Ndër komentet e shumta në një postim të Heather Parisit, balerinë e njohur në Amerikë, hasim në një koment të tillë: “Sa shumë je plakur Heather, ishe kaq e bukur dikur”. Këtë koment mund ta prisnit nga ndonjë mashkull, por jo. E kishte shkruar një femër.
Heather, në atë kohë 60 vjeçe, vendos t’i përgjigjet. Përgjigjen e hedh me një postim të ri në Instagram , pa ofenduar askënd, duke peshuar çdo fjalë e duke treguar idetë e saj mbi bukurinë, të cilat ishin ndryshe nga ato të zakonshmet.
“Ke të drejtë, – shkruan ajo. – Trupi im dhe fytyra ime kanë ndryshuar shumë nga dekada më parë. Kanë ndryshuar edhe nga shtatzënia ime e fundit në moshën 50 vjeçare. Tani jam 61 vjeçe dhe nuk mund të pretendoj të kem të njëjtën pamje si në rininë time. Ajo paraqitje nuk më përket më. Por unë që nga fillimi kisha një parim të vetëm, të cilin do e përmbushja me çdo kusht, nuk do përpiqesha të dukesha më e bukur nëpërmjet kirurgjisë.
Fytyra e një femre të plakur është një akt vërtetësie dhe modestie njëkohësisht. Është vetëdija se ajo që na bën unikë, është jeta që kemi kaluar, jo pamja jonë e jashtme. Dhe më besoni për diçka, unë kurrë nuk do ta ndryshoja “plakjen” e sotme me “bukurinë” e djeshme, sepse tani unë kam shumë më tepër për të treguar dhe kam një qetësi që nuk e kam pasur kurrë”.
Çfarë përgjigje e zgjuar. Çfarë femre e mrekullueshme. Në një kohë kur shumica e femrave bëjnë gjithçka për të sfiduar kohën, në mënyrë që të duken më të reja e më të bukura, të duash plakjen është një vendim thuajse i pazakontë, ama tepër i guximshëm.