Analiza

Telefonata që prishi ekuilibrat

Në spitalin e Qamishlit, qyteti më i madh kurd në Siri, 13 tetori dukej si fundi i botës. Një burrë ulërin në dhimbje, me lëkurën e fytyrës copa-copa, ndërsa një punonjës i ndihmës së shpejtë i fashon këmbën dhe një tjetër, i paduruar, i shkruan në gjoks me një stilolaps disa udhëzime mjekësore. Një infermiere gjashtëdhjetë vjeçare, me sy të mbushur me lot, vëzhgon skenën, e palëvizur në mes të turmës.

Dr Shamel ka gjak në pallton e tij të gjelbër. Ai sapo ka qepur një plagë të thellë. “Trump, Macron, Johnson … Ju na keni përdorur, tani na hiqni qafe! I vetmi përgjegjës për situatën në të cilën e gjejmë veten është ky koalicion gënjeshtarësh ”, thotë ai me një ton të tërbuar dhe të dëshpëruar.

Një burrë që futet në hyrjen e spitalit, me një pamje të tronditur, merr fjalën: “Çfarë ju kemi bërë, ne kurdët?” Të plagosurit që ulërijnë, trupat e copëtuar, dëshpërimi që mbretëron në spitalin e vogël të lagjes së Qamishlit, janë jehona e një masakre, viktimat e së cilës janë ende të nxehta. Pak kohë më parë artileria turke goditi një kolonë civilësh, të udhëhequr nga forcat kurde, e cila po shkonte drejt Ras al Ain, njëqind kilometra më tej në perëndim, për të protestuar kundër pushtimit nga Turqia dhe milicitë e saj islamike. Të vdekurit janë të paktën katërmbëdhjetë, dhe e çojnë numrin e viktimave, që nga fillimi i ofensivës turke, më 9 tetor, në gjashtëdhjetë civilë dhe 104 luftëtarë kurdë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Në mesin e të plagosurve të këtij bombardimi, është edhe njeriu që bërtet në spital.

Pa mbrojtje

Jashtë, nata e errët e Qamishlit përshkohet nga njerëz të armatosur, mjegulla cigaresh dhe zhurma keqandjellëse. Komunikimet janë të pakta, por dihet që ushtria turke dhe mercenarët e saj po përparojnë në vend, dhe se kufiri është kaluar prej kohësh. Në pesë ditë, 160,000 njerëz kanë përfunduar në rrugë. Mund të shohësh fytyrat e tyre të djersitura, që shfaqen nga rimorkiot e kamionëve të mbingarkuar, me batanije plot lule, të grumbulluara në anën e pasme. Ekranet e telefonave celularë janë plot me imazhe të ekzekutimeve, informacione të paverifikueshme, fotografi të fëmijëve të frikësuar dhe madje edhe të fëmijëve të vdekur. Humbja erdhi në më pak se një javë. Dhe që nga agimi i 14 tetorit, regjimi i përgjakshëm i Bashar al-Asadit, është rikthyer me forcë të plotë në Sirinë verilindore.

Koalicioni ndërkombëtar, bashkëshoqërues në ditët “e lumtura”, po largohet. Më 13 tetor, Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e rreth një mijë ushtarëve amerikanë nga Siria veriore. Këto ditë do të festohej përvjetori i pestë i një aleance të ndërtuar mbi rrënojat e rezistencës së Kobanes. Në nëntor 2014, qyteti i vogël kurd në kufirin turko-sirian, i rrethuar nga xhihadistët, kishte prekur botën mbarë dhe kish bërë të afroheshin aeroplanët perëndimorë në qiellin e tij. Aleanca ushtarake e lindur me atë rast, në vitet që pasuan çliroi pjesën veri-lindore të Sirisë nga flamuri i zi i Shtetit Islamik (Is). Forcat Demokratike Siriane (FDS, me një shumicë kurde) pushtuan Raqqan, kryeqytetin e IS, vetëm dy vjet pas sulmeve të Parisit në nëntor 2015, që ishin planifikuar pikërisht në atë qytet. Por koha e fitoreve ka mbaruar.

