Bota

Trump hyn në histori, Kongresi miraton impeachment-in

Abuzim me pushtetin dhe pengim i Kongresit. Këto janë dy kryeakuzat për të cilat Dhoma e Përfaqësuesve ka kërkuar shkarkimin e Donald Trump nga presidenca e Shteteve të Bashkuara. Pas një dite të tërë debati, demokratët dhe republikanët u gjendën në fronte krejtësisht të kundërta. Çështja tani shkon në Senat, i cili do ta shqyrtojë atë muajin tjetër. Sipas të gjitha gjasave – në një Senat me shumicë republikane dhe në mungesë të provave të reja, të bujshme – Trump do të shfajësohet nga akuzat. Por votimi i mbrëmjes së të enjtes, i cili shënoi kulmin e një një hetimi tre mujor, shënon një moment historik. Trump është presidenti i tretë në historinë amerikane që akuzohet për “krime të rënda dhe sjellje të keqe”.

Abuzimi me pushtetin kaloi me 230 vota kundër 197 (votuan kundër vetëm dy demokratë, Collin Peterson i Minesota dhe Jeff Van Drew nga New Jersey); pengimi i Kongresit u votua nga 229 deputetë kundër 198 (përveç Peterson dhe Van Drew, në këtë rast votoi jo edhe demokrati nga Maine, Jared Golden). Tulsi Gabbard, që garon për primaret e Demokratëve, thjesht votoi “i pranishëm” në të dyja rastet, ndërsa Justin Amash, ish republikan i Michiganit i cili u bë i pavarur, votoi po në të dyja rastet. Votimi vjen 85 ditë pas shpalljes së hetimit nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila me muaj kishte rezistuar ndaj presionit nga sektorët më liberalë të partisë së saj. Pelosi, së bashku me dy demokratët që drejtuan Komisionet e Inteligjencës dhe Drejtësisë në hetim, Adam Schiff dhe Jerry Nadler, sheh pjesën më të madhe të trashëgimisë së saj politike të shënuar nga kjo çështje.

“Eshtë një ditë e trishtuar për Amerikën”, tha Pelosi pas votimit. Dhe para se të fillonte debati, Pelosi kishte sqaruar se “sot ne mblidhemi nën çatinë e këtij tempulli të demokracisë për të ushtruar një nga kompetencat më solemne që zotëron ky organ: impeachment-in e presidentit të Shteteve të Bashkuara”. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button