Udhetim & Turizem

Të njohim Beratin, përtej fotografive

U shpall jo më kot qyteti më i vizituar nga turistët në sezonin e verës që lamë pas. Është ndër të paktat qytete që kur e viziton, të fal atë kënaqësinë e munguar nëpër rrugët plot kaos e trafik të kryeqytetit, apo të qyteteve të tjera të mbipopulluara në Shqipëri. Një herë pyeta një turiste prej Hungarisë, nëse ishte hera e parë që e vizitonte Beratin dhe çfarë i pëlqente prej këtij qyteti.

“It’s my third time and actually, here I find peace” (Është hera ime e tretë dhe në këtë qytet unë gjej qetësinë), më tha.

Por çfarë e bën qytetin e një mbi një dritareve kaq të veçantë?

Janë kaq shumë arsye, saqë teksa më fluturojnë të tëra në mendje, nuk mundem dot të zgjedh se nga t’ia nis. Që kur shkel në terminalin e qytetit (vendi ku ndalojnë autobusat ndërqytetas, por edhe ata ndërkombëtarë), arrin të ndjesh ajrin e pastër dhe mirëpritjen e parë nga qytetarët e Beratit, të cilët në vite janë shquar për bujarinë dhe shpirtin e tyre të madh. Vazhdon më pas rrugëtimin në këmbë, ose me urban dhe stacion pas stacioni të shpalosen përpara syve monumentet, lagjet historike Goricë dhe Mangalem, ura e Goricës, kalaja krenare që qëndron mbi lagjen e Mangalemit etj.

Përveç aspektit historik, në qytet është menduar për t’i ofruar kënaqësi edhe të rinjve që përtej qetësisë, preferojnë edhe zhurmën, lëvizjet, daljet e vazhdueshmë. Kohët e fundit qyteti është pasuruar edhe me një pedonale të shoqëruar nga lokalet, duke mundësuar kështu edhe kushte të mjaftueshme për të rinjtë beratas dhe jo vetëm. Ndërkohë, pjesa më karakteristike e Beratit janë rrugët me kalldrëm dhe lagjia e Mangalemit që kohët e fundit duket sikur është zbukuruar më tepër pas vendosjes së dritave nëpër rrugicat e saj, të cilat ndriçojnë shtëpitë dhe çatitë e tyre duke ia shtuar bukurinë këtij qyteti. Pak më sipër, mund të shihet ajo që njihet si “Tabia”, e vendosur në kala, nga ku mund të shihet një pjesë e mirë e qytetit duke të të falur atë ndjesinë sikur ti je zotërues i tij.

Kalaja është padiskutim pjesa më e vizituar e qytetit muzeal. Jo vetëm për shkak të historisë që mban mbi supe, si e vetmja kala ku heroi ynë kombëtar njohu disfatëm me perandorinë osmane, por edhe për shkak të bukurisë që ajo ka. Sheshet plot pemë e gjelbërim, shitësit ambulantë të materialeve artizanale, lokalet me ushqime tradicionale, muzeu i qytetit e plot pasuri të tjera, e bëjnë atë mjaft të pëlqyer prej të gjithë vizitorëve.

Është e pamundur të hysh në qytetin e Beratit e të dalësh me përshtypje negative, apo i mërzitur se humbe kohën kot duke u endur nëpër një qytet që nuk të fali diçka pozitive nga vetja. Përderisa aty vijnë turistë nga e gjithë bota, përderisa ata rikthehen sërish me opinionet më pozitive për atë qytet, atëherë padyshim që diçka ekziston në të që të tërheq drejt vetes. Ndaj, nëse nuk e ke vizituar ende, mundohu të gjesh një fundjavë të lirë e ta vizitosh. Por mos u largo pa e parë qytetin gjatë natës me dritat të ndezura dhe me qetësinë që e karakterizon. Ajo është periudha më e bukur për qytetin e Beratit. / f.xh. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button