Bota

“Trump show”, mes Amerikës “që po vdes”, dhe “shpëtimtarit” që po vjen

Screen Shot 2016-07-20 at 12.10.18

Amerika është “copë”, duhet rend dhe ligj. Rrëfimi i Donald Trumpit është me tone të ndezura, paraqet vizionin më të zymtë dhe dekadent të Shteteve të Bashkuara, një shoqëri që po zbret shpejt në paligjshmëri dhe anarki. Ajo që përshkruan Trumpi, nuk është Amerika e numrave realë, me ekonominë që po rimëkëmbet, papunësinë nën 5%, burën e shëndetshme. Retorika flet për një Amerikë që nuk ia del dot, që ka nevojë për dikë që ta shpëtojë.

Nëse Melania Trumpit i është dhënë detyra për të rrëfyer “ëndrrën e saj amerikane”, për të lëshuar një mesazh uniteti dhe për të zbutur imazhin e burrit të saj, nga punimet e konventës republikane në Cleveland, del një vizion apokaliptik i gjendjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas 8 viteve të presidencës së Obamës. Një vend që nuk është i sigurt, që nuk rritet dhe nuk punon, që nuk ka më peshë në botë, që nuk mendon si fuqi e madhe. Benzinë në zjarr për një shoqëri, ku janë ndezur kontrastet mes komunitetit afro-amerikan dhe policisë, në një konventë të blinduar, brenda një qyteti të survejuar.

Shfaqja e Trumpit ka si kulm të saj kurorëzimin e manjatit, si kandidat republikan për Shtëpinë e Bardhë, por ka si qëllim nisjen e një gare elektorale, që tani e deri në nëntor, e cila parashikohet agresive në ton dhe përmbajtje, dhe e cila do të mbështetet mbi të gjitha në frikën dhe reagimin me një dorë të hekurt të udhëheqjes konservatore, e cila do të përpiqet ta shkatërrojë Hillary Clintonin, në të gjitha frontet.

Nuk janë të shumtë udhëheqësit republikanë, që janë gati të investohen për Donald Trumpin. Por, kjo për “The Donald” është vetëm një tjetër yll në gjoks: ai nuk është politikan i vjetër republikan, është “politikisht jokorrekt”, megjithatë, është njeriu “i bërë vetë” dhe lartëson madhështinë e tij, është i huaji që ka befasuar Partinë Republikane, e mban mbi shpatulla dhe e shpie në Shtëpinë e Bardhë. Vihen në lëvizje yjet televizive, sherifët, veteranët, familjarët e viktimave të terrorizmit dhe të emigrantëve të paligjshëm. “Të bëjmë Amerikën përsëri të sigurtë” është sllogani i ditës së parë të punimeve, “Ta bëjmë Amerikën të funksionojë përsëri”, është tema e ditës së dytë.

Eshtë aty Scott Baio, aktori i njohur edhe si Chucky në serinë televizive “Happy Days”, i cili thekson SHBA “janë në një pozitë shumë të keqe, dhe ne kemi nevojë për të Trumpin, për të zgjidhur problemet.” E thotë edhe Antonio Sabato, aktori amerikan i lindur në Itali, duke vënë në dukje nevojën për të “respektuar” rregullat e emigracionit. Ngjitet në skenë Marcus Luttrell, ish-Navy Seal që u bër i famshëm në libra dhe filma, si i mbijetuari i vetëm i një misioni në Afganistan, sipas të cilit “lufta tjetër është këtu” dhe Trumpi “do të kujdeset më mirë për veteranët.”

Godet direkt Hillary Clintonin Pat Smith, nëna e një amerikani, i cili vdiq në sulmin në Bengazi: “Ajo gënjeu, e meriton burgun.” Një sherif në Uisconsin, David Clarke, qan në skenë “Blue lives matter” (Jetët e policëve kanë rëndësi), duke sulmuar kështu lëvizjen “Black lives matter”, e cila pretendon më shumë të drejta dhe më shumë siguri për komunitetin afro-amerikan. Eshtë edhe Senatori i Ajouas, Joni Ernst, i cili paralajmëron se Isis është i pranishëm në të 50 shtetet e SHBA: nuk ofron prova për fjalët që thotë, por sidoqoftë e thotë.

Flet edhe Michael Flynn, veteranë i luftës dhe anëtar i forcave speciale Navy Seals, që i “turret” Clintonit. Rudolf Giuliani hyn në skenë dhe investohet personalisht për “The Donald”. “Atë që unë kam bërë në Nju Jork, Donald Trumpi mund ta bëjë për Amerikën”, thotë ish-kryetari i bashkisë që pastroi Big Apple. Rudy gjithashtu flet për kërcënimin xhihadist ndaj Perëndimit: “.. Unë nuk kam frikë të them terrorizmi islamik ekstrem. Ju e dini se kush jeni. Po vijmë t’ju kapim”.

Donaldi ndez motorrët në pritje të kandidimit zyrtar dhe fjalimit të të enjtes. Partia Republikane nuk e ndjek kompakte, por forca e tij goditëse nuk gjen kundërvënie mes shumë delegatëve rebelë. Rruga e tij drejt Shtëpisë së Bardhë është sidoqoftë malore, Hillary Clinton e nis e favorizuar prej sondazheve. NYT i jep 76% shanse – por Trumpi është gati të “shpërthejë ferrin”. /HuffingtonPost.it / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button