Në fund të muajit gusht, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), miratoi përdorimin emergjent të një lloji të ri testi të shpejtë të Covid-19:një pajisje me madhësinë e një karte krediti, që zbulon praninë e koronavirusit SARS-CoV.-2 në një mostër brenda 15 minutash, pa pasur nevojë për bërjen e analizave komplekse laboratorike.
Testi i ri, i cili kushton 5 dollarë dhe u zhvillua nga kompania farmaceutike “Abbott Laboratories”, në bazë të testeve të tjera të shpejta të përdorura për sëmundje të ndryshme infektive si gripi, është pjesë e familjes së testeve të antigjenit, i të njëjtit lloj testesh eksperimentale që po përdoren edhe në portet dhe aeroportet italiane. Ja sesi funksionojnë ato.
Çfarë janë antigjenet dhe si gjenden ato
Testet e Covid-it, ndahen në 2 kategori të mëdha:teste diagnostikuese, si tamponi dhe analiza e antigjenit, të cilat kërkojnë gjurmë të virusit SARS-CoV-2, dhe testet e antitrupave (serologjike), që kërkojnë molekula të prodhuara nga ata që kanë ranë në kontakt me virusin.
Ndryshe nga tamponi klasik i hundës dhe laringut, të dizenjuara për ta zbuluar ARN virale përmes një teknike të quajtur RT-PCR (reaksion zinxhir i kundërt i polimerazës), testi i antigjenit kërkon proteinat virale që janë të afta të lidhen me antitrupat, pra ato molekula
që njihen si të huaja nga trupi ynë, dhe që shkaktojnë reagimin e sistemit tonë imunitar.
Edhe testet e antigjenit bëhen duke marrë një tampon me sekrecione nga hunda ose fyti, një procedurë kjo e kryer nga personeli i specializuar shëndetësor. Megjithëse po studiohen mënyrat e gjurmimit të antigjeneve direkt tek pështyma, një procedurë që do të thjeshtonte shumë mbledhjen e mostrave.
Mukusi dhe pështyma e marrë, përzihen më pas me një tretësirë që “zbulon” çdo virus, çliron proteinat virale dhe lehtëson kalimin e tyre në një shirit, në të cilin ka antitrupa specifikë të aftë të lidhen me patogjenin. Nëse ekzistojnë antigjenet virale, antitrupat i gjejnë dhe i lidhin ato, dhe testi rezulton pozitiv. Nëse nuk janë të pranishme, ose janë të pranishme në sasi shumë të ulëta, testi del negativ.
Cili është efektiviteti i tyre?
Rezultatet janë në dispozicion brenda gjysmë ore, dhe lexohen me lehtësi (nëse ka ndonjë infeksion, shiriti e ndryshon ngjyrën). Nuk ka nevojë për teste laboratorike apo interpretime të veçanta mjekësore – siç është rasti me testet serologjike.
Sidoqoftë, shpejtësia vjen në kurriz të besueshmërisë:ndryshe nga tamponët me PCR, të cilët arrijnë të gjejnë një molekulë të vetme të ARN virale në të miliontën e një litri tretësire, dhe për këtë arsye nuk u shpëton asnjë infeksion që ka ndodhur, që të jenë pozitive testet e antigjenit, duhet të bien në kontakt me një mostër që përmban mijëra, në mos dhjetëra mijëra grimca virale.
Saktësia e tyre ka ende nevojë të përmirësohet:testi i kompanisë “Abbott”, e identifikoi saktë virusin në thuajse të gjitha rastet në javën e shfaqjes së simptomave, por vetëm në 75 për qind të rasteve nëse kryhet më vonë. Testet e tjera të antigjenit, kanë dhënë rezultate të ngjashme.
Pro dhe kundra
Siç shpjegohet në një artikull në “Nature”, kjo ndjeshmëri më e ulët mund të shfrytëzohet në avantazhin tonë. Në fakt, ndërsa metoda e PCR identifikon gjithashtu sasi shumë të ulëta të ARN virale (dhe për këtë arsye identifikon edhe njerëz të infektuar me virus, që tanimë nuk janë ngjitës), testi i antigjenit mund të identifikojë shpejt ata që përmbajnë ende sasi të mëdha virale dhe që janë më shumë infektivë, duke shpejtuar procedurat e izolimit të tyre.
Në shkolla, ai do të mundësonte identifikimin e çdo personi pozitiv me virusin, pa shpenzuar kohën normale të tamponit – duke shmangur karantinat parandaluese për të gjithë klasën ose të gjithë familjen e nxënësit. Por njëkohësisht, nuk dihet se cila është sasia virale përtej së cilës rriten shanset e infeksionit.
Ndjeshmëria më e ulët e testeve të antigjenit, mund të “mungojë” në disa raste, me rrezikun e shpërthimeve të reja epidemike. Sot ne e dimë se mjafton edhe një rast i lënë pas dore, për t’i dhënë virusit një mënyrë se si të vijojë të përhapet:në situata si ajo në Itali, ku po punohet për të frenuar shpërthimet infektive të vogla por gjithsesi serioze, kjo mënyrë nuk mund të jetë gjithnjë optimale.
Nga mukoza tek pështyma
Të dyja testet molekulare (ato që kërkojnë gjurmë të ARN-së virale, si tamponët) dhe testet e antigjenit, mund të kërkojnë në të ardhmen edhe në pështymë fragmente gjenetike dhe proteina të SARS-CoV-2.
Një version i testit të shpejtë molekular, po përdoret aktualisht për të kontrolluar lojtarët e ligës amerikane të basketbollit NBA. Përhapja e testeve të pështymës, do të lejojë kontrolle të shpejta në vendet ku ato janë të nevojshme, dhe në një mënyrë më pak invazive, pa pasur nevojë për punonjës të specializuar të shëndetësisë. / Focus – Bota.al