Bota

Turqia gjendet në telashe serioze

Vendi ka përjetuar edhe më parë periudha trazirash. Por këtë herë mund të jetë ndryshe.

Screen Shot 2015-10-08 at 08.58.05

Nga Soner Cagaptay

“The Atlantic”

Unë jam zakonisht optimist, kur është fjala për të ardhmen e Turqisë. Në fakt, kam shkruar një libër të tërë për rritjen e Turqisë. Por këto ditë, jam i shqetësuar. Vendi po përballet me një kombinim toksik të polarizimit politik, paqëndrueshmërisë së qeverisë, ngadalësimit ekonomik, dhe kërcënimeve të dhunës, si nga brenda ashtu edhe jashtë Turqisë, që shumë shpejt mund të prodhojnë një katastrofë.

Gjasat e këtij skenari po rriten, në mesin e bombardimeve të Rusisë në Siri në mbështetje të aleatit të saj, presidenti sirian Bashar Al-Asad, që kërcënojnë të shkatërrojnë rebelët e moderuar dhe forcuar ekstremistët në luftën civile në Siri, duke e lënë Turqinë të merret me dy fqinjë të padisiplinuar:Asadi dhe ISIS-i.

Sigurisht, Turqia ka kaluar edhe më herët në periudha të krizës politike dhe ekonomike. Gjatë viteve ‘70, ekonomia e vendit falimentoi, ndërsa paqëndrueshmëria çoi përleshje mes grupeve militante të krahut të majtë dhe të djathtë dhe forcave të sigurisë, që shkaktuan mijëra viktima.

Pastaj, në vitet ‘90, Turqia u prek nga inflacioni 3-shifror, dhe nje kryengritje e re kurde që shkaktoi dhjetëra mijëra të vdekur. Turqia i mbijetoi të dyjave në  këto dekada. Historiani tek unë, më thotë se Turqia do të jetë në gjendje të përballojë edhe goditjen që po vjen këtë herë. Por analiza më thotë se këtë herë gjerat duken ndryshe.

Vetëm një gjë është e sigurtë për momentin:problemi kurd i Turqisë ka ndryshuar. Deri këtë vit, 10- 12 milionë kurdë, ndonëse përfaqësonin rreth 15 përqind të popullsisë turke, nuk kishin një forcë të unifikuar politike. Duke nga filluar në vitet ‘90, kurdët nacionaliste prireshin të votonin për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia dhe Shtetet e Bashkuara e cilë sojnë  një grup terrorist, dhe që luftoi për dekada të tëra për pavarësi nga qeveria turke.

Por ata votues, nuk ishin të gjithë pjesë e elektoratit kurd. Që nga vitet ‘60, kurdët alevianë me prirje të majta, kanë votuar për socialdemokratët e Partisë Republikane Popullore, e cila është një lëvizje turke nacionaliste dhe laike. Ç’është më e rëndësishmja, kurdët konservatorë, që në vlerësimin tim përfaqësojnë gati gjysmën e popullsisë kurde, kanë qenë të prirur të votojnë për partinë pro-islamike për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) qëkur ajo u themelua nga ish-kryeministri dhe presidenti aktual  Rexhep Taip Erdogan në vitin 2001.

Me pak fjalë, shumë prej kurdëve e pëlqenin qeverinë, e cila nga ana e saj luftoi vetëm kurdët nacionalistë. Madje Erdogan nisi negociatat me PKK në vitin 2012, me shpresën e dhënies fund të kryengritjes. Por dinamika ndryshoi gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në qershor të  këtij viti, kur kurdët liberalë, konservatorë dhe nacionalistë u bashkuan rreth Partisë Demokratike Popullore (HDP). (Ndryshe nga PKK, krahu ushtarak i lëvizjes nacionaliste kurde në Turqi, HDP nuk mbështet dhunën, ndonëse Erdogan ka tentuar shpesh që të mos bëjë dallime).

Kurdët alevianë u tërhoqën nga qasja liberale e HDP-së për çështjen e grave si dhe të drejtat e punëtorëve, ndërsa kurdët konservatorë e braktisën partinë  e Erdoganit për HDP, mesa duket për shkak të ngurrimit të presidentit për të ndihmuar qytetin sirian kurd të Kobanit, ku ky i fundit u rrethua për herë të parë nga Shteti Islamik në shtator të vitit 2014.

