Bota

Turqit zgjedhin, mes lirisë dhe autoritarizimit

Screen Shot 2015-10-30 at 15.52.24

Nga Serkan Demirtas

Këtë të dielë, Turqia do të mbajë zgjedhjet e saj të katërta në 20 muajt e fundit. Për fat të keq nuk ka asnjë siguri se këto do të jenë zgjedhjet e fundit, në një varg të tillash që kemi parë kohët e fundit, apo se do të arrijë të formohet një qeveri.

Në një deklaratë të mëhershme gjatë javës, një zyrtar i lartë i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Mehmet Ali Shahin, la të kuptohej haptazi se do të mbahen zgjedhje të reja, në rast se asnjë parti e vetme nuk arrin dot të fitojë shumicën parlamentare. Një përpjekje kjo për t’i bëjë thirrje zgjedhësve turq, se dështimi i AKP-së për të arritur këtë herë një shumicë të thjeshtë në parlament, do të thotë destabilitet i mëtejshëm në vend.

Votimet e së dielës kanë kuptime dhe objektiva të ndryshëm, për secilën prej 4 partive politike kryesore. Eshtë e panevojshme të thuhet, se qëllimi i vetëm i AKP-së është të ri-fitojë qeverinë që ajo humbi në zgjedhjet e qershorit, duke siguruar të paktën 276 vende në parlament.

Sipas disa sondazheve, Partia Popullore Republikane (CHP), duket se është në rritje, duke iu dhënë socialdemokratëve 28 përqind të votave – 3 përqind më shumë sesa në zgjedhjet e qershorit. Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), po vuan për shkak se lideri i saj Devlet Bahçeli perceptohet si “mohues” i të gjitha formulave politike që ofrohen ndaj atij.

Megjithatë kohët e fundit, Bahçeli ka bërë me dije se është i gatshëm për të formuar një qeveri koalicioni me AKP ose CHP, dhe pse jo edhe më Partinë pro-kurde Demokratike Popullore (HDP).

Mbështetja ndaj MHP-së duket të jetë në rënie, por gjithësesi ka të ngjarë të jetë forca e tretë në parlament, në bazë të numrit të vendeve. E ndodhur nën një presion të madh politik dhe fizik që nga korriku, HDP-ja po përpiqet të mbrojë vendin e saj në parlament.

Sondazhet sugjerojnë se ajo do të mbetet mbi pragun 10 përqind për të hyrë në parlament, edhe pse mund të ketë një rënie të lehtë të votave të saj. Së bashku me mënyrën sesi partitë po i qasen këtyre zgjedhjeve, procesi ka disa kuptime dhe prioritete të tjera.

Së pari, duhet theksuar se zgjedhjet e së dielës, nuk do të jenë më ndershmet apo më të lirat në botë. Përkundrazi, sikurse sugjerohet nga raporti i përkohshëm i OSBE-së, procesi do të ketë me shumë pabarazi ndërmjet palëve, dhe me një avantazh të dukshëm të AKP-së në pushtet.

Sërish kjo e fundit nuk heziton të përdorë të gjitha mjetet shtetërore, dhe është duke shijuar gati tre të katërtat e të gjithë mbulimit mediatik, nga transmetuesit shtetërorë dhe privatë. Prandaj, rezultatet duhet të lexohen dhe analizohen në një kontekst të tillë të paekuilibruar.

Së dyti, populli turk do të shkojnë në kutitë e votimit mes frikërave të të gjitha llojet, si pasojë e valës së sulmeve terroriste nga korriku i këtij viti. Zyrtarë të qeverisë e shpjegojnë në përgjithësi këtë rritje e papritur të terrorizmit, me një dorë të padukshme “që ka shtypur butonin”, për të penguar AKP-në të krijojë një qeveri të re.

Ata argumentojnë se kjo dorë e padukshme, (burimet e huaja në bashkëpunim me aleatët lokalë), dëshiron të kufizojë rolin dominant të Turqisë në rajon. Pra në një farë kuptimi, zgjedhjet e së dielës, do të jenë një testim i opinionit publik mbi këtë rritje të papritur të terrorizmit në vend, që ka marrë jetën e më shumë se 1 mijë njerëzve që nga qershori.

Së treti, vendi do të votojë nën një mjedis, në të cilin shtypi i lirë është në grahmat e tij të fundit. Në qoftë se sondazhet e së dielës nuk premtojnë një ndryshim të kursit, shumë shpejt mund të mos ketë fare nevojë për ta klasifikuar Turqinë në indeksin e lirisë së mediave botërore, për shkak se nuk do të ketë fare shtyp të lirë.

Opinioni publik, është ushqyer në pjesën dërrmuese nga fushatat të shtrembëruara të lajmeve nga mediat pro-qeveritare, dhe ka burime të kufizuara për t’i sfiduar ato. Prandaj, këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e lirisë së shtypit në vend.

Jo vetëm mbi lirinë e shtypit, por do të votohet në tërësi edhe për lirinë e shprehjes. Numri i njerëzve të arrestuar nën akuzën e fyerjes së presidentit, ka pësuar një rritje dramatike kohët e fundit. Numri i OJQ-ve, nën vëzhgimin e afërt të autoriteteve shtetërore është rritur gjithashtu ndjeshëm, ku pjesa dërrmuese e kontrolleve ka lidhje me me Gylenistët.

Emërimi këtë jave i një komisioni kontrolli të përbërë nga personazhe pro-qeveritare për kompaninë “Koza Ipek Group”, është vetëm një shembull i kohëve të fundit i këtij presioni në Turqi, duke përhapur frikë tek të gjitha grupet e tjera të biznesit që janë kritike të qeverisë.

Lista mund të vazhdojë me kufizimet e tjera të lirive themelore dhe normave demokratike, por hapësira e këtij shkrimi është e kufizuar. Për të ndërprerë një histori të tillë, Turqia, në zgjedhjet e saj më kaotike se kurrë më parë, do të duhet të zgjedhë mes lirinë apo autoritarizmit të mëtejshëm.

“Hurriyet” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button