Milicitë filoturke tani kontrollojnë Tal Abyad dhe rreth dyzet fshatra në zonën kufitare, në perëndim të qytetit të Ras al Ain, i cili ende nuk ka rënë në duart e tyre. Regjimi Sirian po përgatitet të ripushtojë Manbij dhe Kobane, në kufirin turk, por edhe Qamishlin dhe Al Hasakan, më tej në lindje. Forcat e tij u vendosën, në mëngjesin e 14 tetorit, në Tal Tamer, njëzet kilometra në jug të Ras al Ain, për të marshuar drejt kufirit.

Morsa është mbyllur

Të dëshpëruar, të përballur me paaftësinë e aleatëve të tyre perëndimorë për t’i mbrojtur nga Turqia, e cila është pjesë e NATO-s, dhe militantët e saj islamikë, FDS duhej të linte që të hynte ushtrinë e Damaskut, e cila nuk priste asgjë tjetër. Në mbrëmjen e 13 tetorit, ata njoftuan se kishin lidhur një marrëveshje me Damaskun për vendosjen e ushtrisë Siriane në veri të vendit, në mbështetje të FDS, me qëllim kundërshtimin e përparimit të shpejtë të trupave turke dhe aleatëve të tyre. Regjimi i Asadit njoftoi menjëherë dërgimin e trupave në veri, për të “përballur agresionin turk”. Disa përkrahës të Asadit, në Qamishli dhe Al Hasaka, e mirëpritën lajmin duke festuar. Kjo morsë i ka mbyllur kurdët sirianë dhe aleatët e tyre në veri të vendit.

Por a ka mbaruar lufta? “Ne kemi përgatitur për këtë ditë”, rrëfente një udhëheqëse e lartë kurde, Favza Youssef, më 13 tetor në Qamishli. Katër viktima të luftës sapo janë varrosur në varrezat ushtarake të FDS. Favza Youssef qan, e vetme në turmë, ndërsa parullat e lëvizjes kurde jehojnë: “Dëshmorët janë të pavdekshëm!” Joussef vajton për vdekjet e reja, të cilat kanë arritur në dhjetë mijë burra, gra e të rinj që kanë rënë duke luftuar në varret plot me lule? Apo vajton fundin e një bote, rënien e një grupi institucionesh të krijuara me durim nga lëvizja kurde, ku karakteri autoritar shoqërohet nga ambicia për të ndryshuar botën, me bashkitë autonome të menaxhuara nga drejtuesit e partisë, barazinë seksuale të vendosur në të gjitha nivelet, demonstrimet e mëdha të miqësisë midis popujve? Apo qan epokën kur fuqitë botërore iu vardisën kurdëve, para se t’u kthenin shpinën?

Zonat gri

Pas pak, në zyrën e saj të shkretë në ish stacionin e Qamishlit, Joussef buzëqesh përsëri. Ende beson në presionin ndërkombëtar ndaj Ankarasë, një përmbysje e situatës. Por, përtej shakave dhe syve që i shndërrijnë, fjala që shqiptohet me më shumë bindje është “rezistencë”. “Epoka e luftës me uniforma dhe seli ushtarake ka përfunduar. Tani kemi kaluar në luftë guerile kundër Turqisë”. Joussef pretendon se disa mesazhe i ishin dërguar regjimit sirian, në funksion të një marrëveshjeje dhe një reagimi të përbashkët ndaj pushtimit turk, por ata nuk ishin përgjigjur. Më pas, në më pak se njëzet e katër orë, situata ka ndryshuar.

Rrugët nuk janë më të sigurta, komunikimet janë të pamundura dhe informacioni është i rrallë, nga një skaj i territorit në tjetrin. Në zonat gri gjejmë qelizat e fjetura të Shtetit Islamik dhe të milicive filoturke, të cilat përdorin armët e tyre. Në burgje dhe kampe, xhihadistët e huaj, evropianë dhe francezë janë duke pritur të çlirohen nga ushtria pushtuese, ose momentin kur kaosi do t’i lejojë të shpëtojnë.

Tani është tepër vonë. Ka ndodhur katastrofa, për të cilën forcat kurde i kishin paralajmëruar vazhdimisht aleatët perëndimorë. Përkundër kthimit të regjimit, Shteti Islamik mund të marrë frymë. Një epokë e re gjakderdhjeje nisi të dielën, më 13 Tetor. Kishte nisur të dielën paraardhëse, me një telefonatë midis Uashingtonit dhe Ankarasë. / Le Monde – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button