Duke pasur parasysh konsolidimin politik të kurdëve turq nën HDP-në, kur qeveria filloi sulmet ajrore kundër PKK-së këtë verë, ajo rrezikonte të fillonte një luftë me gjithë komunitetin e saj kurd. Vetë  natyra e luftimeve të fundit ka qenë një rast i tillë. Në shtator, qeveria vendosi një shtetrrethim një javor; stakoi energjisë elektrike, ndaloi qasjen në internet dhe telefona; dhe dërgoi mijëra trupa ushtarake dhe policore në Cizre, një qytet më shumicë kurde prej 130 mijë banorësh në kufirin turko-siriano-irakian, para se forcat e sigurisë të mund të krijonin një perimetër të fortë sigurie.

Më herët kur qeveria luftonte PKK-në, ajo mund të llogaristë edhe ndihmën nga popullata lokale kurde. Këtë herë nuk është rasti. Dhe Cizre, është vetëm fillimi i sfidë të re kurde për Turqinë. Kufiri me Sirinë prej 500 miljesh, është bërë një pengesë e përshkueshme për shkak të politikës së qeverisë, që inkurajon rebelët të cilët luftojnë regjimin e Asadit.

Por kufiri është poroz për flukset në të dyja kahet. Mbështetja nga Siria e kurdëve të mirë-organizuar dhe të mirë-armatosur pro-PKK, mund të nxisë luftimet në Turqi, duke komplikuar përpjekjet e qeverisë jo vetëm brenda vendit, por edhe në Siri, ku Ankaraja mbështet grupet që funksionojnë pranë zonave kurde, në luftën e tyre kundër regjimit të Asadit.

Për herë të parë, Turqia rrezikon një kryengritje kurde të dy vendeve. Dhe se i njëjti kufi me Sirinë, ofron një portë për sulmet e ISIS-it brenda Turqisë. Në korrik, pasi Shteti Islamik mori përsipër një sulm vetëvrasës në qytetin turk të Suruçit që vrau më shumë se 30 persona, Erdogan ra dakord të hapë bazat turke për avionët dhe dronët amerikanë, duke u zotuar t’i bashkohet fushatës amerikane për të bombarduar objektivat e ISIS-it në Siri. Duke vepruar kështu, Erdogan garantoi që ISIS-i ta shohë Turqinë si një armik, dhe që  në mënyrë të pashmangshme do të sulmojë sërish vendin. Pyetja e vetme është kur, dhe në  çfarë  pë rmasash.

Raporti mbi demokracinë

Turqia është teorikisht mjaft e fuqishme, me mbështetjen e SHBA-së, për të përballuar kërcënimet si nga ISIS-I ashtu edhe PKK-ja. Por nuk është e qartë, nëse qeveria e ka mbështetjen e brendshme, që i nevojitet për ta bërë këtë. Ky është thelbi i brengave të mia:Në një kohë tjetër, shumica e turqve do ta jepnin këtë mbështetje. Ndonëse pa qejf, ata kanë qëndruar shpesh pas qeverisë, madje edhe me koston e jetës dhe lirisë për hir të sigurisë së tyre. Ky nuk duket të jetë rasti në klimën aktuale politike.

Shqetësimet turke mbi PKK-në dhe ISIS-in, duket se janë nxitur nga polarizimi mes kampeve pro dhe anti-AKP. Në kulmin e kryengritjes së PKK-së në vitet ‘90, kam marrë pjesë në disa funerale në Turqi, ku anëtarët e familjeve të oficerëve të sigurisë të vrarë në luftime, do të përshëndesnin përpjekjet e qeverisë turke kundër kryengritësve, gjatë vajtimit për të dashurit e tyre.

Që prej korrikut, mbi 70 anëtarë të policisë dhe të ushtrisë turke janë vrarë nga PKK-ja, dhe në shumë raste funeralet e tyre janë kthyer mitingje kundër AKP-së dhe Erdoganit. Në prag të sulmit në Suruç, protestuesit fajësuan qeverinë se dështoi ta parandalojë sulmin.

Turqia është një demokraci parlamentare, por gjithnjë e më shumë ajo po i ngjan me një sistem de facto presidencial, me Erdoganin në krye. Burimi i polarizimit të rrezikshëm të Turqisë është vetë Erdogani. Ky i fundit i ka fituar zgjedhjet e njëpasnjëshme që nga viti 2002, ndërtoi kultin e individit, si një lloj humbësi autoritar, duke e portretizuar veten si një viktimë që  është i detyruar të godasë ashpër ata që “komplotojnë” për të minuar autoritetin e tij.

Mbi këtë bazë, ai ka ka shënjestruar me sukses dhe brutalizëm ushtrinë laike, bizneset, liberalët, mediat, hebrenjtë, votuesit e krahut të majtë, alevianët dhe tashmë kurdët. Kombinuar me historinë e suksesit ekonomik të Turqisë, kjo narrativë ka kontribuar në popullaritetin e qëndrueshëm të Erdoganit. Dhe ndonëse ai dha dorëheqjen si kryeministër dhe udhëheqës i AKP-së  në gusht të vitit 2014, për shkak të kufizimit të mandateve nga ana e partisë së tij, ai vazhdoi ta drejtojë Turqinë në prapaskenë.

