Analiza

Të mbahen gjallë shpresat e palestinezëve

“New York Times”

Screen Shot 2015-03-25 at 09.55.29

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i dha një goditje të rëndë mundësisë së një marrëveshje të negociuar paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve, për arsye qartazi politike, ideja e dy shteteve që jetojnë krah për krah në atë rajon, mbetet gjithësesi alternativa më e mirë ndaj përballjes së dhunshme, dhe për këtë arsye nuk duhet të lejohet që ajo të zbehet.

Është e vështirë të thuhet se ku zoti Netanjahu qëndron realisht mbi çështjen e shtetësisë. Së pari, ai hoqi dorë në një përpjekje të minutës së fundit për marrjen e votave, që do t’i mundësonin rizgjedhjen si kryeministër, duke e shoqëruar me një apel trishtues ditën e zgjedhjeve, ndaj mbështetësve të tij për t’iu kundërvënë votave të arabëve izraelitë.

Pastaj u përpoq të tërhiqet disi nga deklaratat e tij, të paktën në sipërfaqe, duke i thënë MSNBC: “Unë dua një zgjidhje paqësore të qëndrueshme me dy shtete, por për këtë duhet të ndryshojnë rrethanat”. Të hënën, ai kërkoi pak e shumë falje, për sulmet ndaj zgjedhësve arabë. Problemi është se ndërsa zoti Netanjahu e miratoi shtetësinë palestineze në vitin 2009, ai thjesht pagoi për premtimet boshe, gjatë përpjekjeve të dështuara të ndërmjetësimit nga ana e administratës Obama.

Politika e tij e zgjerimit të vendbanimeve dhe minimit të Autoritetit Palestinez, dëshmojnë se Netanjahu nuk ka kurrë synim t’i japë fund pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Për të shmangur një të ardhme të ndërtuar mbi terrenin e paqëndrueshëm të nënshtrimit të përhershëm palestinez ndaj ushtrisë izraelite, çështja tashmë është çfarë duhet të bëjnë palestinezët, amerikanët dhe pjesa tjetër e botës, për të mbajtur gjallë shpresën për arritjen e paqes.

Qëkur negociatat u dukën të pamundura, presidenti amerikan Obama i ka thënë zotit Netanjahu se SHBA do të duhet të “rivlerësojë opsionet e saj”. Zyrtarët e administratës Obama thonë se kjo nënkupton mbështetje për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për një Palestinë të pavarur, përgjatë vijës kufitare të para vitit 1967, linja që ndan Izraelin nga Bregu Perëndimor dhe Gaza.

Më së paku, administrata nuk duhet të vendosë veton ndaj një rezolute që pritet të propozohet nga Franca dhe anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Plani është që të vihen në dukje çështjet kryesore, të cilat do të vendosen në çdo marrëveshje paqeje – ku do të vizatohen kufijtë, trajtimi i refugjatëve, si do të garantohet siguria e Izraelit, si do të jetë e ardhmja e Jeruzalemit – dhe si mund të tejkalohen dallimet.

Qëllimi nuk është të imponohet një zgjidhje, por të inkurajohen në kohë negociatat. Vitet e fundit, propozimet e paqes të nxitura nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët janë përqendruar tek dakordësia e shkëmbimit të territoreve, që do t’i lejonte Izraelit të mbante disa vendbanime, ndërsa palestinezët do të kompensohen në mënyrë reciproke, me të njëjtën sipërfaqe toke në sasi dhe cilësi.

Në një shtet palestinez, forcat e sigurisë do të përdoren vetëm për të ruajtur sigurinë e brendshme dhe sundimin e ligjit. Të dyja shtetet do të shmangin aleancat që shkaktojnë konflikte. Refugjatët palestinezë do të kenë të drejtën e kthimit në Palestinë, ndërsa një numër i kufizuar i tyre do të lejohen të bashkohen me familjet në Izrael. Jeruzalemi do të jetë i hapur për të gjithë, por në një farë mënyre i ndarë mes palëve.

Shtetet e Bashkuara, prej kohësh kanë qenë mbrojtësi kryesor i Izraelit në Kombet e Bashkuara, duke kundërshtuar të gjitha sulmet politike dhe vënë veton ndaj rezolutave që kritikonin apo ndëshkonin Izraelin. Ndërsa Kombet e Bashkuara kanë qenë shpesh të padrejtë me Izraelin, dhe Shtetet e Bashkuara duhet të shfaqeshin në mbrojtje të këtij të fundit, Uashingtoni duhet tanimë të marrë parasysh rezolutat e mundshme, nëse ato fajësojnë ndershmërisht Izraelin për ndërtimin e vendbanimeve ose duke marrë hapa të tjerë që nuk e përjashtojnë mundësinë e një shteti palestinez. Një deklaratë e qartë e Këshillit të Sigurimit, në favor të një zgjidhjeje me dy shtete, do të ishte një pikë referimi e rëndësishme. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera të mëdha do të tregojnë shpejt përkushtimin e duhur ndaj kësaj qasjeje, ata mund të jenë në gjendje të evitojnë që palestinezët të depozitojnë një padi kundër Izraelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Palestinezët, të cilët do t’i bashkohen kësaj gjykate në datën 1 prill, kanë paralajmëruar për një kohë të gjatë për një padi kundër Izraelit për “krime lufte”.

Izraeli i kundërvihet fuqimisht veprimeve nga kjo gjykatë, e cila do të helmonte edhe më shumë marrëdhëniet dhe do të distanconte edhe më shumë amerikanët. Palestinezët janë tashmë në një krizë të rëndë financiare, dhe sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, mund të humbasin 400 milionë dollarë ndihma nëse ndërmarrin ndonjë padi gjyqësore.

Në kushtet e mungesës së bisedimeve me Izraelin, do të ishte shumë logjike për ta, të lëvizin hap pas hapi drejt shtetformimit, duke kërkuar njohjen pavarësinë nga vendet individuale dhe agjensitë e ndryshme të Kombeve të Bashkuara. Para shpërthimit të zotit Netanjahu, në prag të zgjedhjeve parlamentare, çështja e krijimit të dy shteteve nuk ka qenë mbizotëruese në fushatën zgjedhore izraelite. Kryeministri e ktheu atë në një përballje të madhe, të cilën SHBA dhe fuqitë e tjera të mëdha s’mund ta injorojnë.

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button