Analiza

Turqit e tmerruar nga ISIS-i, duan mbrojtje nga Perëndimi

Nga Verda Ozer
“Hurryet Daily News”

APTOPIX Turkey Syria

Qytetarët turq nuk ndjehen më të qetë dhe të sigurtë. Në këtë konstatim mbërrijnë rezultatet e studimit mbi “Tendencat Social-Politike në Turqi”. Në 4 vitet e fundit, ky studim vjetor është realizuar nga universiteti “Kadir Has”, me synimin për të analizuar ndryshimet në opinionin publik në Turqi. Rezultatet e vitit 2014, u prezantuan javën e kaluar nga rektori, profesor Mustafa Ajdin. Sipas anketës, ka patur një rritje prej 20 përqind të numrit të njerëzve që e mbështesin anëtarësimin në Bashkim Evropian, një rritje kjo e dukshme nga 51.8 për qind në vitin 2013, në 71.4 përqind vitin e shkuar.
Të anketuarit që thonë se “anëtarësimi i Turqisë NATO duhet të vazhdojë”, janë rritur nga 72 në 76.2 për qind brenda një viti. Vërehet ndërkohë një rritje e beftë e numrit të njerëzve, që e konsiderojnë SHBA-në një aleate të Turqisë, me një rritje nga 14.4 përqind në 2013-ën, në 30.8 përqind në vitin 2014.
Por rritjen më të rëndësishme e përbën numri i njerëzve që mbështesin bashkëpunimin me SHBA, që është trefishuar nga 2013 në 2014-ën. Edhe më interesant është fakti se bashkëpunimi me Uashingtonin, është sot shumë më i preferuar, sesa me vendet myslimane.
Prandaj sot SHBA-ja, shihet si partneri më i afërt të Turqisë. Përveç kësaj, numri i përgjithshëm i të anketuarve, që e shohin SHBA-në si një kërcënim është përgjysmuar, nga 68 përqind në vitin 2013 në 36 përqind në 2014-ën.
Por cila është arsyeja, për këtë prirje të papritur drejt Perëndimit ?
Motivi kryesor, duket të jetë i lidhur me rritjen e shqetësimeve mbi sigurinë. Një pjesë e këtij shqetësimi, lidhet me sigurinë e kërcënuar nga jashtë vendit, kryesisht nga problemet që Turqia ka me fqinjët e vet joevropianë.
Sa më shumë rritet kërcënimi ndaj sigurisë në rajon, aq më shumë opinioni publik turk e sheh me shqetësim këtë çështje. Është kjo arsyeja kryesore, se përse qytetarët shohin tek aleanca perëndimore një kamardare shpëtimi.
Instituti studimor me qendër në Uashington, “Fondacioni Gjerman Marshall”, kreu një studim të ngjashëm vjetor të quajtur “Prirjet Transatlantike”. Rezultatet e sondazhit të saj më të fundit, të publikuara në 10 shtator 2014, konfirmojnë shqetësimin në rritje mbi sigurisë në mesin e qytetarëve turq.
Kështu, në vitin 2010, kur politika e qeverisë për “zero probleme me fqinjët” ishte ende e zbatueshme, dhe fryma e “Pranverës Arabe” dominonte ende rajonin, vetëm 1/3 e të anketuarve u shprehën se “anëtarësimi në NATO ishte thelbësor për sigurinë e Turqisë”.
Megjithatë, vitin e shkuar kur me Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit, terrori në rajon arriti kulmin, mbështetja për Aleancën Veriatlantike u rrit në 49 përqind. Me fjalë të tjera, gjysma e opinionit publikut turk, e kërkon sigurë brenda aleancës perëndimore.
Një aspekt tjetër i këtij shqetësimi ka të bëjë me sigurinë e brendshme. Frika nga kërcënimet e ISIS-it, ka përshkruar mbarë vendin. Për më tepër, dhuna e kohëve të fundit në Çizre, një krahinë në Turqinë juglindore në afërsi të kufirit me Sirinë, ka dëshmuar edhe një herë, se çështja kurde nuk është demilitarizuar ende.
Sondazhi i Universitetit “Kadir Has”, ka zbuluar gjithashtu se publiku turk e sheh terrorizmin si problemin e dytë më të rëndësishëm që ka aktualisht vendi, në një kohë që 13.9 përqind e të anketuarve, e shohin atë si problemin më të rëndësishëm. Kjo e fundit ishte vetëm 4.7 përqind në vitin 2013.
Veç kësaj, metodat ushtarake shihen fatkeqësisht si mënyra më efektive për të zgjidhur çështjen e terrorizmit, me një rritje në 39.2 përqind në anketën e vitit 2014. Ekziston ndërkaq edhe një rënie paralele e numrin të të intervistuarve, që i cilësojnë mjetet politike dhe ekonomike si mënyrën më efektive, për t’iu kundërvënë terrorizmit. Në mënyrë të ngjashme, ka një rritje të numrit të të intervistuarve, që i cilësojnë të pasukseshme politikat e qeverisë në luftën kundër terrorizmit dhe çështjes kurde, dhe një rënie të numrit të atyre që i konsiderojnë ato të suksesshme.
24.7 përqind e të anketuarve, thanë se nuk presin ndonjë rezultat nga vazhdimi i negociatave paqësore, ndërsa thuajse i njëjti numër njerëzish u shprehën se “duhet të bëhen më shumë përpjekje”. Vetëm 19.4 përqind e të intervistuarëve e etiketoi si “të suksesshëm” procesin e paqes.
Mënyra e vetme për të kapërcyer dilemat mbi sigurisë, dhe për të mos iu rikthyer gjuhës e kulturën së dhunës, është që në mënyrë urgjente të përshpejtohet procesi i paqes. Faktori kyç për ta bërë këtë, është vullneti i fortë e aktorëve të përfshirë në këtë proces. Kam pasur rastin të verifikoj personalisht vullnetin e fortë të Partisë Demokratike Popullore (HDP) kur javën e kaluar ne, një grup i vogël gazetarësh, zhvilluam një bisedë të gjatë me 2 bashkë-kryetarët e partisë, Selahatin Demirtash dhe Figen Juksekdag.
Në përgjithësi, të dy theksuan mesazhin se ata do të mbështesim fuqishëm procesin e paqes, pa marrë parasysh nëse do ta kalojnë ose jo pragun e 10-përqindëshit, për të qenë pjesë e parlamentit pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që do të mbahen në 7 qershor. Megjithatë, ata theksuan gjithashtu se procesi i paqes është për momentin i përbërë vetëm nga “dialogu”, dhe se negociatat kuptimplota duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Tani për tani ka një theqafje politike. Nevojiten një hap i madh për të kapërcyer këtë ngërç”-thanë ata.
Dhe ky hap duhet ndërmarrë urgjentisht. Rritja e tendencës në mesin e opinonit publik ndaj mjeteve ushtarake, dhe venitja e besimit tek procesi i paqes, përbëjnë një alarm të kuq. Është koha të jemi në gatishmëri të plotë.
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button