Motivuese

Të mos e çosh punën dëm. Historia motivuese e një biznesmeni dhe djalit të tij

Një herë jetonte një biznesmen, i cili kishte një djalë dembel, të cilit i pëlqenin vetëm dëfrimet.

Biznesmeni donte që i biri të ishte punëtor dhe i përgjegjshëm. Ai donte që i biri të kuptonte vlerën e punës.

Një ditë, thirri të birin dhe i tha: “Sot dua të dalësh dhe të fitosh diçka. Nëse dështon, nuk ke darkë sonte”.

Djali ishte i pandjeshëm dhe nuk ishte mësuar me asnjë lloj pune. Kjo kërkesë e babait e trembi dhe duke qarë, shkoi drejt e tek e ëma. Nënës iu shkri zemra, kur pa lotë në sytë e të birit.

Në një përpjekje për ta ndihmuar, ajo i dha një monedhë floriri. 

Në mbrëmje, kur i ati e pyeti të birin se çfarë kishte fituar, djali i dha menjëherë monedhën e florinjtë. Babai i tha më pas ta hidhte në një pus. Djali bëri siç iu kërkua.

Babai ishte burrë i mençur dhe me eksperiencë, dhe e kuptoi që nëna kish qenë burimi i monedhës së florinjtë. Ditën tjetër, e dërgoi të shoqen tek prindërit, dhe i kërkoi sërish djalit të dilte dhe të fitonte diçka, nëse donte që të hante atë mbrëmje.

Këtë herë, djali shkoi duke qarë tek e motra, të cilës ie rdhi keq për të dhe i dha një monedhë nga kursimet e veta. 

Kur babai e pyeti se çfarë kishte fituar, djali i hodhi monedhën që i kish dhënë motra. Babai i kërkoi ta hedhë edhe atë në pus. Djali e bëri menjëherë.

Sërish, babai i mençur e kuptoi se djali nuk e kish fituar vetë monedhën. Kështu që, dërgoi të bijën tek shtëpia e prindërve të të shoqes. Të birit i kërkoi sërish të dilte dhe të fitonte diçka, përndryshe nuk kishte darkë.

Këtë herë, duke qenë se nuk kish më se kush ta ndihmonte, djali u detyrua të dalë në treg për punë. Një prej dyqanxhinjve i tha se do i jepte dy monedha, nëse i merrte valixhen deri tek shtëpia. 

Djali i të pasurit nuk mund të refuzonte, dhe ishte bërë ujë në djerës deri kur e mbaroi atë punë. Këmbët i dridheshin dhe qafa me shpinën i dhimbnin. Kishte shenja në shpinë.

Teksa u kthye në shtëpi dhe i dha dy monedhat babait, ndërsa ky i kërkoi t’i hidhte në pus, djali i tmerruar pothuaj qau me të madhe. 

Nuk mund të imagjinonte që të hidhte në pus, paratë e fituara me djersë. Mes lotëve, tha: “Baba, më dhemb i gjithë trupi, kam shenja në shpinë, dhe ti po më kërkon të hedh paratë në pus”.

Biznesmeni buzëqeshi. I tha të birit se njeriu e ndjen dhimbjen, vetëm atëherë kur frutet e punës së tij shkojnë dëm. 

Në dy rastet e mëparshme, atë e kish ndihmuar mamaja dhe motra, kështu që nuk kish dhimbje të hidhte monedhat në pus. 

Djali sapo kish mësuar vlerën e punës.

/bota.al

Leave a Reply

Back to top button