Ekziston vetëm një komunitet njerëzor, ai i Amondavas së Amazonës, të cilët nuk e njohin fjalën kohë: në kulturën e tyre nuk ekziston asgjë e ngjashme me muajt dhe me vitet. A janë ata “të çuditshëm”? Ndoshta jo. Koha, një shpikje kulturore që shoqëria moderne e ka trashëguar nga babilonasit e lashtë, ndaj të cilës ka aplikuar një seri rregullash gjithmonë e më të ngurta. Pa të cilat, tashmë, nuk bëjmë dot
Amondavat, një popullsi që jeton në një pyll të vetmuar brazilian, duket se nuk zotërojnë një nocion abstrakt të kohës. Axhenda ditore, kujtesa, zile, kalendarë, orë: e jona është një shoqëri e munduar nga koha dhe nga “vrapi” i saj. Mjafton një sekondë e vetme e paparashikuar, për të të çoroditur totalisht.
Sado që organizimi i kohës mundet të variojë nga një kulturë tek tjetra, marrëdhënia midis kohës dhe hapësirës është, sipas antropologëve, një fakt pothuajse konstant dhe i përhershëm.
Fraza të tilla si, “po afrohet vera”, ose “mezi po pres sa të vijë dasma jote”, që lidhin afrimin e një ngjarjeje me një ide lëvizjeje dhe vendosje hapësinore, janë pothuajse universale.
FISI PA SENSIN E KOHËS
Por është dikush që bën përjashtim. Amondavat, një popullsi që jeton në një pyll të vetmuar të shtetit brazilian të Rondonias, i cili hyri për herë të parë në kontakt me botën në vitin 1986, duket se nuk zotëron një nocion abstrakt të kohës.
Si shumë fise amazononiane, Amondavat shkojnë për aktivitetet e tyre të përditshme (gjueti, peshk dhe pak bujqësi lokale), me një numër shumë të kufizuar termash, që përfshijnë vetëm 4 numra. Orë e kalendarë janë instrumenta të panjohura dhe dita lidhet me pozicionin e Diellit në qiell. Nuk ka terma që përcaktojnë muajt ose vitet, dhe periudhat e kohëve më të gjata tregohen si nëndarje të stinëve të thata ose me shira. Askush nuk i feston ditëlindjet: kalimi nga një moment i jetës tek tjetri tregohet me një ndryshim emri, dhe mosha i korrespondon një statusi të ndryshëm social në brendësi të komunitetit. Në këtë kontekst, koncepti i kohës si njësi abstrakte nuk ekziston. Kur i fton të përkthejnë fjalën portugeze kohë, Amondavat përgjigjen: Kuara, domethënë Diell.
Në një studim mbi sistemin gjuhësor të Amondavas të botuar në vitin 2011, studiuesit e Universiteteve të Portsmuthit (Britani e Madhe) dhe Rondonias (Brazil), kanë provuar t’i mësojnë kësaj popullsie shprehje si, “po arrin stina e thatë”, që aplikon konceptin e lëvizjes drejt një ngjarjeje kohore. Nuk ia dolën, dhe jo për arsye të një problemi konjitiv: Amondavat e përdorin në fakt pa problem këtë lloj fraze në portugalisht, gjuha e tyre e dytë. Dhe aplikojnë në mënyrë korrekte konceptin e lëvizjes, me lëvizjen e dukshme të Diellit. Por nuk ia dalin të planifikojnë një ngjarje në kohë: koncepti që një fakt të ketë kaluar me kohë, ose duhet ende të mbërrijë, thjesht refuzohet prej tyre.
POR KOHA EKZISTON MEGJITHATË?
Hipoteza e studiuesve është që mungesa e kalendarëve dhe një sistem numerik kaq i kufizuar kanë përcaktuar mungesën e një koncepti abstrakt të kohës, të tillë për të rrokur dhe inkuadruar ngjarje të tjera. Për Amondaat koha ekziston në lidhje me alternimin e ngjarjeve natyrore, por jo si kohë në vetvete. Prandaj nuk është nënndarë dhe e kapshme me një shënim në rendin e ditës, as e imagjinueshme me një rrjedhë kohe të supozuar në hapësirë. Koha shkrihet me vetë ngjarjet dhe ajo nuk është, si për ne, një superkategori mendore, për t’u aplikuar në atë që ndodh.
A janë ata “të çuditshëm”? Ndoshta jo. Nëse i hedh një sy historisë së qytetërimit njerëzor, vërehet që shoqëritë e vogla fshatare, të organizuara rreth takimeve ballë për ballë, ia kanë dalë gjithmonë të funksionojnë pa ndihmën e kalendarëve e të orëve. Një shpikje kulturore që shoqëria moderne e ka trashëguar nga babilonasit e lashtë, ndaj të cilës ka aplikuar një seri rregullash gjithmonë e më të ngurta. Pa të cilat, tashmë, nuk bëjmë dot./Airone-Bota.al