UNHCR ka sjellë dëshmitë e të mbijetuarve: “Ishin tre gomone. Në njërën kishte 29 imigrantë, që vdiqën nga i ftohti, në dy të tjerat gjithsej ishin 210”. Njëra prej gomoneve u fundos, tjetra u shfry duke shkaktuar panik
Një tjetër tragjedi e dëshpërimit në ujërat e Mesdheut. Bilanci i saj në Kanalin e Siçilisë, ku kanë humbur jetën 29 imigrantë të ngrirë prej të ftohtit sa vjen e rritet.
Mbi të gjitha sepse kishin qenë tre gomonet që kërkonin të mbërrinin në brigjet e Italisë dhe jo vetëm një, si mendonte fillimisht Marina Ushtarake. Së dyti sepse, sipas dëshmive të të mbijetuarve të ofruara nga UNHCR, në këto “karroca të shpresës” udhëtonin më shumë se 200 klandestinë. Nuk dihet më asgjë për ta. Me shumë gjasë janë të gjithë të vdekur.
Konfirmimi ka ardhur nga Carlotta Sami e Unhcr, e cila ka rrëfyer dëshmitë e nëntë imigrantëve të shpëtuar nga një rimorkiator afro 100 milje larg Lampeduzës. “Në total ishin tre gomone me imigrantë në bord – shpjegon Sami – në njërën prej tyre ishin edhe 29 imigrantët që më pas vdiqën prej të ftohtit dhe 76 të shpëtuarit. Në dy gomonet e tjera ishin më shumë se 210 vetë. Prej këtyre vetëm nëntë janë shpëtuar”. Njëra prej gomoneve të tjera ishte fundosur, kanë rrëfyer mes lotëve imigrantët, ndërsa tjetra ishte carë duke shkaktuar panik.