Histori

TEMPLARET / E vërteta për Kalorësit e Krishtit

Screen Shot 2015-07-21 at 11.33.21

Për templarët është thënë gjithçka: që ruanin Graalin e Shenjtë, por edhe që ishin një sekt heretikësh. E vërteta për urdhërin e murgjve, me lejë për të vrarë

“Na ishte një herë”, në Pragë, një kalorës templar që u dënua me vdekje. Para ekzekutimit, iu kërkua të shprehë dëshirën e fundit. Ai u përgjigj: “Dua të varrosem në zonën e Stare Mesto, prapa kishës së Tynit, ku ndodhen birraritë më të mira të qytetit”. Xhelatët fillimisht i prenë kokën, më pas i plotësuan dëshirën. Që atëherë, çdo natë, kalorësi del nga varri, vendos kokën nën sqetull dhe bredh nga një birrari në tjetrën. Problemi është se birra hyn nga goja, por del nga fyti i prerë dhe lag trotuarët, duke zemëruar kamerierin.

Ruajtës të fshehtë

Legjenda e Kalorësit të Tynit, shumë popullore në Bohemi, është më surreale se sa një roman i Kafkës; por nuk është më e pamundura, ndër ato që rrëfehen për templarët. Për ta është thënë se ruanin në fshehtësi Graalin e Shenjtë; është shtuar se në realitet Graali nuk ishte kupa e darkës së fundit, siç besohet, por ishte Sang Real, domethënë pasardhësi (“gjaku”) i Jezu Krishtit dhe Magdalenës; është thënë në fund se ata kalorës misteriozë u asgjësuan për të varrosur sekretin e tyre. Dhe që diku, fshihet thesari i tyre. E vërtetë është vetëm që templarët, kalorësit më integralistë të shpirtit në historinë e krishterë, u asgjësuan vërtetë, në villim të viteve ‘300; dhe që akuzat e ngritura ndaj tyre (mbi të gjitha kjo e herezisë) ishin më shumë thjeshtë pretekste.

IDENTIKIT

Për të rrëfyer historinë e templarëve mund të nisim duke lexuar kartën e identi- tetit të viktimës. Emri zyrtar: Urdhëri i shokëve të Varfër të Krishtit dhe të Tempullit të Solomonit. Profesioni: të luteshin dhe luftonin. Mosha: Afro dy shekuj. Vendlindja: Jeruzalemi. Vendi ku u nis: Clairvaux, manastiri i Borgognas. Babai: Hugues de Payns, një fisnik i Champagne që u largua nga atdheu, la të mirat dhe bashkëshorten Elisabeth për të marrë pjesë në kryqëzata. Nëna: askush, sepse bota e templarëve nuk konsideronte botën femërore.

Me fjalë të thjeshta: nëse doni të krijoni një templar, merrni një murg Cister- cenian nga ata “fretërit e bardhë” që mes shekujve Xi dhe XII udhëtonin nëpër Francë duke bërë thirrje për aksetizëm dhe pendesë; prijani flokët në stil “marins”, zgjatini mjekrrën në stil profeti; më pas zëvendësojani veshjen me një armaturë dhe bastunin me një shpatë; në fund fusni gjithçka në një mantel të bardhë me kryq të kuq, dërgojeni në Lindje, jepini ndonjë të moshuar për të mbrojtur dhe ndonjë mysliman për të vrarë. Dhe ja, ku u krijua një templar.

E DO PERËNDIA!

Po çfarë nevoje kishte të vriteshin myslimanë? Rreth vitit 1120, kur Hugues krijoi Urdhërin së bashku me tetë shokë të tjerë të tij të lutjeve dhe aventurave, nuk po ndodhte një kryqëzatë: që nga e para (ku ai kish marrë pjesë) kishin kaluar 21 vite; deri tek e dyta duheshin edhe 25; Jeruzalemi ishte në duar të krishterësh dhe madje edhe xhamia Al-Aqsa, vendi i tretë i shenjtë i Islamit pas Mekës dhe Medinës, ishte ricikluar në Kishë. Më shumë se kaq bota e krishterë nuk mund të pretendonte. Në fakt më shumë se kaq nuk pati kurrë më.
Situata, megjithatë ishte më e pasigurtë nga sa dukej: ushtarët e kryqëzatave në pjesën më të madhe ishin kthyer, rrugët ishin të pasigurta dhe madje edhe brenda Jeruzalemit kishte probleme sigurie. Kështu Kishës i lindi ideja të krijonte ushtri të sajat, të pavarura nga feudalët e Europës. Duhet shtuar se luftëtarë karizmatikë dhe luftëdashës po i hapnin rrugë tashmë kryqëzatës së dytë, dhe kështu që i frynin zjarrit: një prej tyre ishte një farë Bernardo, abat i Clairvaux, që do të bëhej më vonë shenjt dhe “profet” i templarëve.

