të ulemi në kafe dhe të vëmë në dukje defektet e tjetrit. Dikujt i vëmë në dukje sjelljen, dikujt zërin e hollë, dikujt puçrat në fytyrë, dikujt hundën apo veshët joperfektë, dikujt obezitetin etj. Nuk ka rëndësi se çfarë, rëndësi ka që ne i vëmë në dukje dikujt diçka, që edhe ai ose ajo e ka vënë re kur e sheh veten përpara pasqyrës.

Nëse unë do të kisha diçka nga ato më sipër, me siguri që duke e parë veten në pasqyrë, do ta vija re. Mirëpo nuk do t’i kushtoja të njëjtën vëmendje, sikurse i kushtoj kur dikush ma vë në dukje. Me siguri, më kuptoni në këtë pjesë. Nëse ju keni vënë re diçka tek vetja dhe e keni hequr mendjen për momentin, atëherë kur dikush jua ka vënë në dukje atë gjë, mendja ju ka mbetur aty.
Por kjo gjë të lëndon. Të lëndon kur të shprehin mospëlqim për një defekt, të cilin askush nuk e ka zgjedhur me dëshirën e vetë ta kishte. Askush nuk do të donte ta kishtë zërin e hollë, apo defekte në fytyrë dhe në trup, por ja që shoqëria jonë gjykon edhe për aspekte që nuk kontrollohen nga ne.

Aq e thellë është kjo çështje, saqë mjafton të përmendim Michael Jackson, këngëtarin e ndjerë me famë botërore që bëri plot operacione plastike. Arriti deri në transplantin total të lëkurës, vetëm sepse e gjykonin edhe për ngjyrën e lëkurës. Ai donte të ndihej i pranuar. Ai donte të ndihej jo i paragjykuar nga shoqëria që e çoi në zero nivelin e tij të vetëvlerësimit se ai vlente edhe pa ndryshuar gjë tek vetja.

Dhe pastaj normalisht lindin edhe pyetjet se pse janë shtuar ndërhyrjet estetike në ditët e sotme.Pse po shkatërrohet vetja për t’u ndjerë i pranuar nga të tjerët?

Nuk ka rëndësi sa të dukshme i ke defektet. Nëse hunda jote është pak me kurriz, edhe nëse nuk vihet shumë re, ti duhet ta bësh operacion se ta tha ai shoku apo ajo shoqja në kafene dikur dhe ty të mbeti mendja aty. Ti duhet të jesh i/e pranuar në shoqëri dhe ajo hunda e tillë po të pengon në këtë aspekt.

Nëse zëri yt është i hollë apo ti je i shkurtër, ti duhet të marrësh terapi me hormone rritjeje dhe hormone seksuale vetëm që të të pëlqejnë të tjerët. Duhet të jetosh për të tjerët dhe ky është një paradoks i vërtetë…

Ndërhyrjet janë shtuar se shoqëria jonë është shoqëri që e lëndon tjetrin, ia shton tjetrit problemet dhe stresin e përditshëm. Dhe është normale që ndërhyrjet do të shtohen, sepse askush nuk do të donte të ishte i tallur nga shoqëria përreth.

Krejtësisht e kundërta do të ndodhte nëse ne nuk do t’ia vinim në dukje dikujt një defekt, sado i dukshëm të ishte ai. Edhe nëse vetë personi e shfaq në muhabet e sipër diçka që ka vënë re tek vetja, nëse ne do t’i ofronim mbështetje dhe do t’ia hiqnim mendjen nga ajo gjë, me siguri që kjo situatë nuk do të përsëritej për një kohë shumë të gjatë dhe ai person do ta pranonte “problemin” tek vetja, pa e vrarë shumë mendjen se çfarë do të mendonin të tjerët për të.

Pastaj ka dhe nga ato raste kur ta thonë fjalën, të tallin në mënyrë të sofistikuar gjoja për të mos bërë të ndihesh keq dhe kur e vënë re që je prekur, të kërkojnë edhe falje, a thua se falja ka ndonjë vlerë në këtë rast. “Pendesa është gjëja më e pavlerë në botë. Asgjë nuk mund të kthehet ashtu siç ishte më parë”, do të thoshte autori im i preferuar Erich Maria Remarque… / endri hoxhaj / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button