Kinema & TV

Unë dëgjoj vetëm instinktin tim

Në serialin thriller “E fejuara”, Robin Wright është një galeriste e vendosur ta mbrojë djalin nga një vajzë e rrezikshme dhe manipulatore. Këtu aktorja dhe regjisorja shpjegon pse për të ishte e rëndësishme të përdorte këtë histori, për të zbuluar anët më të errëta të rivalitetit mes grave.

Është pothuaj e pamundur të gjesh një nuancë të shpirtit njerëzor që aktorja, regjisorja dhe producentja Robin Wright të mos e ketë hetuar dhe sjellë në ekranin e vogël e të madh. Vepra e saj e fundit nuk bën përjashtim. Në serialin televiziv dhe thrillerin psikologjik “E fejuara” (në Prime Video), Wright është Laura, një galeriste e suksesshme, e cila ka një marrëdhënie konfliktuale me të fejuarën e djalit të saj, të interpretuar përkatësisht nga Olivia Cooke dhe Laurie Davidson.

Ju aktroni, regjistroni dhe prodhoni këtë seri të krijuar nga gra dhe bazuar në një libër të shkruar nga një grua, Michelle Frances. Sa e rëndësishme ishte të punonit me një ekip thuajse krejtësisht femëror?

«Kishim një ekip skenaristësh ku kishte si burra, ashtu edhe gra, por këtu ka një gjuhë që ne gratë e flasim dhe e ndiejmë ndryshe. Ne kapemi nga emocionaliteti në një mënyrë tjetër. Dhe kështu menduam se një grua do t’i fliste një vajze më të re të së cilës nuk i beson. Po ashtu, në këtë mënyrë do të sillej një nënë për të mbrojtur djalin e saj».

Dyshimi i Laurës, personazhit tuaj, ndaj të fejuarës së djalit mund të lexohet si frika për ta humbur, instinkt mbrojtës, paranojë. Donit që shikuesit të vinin në pikëpyetje motivimet e saj?

«Te Laura ka një vorbull emocionesh, sepse shqisa e saj e gjashtë i thotë se i biri është duke rrezikuar seriozisht. Në një moment, Laura ndihet e izoluar. Prandaj i dhashë momente heshtjeje për t’u përballur me veten. Baza e historisë është perceptimi subjektiv i fakteve dhe besoj se, potencialisht, mënyra si një shikues do ta shohë këtë histori do të jetë ndryshe nga tjetri».

Personazhi juaj është një pronare e pasur galerie arti.

«Laura i rrëfen mikeshës së saj më të mirë se po mbështet një lëvizje artistike shumë elitariste për klientë të pasur, por njëkohësisht pranon se atë lëvizje nuk e ndjen, nuk beson te ajo, nuk identifikohet me të. Kështu që te Laura ka edhe një pjesë hipokrite që, sipas meje, e çon disi drejt humbjes së kontrollit dhe krizës – veçanërisht kur i shtojmë faktin se i biri ka një të fejuar që sipas saj është e rrezikshme».

A keni përjetuar ndonjë dinamikë “vjehërr–nuse” që ju lidhi më shumë me personazhin?

«Ka pasur marrëdhënie në jetët e fëmijëve të mi (Dylan Frances, 34 vjeç, dhe Hopper Jack, 32, me ish-burrin, aktorin Sean Penn) për të cilat mendoja se nuk do të zgjatnin më shumë se një javë. Mendoj se është instinkt i nënës dhe se Laura ka frikë ta lërë të shkojë djalin e saj të çmuar, të cilin, ndonëse në të tridhjetat, ajo e mban ende fort sikur të ishte 6 vjeç. Edhe kur fëmijët janë 40 apo 50 vjeç, një nënë do të shqetësohet gjithmonë për ta».

Seria zhvillohet duke ndjekur disa këndvështrime që pasqyrojnë vizionin e personazheve të ndryshëm.

«Të gjithë në jetë pyesim: ishte i drejtë perceptimi im apo i yti? Doja të tregoja atë nivel subjektiviteti që është real. Për shembull, mund të ndodhë që perceptimi i atij që merr një mesazh të përmbajë diçka që ndez një reagim të fortë emocional, i lidhur me përvoja të kaluara, dhe kësisoj ta shtrembërojë përmbajtjen pozitivisht ose negativisht. Besoj se i ka ndodhur kujtdo në jetë».

Si i përballuat momentet e tensionit të Laurës dhe të personazheve të tjerë?

«Me Olivia Cooke, që luan të fejuarën, dhe me aktorët e tjerë, për fat, argëtoheshim shumë mes xhirimeve. Me Olivia morëm shumë kohë për t’u përgatitur mirë për skenat, për t’u siguruar të mos bënim asgjë që mund ta vinte tjetrën në siklet».

Duke menduar për të gjitha interpretimet e karrierës suaj, a ka diçka te Laura që ju kërkoi më shumë përpjekje ose rrezik?

«Duke menduar për “House of Cards”, ai ishte një serial tashmë i konsoliduar, ndaj unë duhej vetëm ta ndiqja stilin e tij. Këtu, përkundrazi, pata mundësinë ta ndërtoja serinë nga themelet. Punova me të gjithë për të kuptuar si donim të dukej seria. Kjo është thelbësore, sepse në fund je po aq i mirë sa skuadra që të rrethon». / në shqip nga bota.al

Back to top button