Ndërsa askush nuk e di më saktësi se kur u prodhua për herë të parë, mesa duket alkooli ka qenë rezultat i një aksidenti rastësor që ka ndodhur të paktën dhjetëra e mijëra vjet më parë. Por zbulimi i kazanëve të birrës që i përkasin Epokës së vonë të Gurit, ka vërtetuar faktin se pijet e fermentuara qëllimisht nga njerëzit, kanë ekzistuar të paktën që prej periudhës së neolitit rreth 10.000 vjet më parë, duke sugjeruar se birra mund t’i ketë paraprirë bukës si baza e ushqimit.
Vera figuron si një produkt i shumë-përdorur nga piktorët egjiptianë rreth vitit 4000 Para Erës Sonë. Edhe mbetjet e mostrave të verës në Greqi, datojnë në të njëjtën periudhë. Por alkooli nuk konsumohej njëlloj si sot. Në fakt në kohërat e lashta, alkooli shihej si një përbërës i rëndësishëm mjekësor, dhe si pjesë thelbësore e dietës ushqimore.
Që nga momenti i zbulimit të pijeve të para alkoolike, njeriu e ka përdorur atë si ilaç. Përveç efektit lehtësues të stresit, dhe relaksimit që ka në trup dhe mendje, alkooli është një antiseptik, dhe në doza më të larta ka efekte anestezike.
Por është kombinimi i alkoolit me substanca të tjera bimore, ai i cili krijon një ilaç shumë më efektiv, dhe që është përdorur si i tillë për mijëra vjet. Nga këtu buron edhe origjina e dollisë më të famshme “Të pimë për shëndetin tonë!”, e cila ekziston në shumë gjuhë në mbarë botën.
Një nga shenjat më të hershme të përdorimit të alkoolit si ilaç, daton rreth 5000 vjet më parë në një kavanoz të gjetur në varrin e një prej faraonëve të parë të Egjiptit, Skorpioni I. Nëpërmjet teknikave kimike shumë të ndjeshme, bioarkeologët ishin në gjendje që të identifikonin elementët brenda mbetjes së mbetur në kavanoz.
Ata zbuluan se mbetjet përmbanin verë, si dhe një numër barishtesh të njohura për vetitë e tyre medicinale. Po ashtu vera ishte një element i shpeshtë i mjekësisë së lashtë romake. Siç dihet sot, alkooli është një mjet i mirë për nxjerrjen e elementëve aktiv nga bimët mjekësore.
Vera ishte e vetmja formë e alkoolit e njohur nga romakët, pasi distilimi nuk u zbulua deri në mesjetë. Përzierja e bimëve me verë, ishte një teknikë e zakonshme mjekësore e cila do të kishte një shkallë të caktuar efektiviteti duke pasur parasysh aftësinë e alkoolit për të nxjerrë përbërësit aktivë të një numri bimësh.
Një nga praktikuesit më të famshëm të ilaçeve bimore me bazë alkooli, ishte babai i mjekësisë moderne, Hipokrati, receta e veçantë e të cilit me krimbat e zorrëve njihej si Hippocraticum Vinum. Hipokrati bënte një formë të papërpunuar të vermutit në vitin 400 Para Erës Sonë,duke futur në verë disa barishte që rriteshin në zonë.
Por kjo praktikë u çua në një nivel krejtësisht tjetër kur u zbulua distilimi. Përhapja e Krishterimit nëpërmjet kryqëzatave që nisën në vitin 1095 e tutje, sollën në Evropë njohuri të mëdha mbi artin e alkimisë dhe distilimit nga studiuesit e hershëm arabë.
Kështu, i ashtuquajturi “Uji i jetës” po rafinohej në gjithë Evropën (i njohur si i tillë për shkak se ishte më i sigurt për t’u pirë sesa uji i prekur nga sëmundjet). Shumë shpejt nisi të ketë një bum të farmacive tregtare.
Gjatë gjithë lashtësisë, uji i disponueshëm ishte i ndotur me mikrobe të rrezikshme, ndaj konsumimi i alkoolit, që përfshinte zierjen e lëngut apo një sërë trajtimesh të ngjashme sterilizuese, shihej si më i shëndetshëm dhe më i sigurt.
Një nga të dhënat më të hershme të alkoolit mjekësor që daton në atë periudhë, vjen nga Roxher Bejkën, filozof dhe shkrimtar anglez i shekullit XIII-të mbi alkiminë dhe mjekësinë. Ai shkruan se vera mund të “të mbrojë stomakun, të forcojë nxehtësinë natyrore të trupit, të ndihmojë tretjen e ushqimit, të mbrojë trupin nga degradimi, dhe të përgatisë ushqimin derisa ai të kthehet në gjak”.
Por ai përmend gjithashtu edhe rreziqet e konsumimit të tepërt: “Nëse teprohet, alkooli do të shkaktojë një dëm të madh, pasi do të errësojë të kuptuarit, do të ndikojë keq në tru… do të shkaktojë dridhje të gjymtyrët dhe zbehje të lëkurës”.
Kolonizimi evropian gjatë shekujve XVI-XVI u garantoi prodhuesve të parfumeve një bollëk me erëza ekzotike, dhe nga ai moment dhe deri disa dekada më parë, një përqindje e madhe e barnave ishin bërë me një përqindje të caktuar alkooli.
Xhini është një shembull i mirë i një pije alkoolike, që u krijua fillimisht për t’u përdorur si ilaç. Përdorimi i drurit të dëllinjës si diuretik, besohej se ishte në gjendje të luftonte ethet dhe sëmundjet tropikale nga të cilat vuanin kolonët holandezë në Inditë Perëndimore vend të cilin sapo e kishin kolonizuar.
Megjithatë, duke nisur nga shekulli XVIII, nisi të ketë shqetësime në rritje në lidhje me efektet shumë të dëmshme të alkoolit, përfshirë dehjen, rritjen e kriminalitetit, varësinë nga alkooli dhe varfërinë. Duke nisur nga shekulli XIX-të, në Britani nisën të shfaqen lëvizje që në fillim rekomanduan kufizime vetëm për disa pije, por me kalimin e kohës qëndrimi i tyre ndryshoi, duke kërkuar abstenim total nga alkooli.
Ironia është se ne jetojmë sot në një epokë, ku edhe pse alkooli është i pranueshëm nga shoqëria, klasifikimi i tij si “i mirë për ty” është i neveritshëm, dhe është një koncept që duket se ka lindur nga zhvillimi i mjekësisë moderne. Megjithatë, ende ekziston mendimi, dhe në fakt ka prova shkencore, se konsumimi i alkoolit në mënyrë të moderuar sjell disa përfitime shëndetësore, pasi mendohet se ai e ul rrezikun e zhvillimit dhe humbjes së jetës nga sëmundjet e zemrës, redukton rrezikun e goditjeve ishemike, dhe redukton rrezikun e diabetit. / Ancient Origins – Bota.al