Lindën kështu Urdhërat kalorësiakë. Ai i Hugues de Payns nuk ishte i pari: në vitin 1120 ekzistonin tashmë Kalorësit Spitalorë dhe Kalorësit e Varrit të Shenjtë. Por San Bernardo donte njerëz më të fortë dhe i vinte në lojë kalorësit e tjerë me ngarkesa sarkazme.

Thëniet e tij përmbaheshin në një libërth të quajtur milicia e re, që përveç këshillave për pamjen u jepte templarëve një shfajësim paraprak për vrasjet e të ardhmes: “Kalorësi i Krishtit vret me vetëdije të plotë dhe vdes i qetë: duke vdekur shpëtohet, duke vrarë punon për Krishtin. Në fakt, kur ai vret një keqbërës nuk kryen një vrasje, dhe konsiderohet xhelati i autorizuar nga Krishti”. Nëse abati i Clairvaux do të quhej Khomeini, do ta kish quajtur këtë të gjithë xhihad, “luftë e shenjtë”.
EPIKË
Por nuk ishin vetëm teologët që mbështesnin kalorësit e rinj. “Gjatë kryqëzatave të para”, vëren Mario Mancini, docent i Filologjisë në Bolonjë, “lindi letërsia ka- lorësiake, e destinuar të kishte më vonë një zhvillim të ngjashëm me western-ët modernë. Pikërisht atëherë u përhapën chansons de geste franceze dhe historitë e ciklit breton, me një impakt shumë të madh social: heronj legjendarë si Orlan- do dhe Lanceloti u shndërruan në modele të sjelljes, që i jepnin vlerave ushtarake dhunti besnikërie, bujarie dhe sens nderi.
John Ford i këtyre western-ave” të Mesjetës quhej Chretien de Troyes: ishte një francez nga Champagne, ashtu si Hugues de Payns; jetoi dhe shkroi në shekullin XII, pikërisht kur templarët hidhnin hapat e parë. Ishte ai që lançoi mitin e Perce- val, kalorësi legjendar i Tryezës së Rrumbullakët që u vu në kërkim të Graalit të Shenjtë: një figurë që në letërsinë e sektorit duhej të shndërrohej në një legjendë. Edhe nën valën e këtij cirku mediatik, Urdhëri Templar u rrit me shpejtësi, duke arritur një fuqi të jashtëzakonshme. Në fund të shekullit XII, fortesat e ndjekësve të San Bernardit ishin shpërndarë nga Gaza në Gastun (sot Baghras, në Turqi). Qendra ishte xhamia e Al-Aqsas në hapësirën e ish tempullit të Solomonit (prej nga buron emri i templarëve, që do të thotë Kalorësit e Tempullit). Dhe zotërimet me të cilët Urdhëri përballonte shpenzimet ushtarakë ishin të përhapur nga Franca në Spanjë, nga Ballkani në Italinë e Jugut. Në Qipro mbulonin madje gjithë ishullin.

Një pasuri e tillë kishte një shkak preçiz: kur bëheshin anëtarë të Urdhërit te Kalorësit (thuajse të gjithë fisnikë) bënin një betim të trefishtë për varfëri-dëlirësi-bindje, ku “varfëri” do të thoshte të derdheshin në tempull pasuritë respektive dhe të kalonin pjesën tjetër të jetës pa para. Papati bëri pjesën tjetër duke përjashtuar ndjekësit e San Bernardos nga taksat që kongregacionet e tjerë u paguanin peshkopëve. Veç kësaj, shumë shpejt nisën të vijnë donacionet e simpa- tizantëve. Kështu, ndërkohë që kalorësit bridhnin si barbonë, Urdhëri u shndër- rua në një holding autentik financiar.

