Thenie

Thuajse e përlotur, por tepër e sigurt në vete, Angeline Jolie arriti t’i prekte të gjithë me fjalimin e saj

Në vitin 2013, Angeline Jolie u nderua me çmimin e humanitares në Governors Awards. Angeline përmendi dëshirën e madhe të së ëmës së saj që ajo të bëhej një aktore e famshme dhe të kishte sa më shumë ndikim pozitiv në botë. Ajo e çonte në çdo konkurs aktrimi, e mbështeste kur humbiste dhe gëzonte bashkë me të, si një vajzë e vogël, kur Angeline i kalonte konkurset. Pas një momenti heshtjeje ku aktorja premtoi të mos qante për vdekjen në moshë të re të së ëmës nga kanceri i gjirit, ajo vazhdoi:

“Asnjëherë nuk e kam kuptuar, se pse disa njerëz kanë lindur me mundësinë që mua më është ofruar për të ecur në këtë rrugë në harkun e jetës. Nuk kam kuptuar as pse në anën tjetër të botës mund të gjendet një grua kështu si unë, me të njëjtat aftësi, me të njëjtat dëshira, me të njëjtën etikë për punën dhe dashuri për familjen, që me shumë mundësi mund të bënte filma më të mirë dhe fjalime më të mira se unë, por që jeton në një kamp refugjatësh dhe zëri i saj nuk mund të dëgjohet. Ajo shqetësohet për atë që hanë fëmijët e saj, shqetësohet për t’i pasur ata sa më të sigurtë dhe për të gjetur ndonjë mundësi që ata të kthehen në shtëpi. Unë nuk e di se pse jeta ime është kështu dhe jeta e saj është komplet ndryshe nga imja. Nuk e kuptoj këtë gjë, por unë do të bëj atë që mamaja ime më ka kërkuar gjithmonë. Do të bëj më të mirën që kam mundësi të bëj me këtë jetë, për të qenë e dobishme.

Fakti që sot qëndroj pranë jush dhe në mes të shumë artistëve të tjerë të suksesshëm, tregon se unë e kam mbajtur fjalën që i kam dhënë mamasë sime. Jam e sigurtë se, nëse ajo do të ishte gjallë, do të ishte vërtet krenare për mua. Kështu që, faleminderit për këtë çmim”. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button