AnalizaMAIN

Të rrëmbejmë armët! Po kundër kujt?

Lucio Caracciolo

“Ndërpresim transmetimet për t’ju komunikuar një lajm të jashtëzakonshëm. Forcat e armatosura gjermane janë dorëzuar para anglo-amerikanëve. Lufta ka përfunduar. E përsëris, lufta ka përfunduar.”

Ky ishte zëri i Corrado-s, legjendarit Corrado Mantoni, prezantues dhe drejtues televiziv, i njohur për Festivalin e Sanremos, “Carramba! Che sorpresa”. Ishte 8 maji 1945 dhe Corrado njoftonte me këtë zë të fuqishëm dhe me atë “R” të theksuar fort, se makthi i Luftës së Dytë Botërore kishte marrë fund.

Kanë kaluar pothuajse 80 vjet që nga ajo ditë, koha kur nisi e ashtuquajtura Pax Americana, 80 vjet paqe dhe siguri në Evropë, të cilat ndoshta po shkojnë drejt fundit. Sepse amerikanët, mesa duket, janë lodhur duke mbajtur të hapur ombrellën e tyre bërthamore mbi kontinentin tonë; kanë shumë probleme të brendshme, dhe kriza e tyre, përfshirë atë kulturore, është aq e thellë sa që nuk mund të merren më me ne. Kjo na ka vendosur në një pozitë të vështirë, aq sa në të gjithë Evropën po flitet për riarmatimin.

Por le të shohim situatën aktuale në terren. Në Evropë ndodhen rreth 100 mijë ushtarë amerikanë, shumica në Gjermani. Vendi i dytë për nga prania amerikane është Italia, me 14 mijë ushtarë të shpërndarë në disa baza, si Aviano, Vicenza, Ghedi, por edhe Sigonella në Sicili. Në Itali ka gjithashtu disa dhjetëra bomba atomike, të menaxhuara me sistemin e ashtuquajtur çelës i dyfishtë, që në teori do të thotë se amerikanët duhet të kërkojnë leje nga ne, përpara se t’i lëshojnë. E shoh pak të ndërlikuar, por kështu qëndrojnë gjërat.

Çfarë ndodh nëse amerikanët shkëpusin prizën?

Nëse, për shembull, tërheqin të paktën një pjesë të trupave dhe ndalojnë furnizimin me armatime?

Duhet të kujtojmë se sot 64% e armëve që mbërrijnë në Evropë blihen nga amerikanët. Gjithashtu, gjysma e armëve tona më të avancuara – nga avionët luftarakë të gjeneratës së pestë F-35, tek raketat Patriot, dronët Reaper dhe radarët – varen nga mirëmbajtja dhe softueri amerikan.

Avionët e famshëm F-35, të cilët prodhohen edhe në Itali, nuk mund të ngrihen në fluturim nëse amerikanët vendosin të çaktivizojnë kodin burimor. Në këtë pikë duket se secili vend brenda NATO-s po lëviz për llogari të vet. Francezët dhe britanikët, të mbështetur te armët e tyre bërthamore – të cilat vlejnë shumë pak në krahasim me arsenalin luksoz amerikan – po përpiqen të paraqiten si garantues të sigurisë së kontinentit.

Presidenti Macron madje e ofron të famshmin arsenal bërthamor francez, sikur të ishte evropian. Problemi është se ekziston një buton, por ka 27 gishta evropianë që duan ta shtypin – ndoshta pak si shumë për një buton të vetëm francez. Nga ana tjetër, edhe britanikët thonë se duan të na mbrojnë, pavarësisht se janë larguar nga Bashkimi Evropian.

Por problemi është se britanikët, për sa i përket arsenalit të tyre bërthamor, varen në një masë të madhe nga ndihma dhe asistenca amerikane. Pra, ashtu si avionët F-35 të prodhuar në Itali, edhe bombat bërthamore britanike varen nga vullneti i mirë – nëse mund ta quajmë kështu – i “kushërinjve” të tyre përtej Atlantikut. Dhe e gjitha kjo, në mungesë totale të një projekti të mirëfilltë evropian, ndërkohë që shtetet e ndryshme të Evropës po mendojnë gjithnjë e më shumë për interesat e tyre dhe po ia hedhin problemet e veta, të tjerëve.