BANKIERË MBI KUAJ

Zakonisht në librat me intrigë ka një rregull: cherzhez la femme, “kërkoni gruan”. Por në rastin e templarëve kjo duhej të modifikohej në cherchez l’argent. Në fakt, në historinë e tyre, para pati shumë dhe gra pak: nëse Hugues de Payns kish hyrë duke mohuar bashkëshorten, më pas Rregulli i trashëgimtarëve të tij kërkonte të mbaheshin larg edhe nëna e motrat. Në këtë kuadër mizogjinie ekstreme, shkelja e betimit të dëlirësisë ishte e vështirë (të paktën në frontin heteroseksual). Mëkatet për të cilët njerëzit akuzonin templarët ishin të tjerë: lakmi, dorështrëngim, fajdexhinj.

Kundrejt këtyre murgjve bankierë, Kisha nuk ushqente një dashuri me shikim të parë: për të vendosur që Hugues dhe të tijtë meritonin besim u desh një këshill. Por më pas rregulli u miratua dhe templarët mund të luftonin xhihadin e tyre
me bekimin papnor, edhe pse me detyra të kufizuara: domethënë “të mbronin të varfërit dhe rrugët nga hajdutët, për një siguri më të madhe të pelegrinëve”, thotë Guglielmo de Tiro, një peshkop libanez i kohës, autor i “Historia e bëmave të përtej detit”.

Në të vërtetë më vonë templarët morën pjesë me të drejta të plota në kryqëzata. Dhe derdhën shumë gjak, të armiqve dhe të tyrin. Por ishin luftëtarë më shumë fodullë se të zotë. U pa në Ascalona (sot Ashqelon, në Izrael) në 1153, kur një komando prej vetëm 40 burrash sulmoi një kështjellë armike, më e mbrojtura e zonës. Apo në 1187 pranë Nazaretit, kur 90 kalorës u nisën në një detyrë vetëvrasëse.
Në të dy rastet askush nuk u kthye për të dëshmuar si vajti. Një vit më vonë do të shpëtoheshin templarë të tjerë, të rrethuar në Darbsaq, në Turqi. Të cilët, më shumë se sa të luftonin, preferuan të paguanin një haraç e të shpëtonin. Në shpir- tin e templarëve, luftëtari fillonte e tërhiqej për t’i lënë vend bankierit.

Pastaj luftëtari u zhduk fare: mbeti vetëm bankieri. Ndodhi në vitin 1291, kur kryqtaret e fundit lanë një herë e mirë Lindjen e Mesme dhe u kthyen në shtëpi. Templarët shkuan mbi të gjitha në Francë, duke vazhduar të bëjnë me kohë të plotë atë që më parë e bënin me kohë të pjesshme: blinin toka, jepnin hua, shftytëzonin pasuritë e tyre dhe ato të të tretëve. Ishin administratorë kaq të zotë saqë, prej 90 vitesh menaxhonin pasuritë e mbretërve francezë, prej 80 vitesh ishin këshilltarë financiarë të papatit dhe prej 25 vitesh edhe të mbretërve të Sicilisë.

GOJË TË KËQIA

Por me fuqinë e templarëve rriteshin dhe zërat për llogarinë e tyre. Thuhej se, prapa asketizmit kristian në fasadë, kalorësit nisën të adhurojnë një idhull me mjekërr të quajtur Baphomet apo edhe macet, kafshët demoniake. Pëshpëritej se ceremonia e fillesës parashikonte pështyma mbi kryq dhe puthje anale të veteranëve, në një përzierje groteske nonizmi dhe homoseksualiteti. Të vërteta apo shpifje? “Ndoshta përgjithësime instrumentale të ndonjë episodi që mund të ketë ndodhur vërtetë”, përgjigjet Franco Cardini, docent i historisë mesjetare në Firence.

Kush nisi të përhapë këta helme? Lista e autorëve të mundshëm është e gjatë: peshkopët, që nuk e kishin pranuar asnjëherë përjashtimin fiskal të templarëve nga Papati; urdhërat e tjerë kalorësiakë që nga kryqëzatat kishin marrë shumë të vdekur dhe pak para; bankierët italianë, një lob konkurent i holding-ut të Tempullit; por mbi të gjithë Filipi IV, prej vitit 1285 mbret i Francës, që ishte në kërkim të përhershëm të parave dhe për këtë arsye në fillim persegutoi hebrenjtë, më pas taksoi klerin dhe në fund hodhi sytë nga pasuria e madhe e templarëve.

