EkonomiHistoriMAIN

Dështimi i komunizmit: Leksioni mbi vlerën e kapitalizmit, të cilin Lenini e mësoi shumë vonë

Nga Rainer Zitelmann

Në muajt shkurt dhe mars 1921, punëtorët flakën tej mjetet e tyre të punës, dhe hynë në grevë në të gjithë Rusinë. Një nga qendrat e kësaj proteste ishte Petrogradi. Njësitë speciale të ÇEKA-s hapën zjarr ndaj punëtorëve demonstrues. Në mesin e bolshevikëve shpërtheu paniku, ndërsa punëtorët dhe ushtarët u vëllazëruan midis tyre.

Kronshtadi, një bazë detare dhe qytet-port i pozicionuar në një ishull pranë Shën Petersburgut, ishte vendi i një rebelimi nga marinarët e dy kryqëzorëve të blinduar. Më 1 mars, aty u grupuan më shumë se 15.000 njerëz, që përfaqësonin 1/4 e popullsisë civile dhe ushtarake të bazës detare.

Grevat dhe demonstratat u shtypën me dhunë,dhe numri i të vdekurve ishte me mijëra. Mbi 8.000 kryengritës u arratisën në Finlandë, dhe u rikthyen më vonë në Rusi, vetëm pasi iu premtua amnisti. Por pavarësisht këtij premtimi, ata u arrestuan menjëherë dhe u transportuan në një kamp përqendrimi, ku shumë prej tyre vdiqën.

Historiani Gerd Kenen shkruan: “Triumfi dhe diktatura e bolshevikëve, u mbështet jo vetëm tek asgjësimi i plotë i lëvizjes punëtore ruse”. Lenini nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse ta pranonte se vazhdimi i një politike ekonomike radikale, do të kërcënonte themelet e pushtetit sovjetik.

Prodhimi industrial kishte rënë tashmë në 1/10 e nivelit të vitit 1913, dhe njerëzit në të gjithë Rusinë po vdisnin nga uria. Ndaj, Lenini bëri një kthesë dhe propozoi një “Politikë të Re ekonomike” (NEP), e cila u miratua në Kongresin e 10-të të Partisë Komuniste Ruse në marsin e vitit 1921.

Lenini e pranoi se “kemi pësuar një humbje shumë të rëndë në frontin ekonomik”. Politika ekonomike e bolshevikëve, shtoi ai “e kishte penguar rritjen e forcave prodhuese, dhe ishte dëshmuar si shkaku kryesor i krizës së thellë ekonomike dhe politike që përjetuam në pranverën e vitit 1921”.

Në terma më të qartë:ekonomia e planifikuar socialiste kishte dështuar sapo ishte vënë në zbatim. Tek e fundit, Lenini ishte mjaftueshëm i zgjuar për të kuptuar se e vetmja zgjidhje ishte “rikthimi në një masë të konsiderueshme tek kapitalizmi”. Këto ishin të njëjtat fjalë që  përdori ai për të formuluar kthesën e tij politike.

NEP-i legalizoi prodhimin e orientuar drejt fitimit, pronësinë private mbi prodhimin e mallrave të konsumit dhe grumbullimin e pasurisë. Komunistët i lejuan ndërmarrjet shtetërore që t’ua dorëzonin fabrikat e tyre individëve privatë, dhe t’u besonin privatëve si financimin, ashtu edhe logjistikën e aktiviteteve të biznesit.

Madje në korrikun e vitit 1921, liria e tregtisë iu rikthye zejtarëve dhe kompanive të vogla industriale. Udhëzimet e reja të miratuara në vjeshtën e vitit 1921 kundërshtuan me vendosmëri “trajtimin e barabartë të punëtorëve me kualifikime të ndryshme”.

Shpërndarja falas e ushqimit, mallrave masive të konsumit dhe shërbimeve publike – të sapo lavdëruara si “arritje” të mëdha të socializmit – u anuluan. Nuk flitej më për heqjen e parave nga qarkullimi. Historiani Helmut Altrihter shkroi:“Shteti ruajti kontrollin e ‘pikave komanduese të ekonomisë’:bankat, emetimin e parave, sistemin e transportit, tregtinë e jashtme, industritë e mëdha dhe ato të mesme. Megjithatë përveç këtyre ai po përpiqej të arrinte një produktivitet dhe efikasitet më të madh, duke siguruar më shumë konkurrencë, më pak dominim nga lart dhe më shumë iniciativë nga poshtë”.

Ajo që ndodhi më pas, ishte ajo që ndodh gjithmonë, kur ekonomisë së drejtuar nga shteti i shtohet edhe një dozë e vogël kapitalizmi:ekonomia e merr veten. Uria (në vitet 1921-1922, të paktën 5 milion nga 29 milion njerëz të varfër vdiqën nga uria; disa vlerësime flasin për deri 14 milionë viktima nga uria) u reduktua midis viteve 1923-1928, produktiviteti u rrit edhe gjatë viteve 1925/1926, shumica e industrive të mëdha u rikthyen në nivelet e produktivitetit të para luftës. Politika e Re Ekonomike, ishte pranimi nga ana e komunistëve se narrativa zyrtare, e cila fajësonte “diversantët dhe agjentët e huaj” dhe faktorë të tjerë të jashtëm për dështimin e të korrave, urinë dhe rënien e prodhimit, nuk përputhej me faktet në terren.

Shkaqet kryesore të problemeve që kishte Rusia qëndronin tek vetë politikat ekonomike socialiste. Por për komunistët, NEP-i nuk përfaqësonte asgjë më shumë sesa vetëm një “tërheqje taktike”. Në dhjetorin e vitit 1926, Stalini deklaroi:“Ne prezantuam NEP-in, lejuam kapitalin privat, dhe u tërhoqëm pjesërisht për të rigrupuar forcat tona, dhe më pas për t’uhedhur në sulm”. Dhe pasojat e këtij “sulmi” janë më se të njohura:zie bukës, dhe një terror i shumëpërhapur gjatë politikës që Stalini e quajti si “asgjësimi i kulakëve”. / “Linkiesta” – Bota.al

Back to top button