Kjo histori e shkurtër na flet për ekuilibrin dhe rëndësinë e tij në jetë. Ajo flet për një trëndafil të kuq në një kopsht, shumë të adhuruar dhe të konsideruar nga të gjithë si më i bukuri në botë. Trëndafili nuk mbahej dot nga gëzimi që i shkaktonin gjithë këto lajka. Sidoqoftë, ai dëshironte që të admirohej më nga afër dhe nuk e kuptonte pse të gjithë po e shikonin për së largu.
Një ditë vuri re në këmbët e tij një zhabë të madhe dhe të errët. Nuk ishte aspak e bukur, me ngjyrën e saj të zbehtë dhe njollat e shëmtuara mbi lëkurë. Për më tepër, kishte edhe sy të frikshëm. Trëndafili e kuptoi që njerëzit nuk po i afroheshin për shkak të kësaj kafshe.
Menjëherë e urdhëroi zhabën që të largohej. A nuk e kuptonte kjo zhabë, që po i prishte imazhin? Zhaba, shumë e përulur dhe e bindur, pranoi menjëherë. Nuk donte të shqetësonte, kështu që u largua.
Brenda disa ditësh, trëndafili filloi të vyshket. Gjethet dhe petalet filluan të bien. Askush nuk donte ta shikonte më. Një hardhucë kaloi atypari dhe pa që trëndafili po qante, kështu që e pyeti se si e kishte hallin, dhe trëndafili iu përgjigj se milingonat po e vrisnin. Pas kësaj, hardhuca i tha atë që trëndafili e dinte tashmë: “Ishte zhaba që hante milingonat dhe të lejonte ty të ishe i bukur”. / bota.al