Kështu, nga pëshpërimat shumë shpejt u kalua tek faktet. Në shtator 1307, pasi i quajti templarët “ujqër të maskuar si ëngjëj”, mbreti Filip nxorri një urdhër: “Kemi vendosur që të gjithë anëtarët e këtij Urdhëri në mbretërinë tonë të arrestohen, pa asnjë përjashtim, të mbahen të burgosur dhe të dërgohen për t’u gjykuar nga Kisha, dhe që pasuritë e tyre, të luajtshme e të paluajtshme të konfiskohen, të vihen në dispozicionin tonë dhe të ruhen me kujdes”. Akuzat që mbështesnin arrestimet ishin tre: herezi, sodomi dhe idhujtari. Efekti i menjëher- shëm ishte një: konfiskimi i pasurive.

ELEMINIMI

Papa Klementi V, i futur në valle si gjykatës, në fillim u përpoq të bëjë rezistencë, por pas dy muajsh u hodh në anën e mbretit, me një urdhër që u bënte thirrje të gjithë sovranëve të krishterë të imitonin Francën. Pas arrestimeve erdhën torturat, këto u shoqëruan pastaj nga rrëfimet dhe në fund dënimet me vdekje. Deri kur në vitin 1312 Urdhëri i Tempullit u shpërbë dhe pasuritë e tij iu transferuan Kalorësve Spitalorë. Në të vërtetë, në Francë pasuria që tashmë ishte “ruajtur me kujdes” nga mbreti nuk u kthye asnjëherë. Ish thesari i Templarëve nuk u fsheh në vende të çuditshëm: në fakt sot është në Banque de France.

Fundi i historisë? Aspak: mungon epilogu. Në mars të vitit 1314 Jacques de Molay, kreu i fundit i templarëve, vdiq në turrën e druve duke pretenduar pafajësinë. Papa që e kishte braktisur tek xhelatët francezë jetoi edhe vetëm një muaj, pastaj ndërroi jetë për shkak të një ataku dizenterie. Filipi IV i shkoi pas brenda vitit, duke rënë nga kali gjatë një seance gjuetie.

RREGULLI I TEMPLARËVE: GJITHÇKA E NDALUAR

E ndaluar të qeshësh, e ndaluar të flasës gjatë ushqimit, e ndaluar të gjuash kafshë të ndryshëm nga luani, e ndaluar të heqësh çizmet edhe në shtrat, e ndaluar të puthësh nënat dhe motrat sepse për shkak të puthjeve femërore (të gjitha, pa asnjë përjashtim) “burrat shpesh herë janë në rrezik”. Rregulli i Templarëve ishte shumë i ngurtë, plot me ndalime shpesh herë absurdë. Ekzistojnë dy versione (i pari në latinisht, tjetri në frëngjisht), të dy me 72 nene, që më
pas ndërhyrjet papnore i shumëfishuan në 678. Ai tekst rregullonte në mënyrë obsesive çdo aspekt të jetës: dieta, veshja, lutjet, privacia. Dieta: dreka normale e një templari përbëhej nga dy apo tre pjata fasule; mishi, shkak i “korruptimit të rëndë të trupit” mund të konsumohej vetëm tre herë në javë. Veshja: kalorësit duhej të visheshin me të bardha dhe të visheshin vetëm me lëkurë dhensh, nuk mund të përdornin kollare, “objekte të neveritshme”. Të ndaluar ishin gjerdanët e florinjtë, por nëse këta ishin dhuratë jo e kërkuar mund të toleroheshin me kushtin që të fshihnin natyrën e tyre. Lutjet: kur një sivëlla ndërronte jetë, të tjerët duhej të recitonin njëqind lutje në ditë për një javë të tërë. Privacia: nuk kishte aspak, sepse një templar nuk mund të udhëtonte i vetëm, as të vendoste dryn në bagazhet personalë: pastaj në drekë, duhej të ndante pjatën me një shok armësh.

Perkthimi: Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button