Bota

Trump: do ta pranoj me kusht rezultatin e zgjedhjeve

screen-shot-2016-10-21-at-09-01-25

Kandidati republikan për president Donald Trump la të kuptohet të enjten se do ta pranonte me kusht rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit.

“Unë do ta pranoj rezultatin, në se ai është i qartë, por në se ai nuk është i tillë, kam gjithashtu të drejtën të hap proces gjyqësor”, – i tha zoti Trump përkrahësve të tij në një miting fushate në Delauer të Ohajos.

Më parë të enjten, zoti Trump pati thënë se “do ta pranonte rezultatin e këtyre zgjedhjeve presidenciale historike, në se i fiton ato”.

Zoti Trump dhe rivalja e tij demokrate Hillary Clinton po e vazhdojnë fushatën presidenciale, e cila ka qenë mjaft e ashpër dhe që po afrohet fundi.

Dje zoti Trump përsëriti thëniet se procesi zgjedhor është manipuluar, por nuk pranoi të thonte në se do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Ai shtoi se mendon që media i “ka helmuar” mendjet e votuesve kundër tij dhe se rivalja e tij, Clinton, nuk duhej të ishte lejuar kurrë që të kandidonte.

Pas debatit, zonja Clinton tha se refuzimi i zotit Trump për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve ka për qëllim të fajësojë dikë tjetër për situatën e fushatës së tij.

Zonja Clinton po e vazhdon fushatën, duke çuar një ekip personash me influencë në disa shtete të tjera të rëndësishme për zgjedhjet.

Presidenti Barack Obama shkon të enjten pasdite në Florida, një shtet që ka 29 vota elektorale, më tepër se çdo shtet tjetër i pavendosur.

Zonja e Parë Michell Obama shkon në një miting në shtetin e Arizonës, për të zhvilluar fushatë për zonjën Clinton, ndërsa nënpresidenti Joe Biden shpreson ta shtojë mbështetjen për zonjën Clinton në Nju Hemshër, ku ai do të marrë pjesë në një minting në qytetin Nashua. Ndërsa kandidati për nënpresident i zonjës Clinton, Tim Kaine, shkon në Karolinën e Veriut, për të marrë pjesë në dy takime të veçanta fushate.

Zoti Trump merr pjesë në një panair në Delauer të shtetit Ohajo, që ka 18 vota elektorale.

Zëri i Amerikës

Leave a Reply

Back to top button