Për rrjedhojë, vendi është në prag të një krize kushtetuese:si rregull është një demokraci parlamentare, me kryeministrin si kreu i qeverisë dhe përgjegjës për drejtimin e vendit, por duket përherë e më tepër si një sistem de fakto presidencial, me Erdoganin në krye.

AKP-ja fitoi rreth 40 përqind të votave në zgjedhjet e fundit, dhe vetë Erdogani ka një mbështetje të rëndësishme nga turqit, që e identifikojnë veten me origjinën e tij të thjeshtë dhe konservatore. Nga ana tjetër, gati 60 përqind e elektoratit që ka votuar për partitë anti-AKP në zgjedhjet e 7 qershorit, duke përfshirë një opozitë të demonizuar dhe alienuar, nuk do të mbështesë përpjekjet e tij për të ndryshuar kushtetutën dhe i dhënë vetes më shumë pushtet.

Dhe dhuna është gjithnjë pjesë e kësaj ndarjeje të rrezikshme. Kampi erdoganist i është kthyer vetëgjyqësisë për të “mbrojtur Erdoganin”. Për shembull në 7 shtator, një turmë pro-AKP kontrolloi zyrat  e gazetës më me ndikim në vend “Hurriyet”, duke i vënë zjarrin në shenjë hakmarrjeje për kritikat e kësaj medie ndaj presidentit.

Edhe pse kundërshtarët e Erdoganit janë politikisht të përçarë në partive të ndryshme, ndonjë prej tyre mund të godasë përsëri në këtë klimë të tensionuar- dëshmi është rritja shqetësuese e grupeve të fjetura të ekstremit të majtë dhe e sulmeve nga PKK. Në një tjetër kohë, shumica e turqve do të kishte kishte mbështetur qeverinë, madje edhe me koston e jetës dhe lirisë për hir të sigurisë së tyre. Por kjo jo tani.

A mund të përballojë Turqia sfidat e njëkohshme të një kryengritje kurde në disa vende njëherazi, sulmet e ISIS-it, dhe dhunën politike në mes të kampeve pro dhe anti-AKP? A mund të përsëritet kaosi i viteve ‘70 dhe ‘90? Përgjigja qëndron kryesisht tek Erdogani.

Humbja e AKP-së në zgjedhjet e qershorit, ishte pa dyshim e lidhur me ekonominë e ngadalësuar të Turqisë, por ajo ndërkohë i kishte rrënjët në kundërshtimin popullor të  dëshirës së Erdoganit për të ndryshuar demokracinë parlamentare në vend, me një sistem presidencial. Shumë turq, duke përfshirë edhe ekspertët liberalë , e mbështetën Erdoganin në vitet 2007- 2010, kur ai burgosi gjeneralë dhe gazetarë laike me prova të pakta, duke pretenduar se ata ishin të përfshirë në një komplot për grusht shteti kundër tij.

Tek e fundit, ushtria turke kishte një histori të gjatë  përfshirjeje në politikë, dhe një grusht shteti nuk ishte jashtë diskutimit. Por kohët kanë ndryshuar, dhe ish-mbështetësit e Erdoganit në media, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile janë tashmë objektiva të tij. Shtypja e dhunshme e protestave në Parkun Gezi në qendër të Stambollit në vitin 2013, e cila filloi si një lëvizje për të parandaluar shndërrimin e parkut në një qendër tregtare, dhe më pas u zgjerua në demonstrata kundër AKP-së në të gjithë vendin, është një rast i tillë.

Sondazhet tregojnë, se AKP nuk ka gjasa të fitojë shumicën e votave në zgjedhjet e reja parlamentare të 1 nëntorit. Në këtë kontekst, dhe duke patur parasysh ndarjet e thella brenda vendit, rrugadalja e vetme e Turqisë është që Erdogan të tërhiqet nga ideja e ndryshimeve kushtetuese dhe duke respektuar kompetencat që përcakton kushtetuta turke për kreun e shtetit: një president jo-partiak në krye të qeverisë.

Nuk ka asnjë dëshmi se Erdogan do ta pranojë këtë, apo se duke vepruar kështu do ta riparonte dëmin e bërë, sidomos kur është fjala për Sirinë. Turqia do të mbetet e ekspozuar ndaj luftës civile atje, dhe ndërhyrja ruse vetëm sa po e ndërlikon pozicionin e saj. Por, për aq sa Erdogan e ka polarizuar vendin e tij, i takon sërish atij që të ulë tensionet para se ato të shpërthejnë.

The Atlantic – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button