BotaMAIN

Ukraina godet “vrimën e zezë” të Moskës: Droni që fundosi sigurinë ruse në Detin e Zi

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) dyshohet se ka dëmtuar rëndë një nëndetëse ruse të klasës Kilo në Novorossijsk, duke përdorur një dron të ri nënujor “Sub Sea Baby”. Një goditje strategjike që ul kapacitetet e lëshimit të raketave Kalibr dhe shënon debutimin operacional të UUV-ve vrasëse

Gjatë ditës së djeshme, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) ka goditur, me shumë gjasa duke i shkaktuar dëme të rënda, një nëndetëse ruse të klasës 636.3 (ose “Kilo i përmirësuar II” sipas kodifikimit të NATO-s) në portin e Novorossijsk-ut, i cili është shndërruar në qendrën kryesore të operacioneve të Flotës Ruse të Detit të Zi, për shkak të pamundësisë faktike të përdorimit të Sevastopolit në Krime.

Sulmi u krye përmes përdorimit të një droni nënujor (UUV – Unmanned Underwater Vehicle) të një tipi të ri, të quajtur “Sub Sea Baby”. Ky dron, që mendohet të jetë një derivat i “Sea Baby”-t, mjet kamikaz pa pilot, ka shumë gjasa të funksionojë si një lloj torpedoje autonome. Nëse kjo hipotezë është e saktë, është e mundur që droni të drejtohet drejt objektivit përmes një rruge të paraprogramuar dhe që sistemet e tij të marrin kontrollin autonom në fazën përfundimtare, duke u orientuar vetë drejt objektivit.

Kjo mund të shpjegojë se si “Sub Sea Baby” ka arritur të lundrojë brenda bazës detare, një itinerar që kërkon manovra të shumta në hapësira të ngushta dhe që presupozon informacione të përditësuara së fundmi, në mos në kohë reale, të inteligjencës për të njohur pozicionin e objektivit dhe pengesat e mundshme. Nuk është e qartë nëse arma funksionon plotësisht në mënyrë të pavarur pas lëshimit apo nëse ekziston ende ndonjë formë drejtimi në kohë reale.

Veprimi i kryer nga SBU është i rëndësishëm për të paktën dy arsye, por fillimisht vlen të ndalemi te karakteristikat e nëndetëses ruse të goditur.

Nëndetëset “vrimë e zezë”

Nëndetëset e klasës “Kilo e përmirësuar II” janë mjete me propulsim dizel/elektrik, të tipit hunter/killer (SSK), të afta për të lëshuar raketa lundruese për sulme tokësore dhe detare, si “Kalibr”. Flota Ruse e Detit të Zi ka qenë aktive në këto gati katër vite lufte kryesisht përmes lëshimit të këtyre raketave ndaj objektivave me vlerë të lartë në Ukrainë, duke përdorur edhe platforma sipërfaqësore si fregatat e klasës “Admiral Gorshkov”.

Këto nëndetëse janë relativisht të vogla (rreth 70 metra të gjata dhe 2.500 tonë zhvendosje maksimale), kanë një autonomi zhytjeje prej 400 miljesh detare dhe janë projektuar kryesisht për të luftuar anije dhe nëndetëse armike, me rolin dytësor të sulmeve tokësore falë raketave lundruese si “Kalibr”.

Në diskursin mediatik, “Kilo i përmirësuar II” quhen shpesh “vrima të zeza”, pasi konsiderohen jashtëzakonisht të heshtura gjatë lundrimit. Ato janë të pajisura me një sistem sonar të gjeneratës së re, që ofron qetësi operative dhe rreze zbulimi më të madhe. Ky variant është eksportuar edhe në vende si Vietnami dhe Algjeria, dhe është projektuar për fleksibilitet më të madh operacional dhe aftësi të shtuara stealth.

Sa nëndetëse kanë mbetur në Detin e Zi?

Gjashtë nga këto nëndetëse figuronin në regjistrin e Flotës Ruse të Detit të Zi, por vetëm katër ndodheshin realisht në këtë det në momentin e shpërthimit të luftës (Deti i Zi është i mbyllur për tranzitin e njësive ushtarake të palëve ndërluftuese, sipas Konventës së Montreux).

Gjatë konfliktit, një nëndetëse e parë “Rostov mbi Don”, u dëmtua rëndë ndërsa ndodhej në dokun e riparimit në Sevastopol, nga një sulm raketor ukrainas në shtator 2023. Ajo që ka mbetur nga Flota e Detit të Zi, Moska ka humbur disa njësi nga sulmet e kombinuara ukrainase, përfshirë një kryqëzor, të paktën katër anije zbarkimi amfib, si dhe një sërë njësish më të vogla, përfshirë korveta raketash, është zhvendosur nga Sevastopoli në Novorossijsk, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ukrainase. Në qershor 2024, 11 njësi sipërfaqësore dhe nëndetare kishin hedhur spirancat në portin e qytetit në rajonin Krasnodar Krai.

Një risi absolute për dronët nënujorë

Sulmi është i rëndësishëm për dy arsye kryesore. E para është e qartë: në bilancin e luftës, neutralizimi i një platforme lëshimi për raketat “Kalibr” nënkupton uljen e kapaciteteve të sulmit tokësor me rreze të gjatë të kundërshtarit, të cilat, sa i përket nëndetëseve, tashmë janë përgjysmuar. Flota Ruse e Detit të Zi ka humbur kështu një pjesë të madhe të aftësisë së saj për sulme të fshehta dhe do të duhet të mbështetet më shumë te fregatat, me të gjitha rreziqet që kjo sjell (konsum i burimeve njerëzore dhe teknike, rritje e probabilitetit për t’u goditur).

Mbi të gjitha, sulmi ukrainas përfaqëson përdorimin e parë të suksesshëm luftarak të një droni nënujor, duke provuar se kjo kategori kërcënimi është reale dhe efektive. Megjithatë, mbeten ende të panjohura detaje thelbësore mbi mënyrën e sulmit, si niveli i ndërgjegjësimit situacional që droni posedon (apo që i ofrohet), si dhe modalitetet e lidhjes për transmetimin e të dhënave dhe komandave të navigimit dhe sulmit.

Të dhëna që, me shumë gjasa, nuk do t’i njohim kurrë plotësisht, as edhe pas përfundimit të luftës. / bota.al

Back to top button