Sot, në Evropë, veçanërisht në vendet e Veriut dhe të Lindjes – nga Suedia te shtetet Baltike, Polonia dhe deri në Rumani – e shohin luftën në Ukrainë si një mundësi për t’i dhënë fund njëherë e mirë fuqisë ruse, ndoshta edhe me shpërbërjen e Federatës Ruse. Të tjerë përpiqen të imagjinojnë ose të ëndërrojnë një ekuilibër paqeje, i cili mund ta shndërrojë këtë periudhë të pasigurt, të mbushur me zjarr dhe luftë në Ukrainë, në një epokë të re paqeje, ekuilibri dhe sigurie pan-evropiane.

E gjithë kjo, natyrisht, nuk jep shumë shpresa për unitetin e evropianëve përballë kësaj krize. Po flitet gjithnjë e më shumë për riarmatimin e Evropës si një formë kompensimi ndaj këtij rreziku. Madje, disa përmendin edhe skenarin se Rusia mund të vijë në Evropë, ndoshta deri atje ku arriti Cari Aleksandër në kohën e Napoleonit – domethënë në Paris.

Por duke e parë situatën me gjakftohtësi, ky skenar duket pak i mundshëm, po të kemi parasysh se pas tre vitesh lufte, rusët ende ndodhen vetëm në një pjesë të Donbasit. Megjithatë, kjo nuk ka rëndësi, pasi sot në Evropë mbizotëron një klimë disi e ngarkuar emocionalisht, për të mos thënë histerike, dhe kudo po hartohen plane për riarmatimin.

Një gjë mund ta themi me siguri: nuk do të ketë një riarmatim evropian, sepse një riarmatim i tillë do të kërkonte një koncept të përbashkët dhe, mbi të gjitha, një shtet unik evropian me një strategji të qartë. Plani i von der Leyenit është thjesht një deklaratë synimesh.

Ajo që do të ndodhë, dhe që rrezikon të ketë një ndikim të madh ekonomik dhe strategjik, është riarmatimi i shteteve të veçanta evropiane – të 27 vendeve anëtare, por edhe atyre që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian – të cilat tashmë po përgatisin plane të mëdha për riarmatim.

Mendoni për Gjermaninë, ku qeveria e re e kancelarit Merz, ende në pritje të marrjes së detyrës, po flet për shpenzime nga 50 deri në 150 miliardë euro në vit për riarmatim. Por riarmatimi është temë edhe në Itali, ku synohet të rritet numri i ushtarëve – aktualisht rreth 160 mijë – si dhe të blihen armë më moderne. Por me çfarë fondesh do t’i paguajmë?

Nëse do të pranonim kërkesat amerikane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në rreth 3% të PBB-së, kjo do të nënkuptonte dhjetëra miliarda euro çdo vit. Edhe nëse do të armatoseshim, a jemi të sigurt se do të ishim në gjendje të luftonim në këtë klimë kulturore? Në këtë klimë të paqësuar, ku ideja e luftës është përjashtuar si një mundësi? Në një shoqëri ku nuk ka më fshatarë për t’u dërguar në front dhe ku mosha mesatare e italianëve është 48 vjeç? Në fund të fundit, çfarë lufte mund të bëjmë ne?

Një tjetër rrezik që ndoshta duhet marrë në konsideratë është se në këto 80 vjet, për herë të parë pas shekujsh – madje që nga Pax Romana – ne evropianët nuk jemi vrarë mes nesh, sepse ishin amerikanët aty. Por nëse amerikanët largohen, a jemi të sigurt se nuk do t’ia fillojmë përsëri? / Limes – Bota.al

Back to top button