Analiza

“Urithi” misterioz që përmes Twitter-it zbulon sekretet e Erdoganit

15

92 përqind e përdoruesve të internetit në Turqi përdor rrjetet sociale, shkalla më e lartë në botë. Në epokën e Twitter-it, njeriu misterioz shkruan pa filtra. Dhe të frikëson me ato që thotë. Kushdo që fshihet pas Fuat Avni, vazhdon që t’i japë jetë një historie spiunazhi, që tregon qarqet e shkurtra të pushtetit turk

Kur 14-dhjetorin e vitit të shkuar, forcat speciale të njësisë anti-terrorizëm, mësynë në Stamboll në redaksinë e së përditshmes “Zaman”, gazeta më e madhe në Turqi, për të arrestuar drejtorin Ekrem Dumanlı, duke i pritur ishin dhjetëra mikrofona dhe kamera. Gjithësesi nuk ishte një befasi. Edhe në këtë rast, si shumë herë të tjera në muajt e shkuar, kjo ishte kronika e një operacioni të paralajmëruar. Fjalë për fjalë.

Tre ditë më herët, për t’i paraprirë këtij operacioni shumë sekret të policisë, ishte vetë Fuat Avni që bëri publike gjithçka dhe njoftoi më shumë se 700 mijë ndjekësit e tij në Twitter, duke publikuar madje edhe emrat e atyre që do të ndaloheshin. Gjithësesi, ai është askushi. Sepse nuk dihet asgjë me siguri mbi identitetin e këtij “pusi të thellë”, që prej më shumë se një viti po shkund themelet e pushtetit turk, duke zbuluar faqe të gjithëve planet e errëta të shërbimeve sekrete dhe prapaskenat e dyshimta politike.

Po kush qëndron prapa këtij emri, që me saktësi të përpiktë e të habitshme demaskon lëvizjet e qeverisë në Ankara? Dhe për më tepër, si arrin ai të dijë gjithçka para se të ndodhë? “Mbi identitetin e vërtetë të Fuat Avniut është diskutuar shumë në Turqi” – thotë gazetari Ajtekin Geziçi, që është përpjekur të ndërtojë një profil mbi këtë personazh enigmatik, në një libër të publikuar kohët e fundit nën titullin tejet domethënës: “Moisiu në pallatin e Faraonit”. Prapa këtij pseudonimi mund të jetë i fshehur një burrë, sikurse sugjerohet në disa prej mesazheve të shkruara apo ndoshta një grua, nën hijen e një figure politike apo gjyqësore shumë të njohur.

Por gjithashtu mund të jetë njëri prej nesh, dmth një grup i infiltruar në degë të ndryshme të administratës shtetërore. “Unë mendoj se është një adresë e përdorur nga më shumë se një person”- shprehet Geziçi.
Tek e fundit, pas shtypjes së dhunshme të protestave në parkun Gezi në Stamboll në pranverën e vitit 2013, gazetaria qytetare është shndërruar në një tendencë shumë të fortë në Turqi, sikurse e dëshmon edhe adresa, këtë herë e vetëshpallur kolektive “@140journos”, që është thuajse një buletin që përmban dhjetëra lajme, çdo ditë, nga qytetarë korrespondentë në të gjithë vendin, dhe me mbi më shumë se 50 mijë ndjekës.

Më shumë sesa mënyra apo numri i ndjekësve, rëndësi ka megjithatë vëmendja e privilegjuar për atë që shkruan. Me të vërtetë unik. Ndoshta këshilltari i ngushtë i presidentit turk Taip Erdogan, i infiltruar tek Shërbimet Sekrete apo madje edhe agjent provokator i CIA-s. Spekullimet janë të panumërta. Sigurisht, janë informacionet konfidenciale që i bën publike vetëm Fuat Avni dhe që zbulojnë madje edhe detaje të jetës private të Erdoganit: nga problemi i pagjumësisë, deri tek pamja e tij ditën tjetër, dhe deri tek menyja e darkës së sapo konsumuar.

Teoricienët e konspiracioneve kanë shkuar deri aty sa të supozojnë se personi misterioz është pikërisht bashkëshortja e presidentit, Emineja. Me pak fjalë, një kundërshtar i rremë, i dobishëm për të mbështetur ekzistencën e komploteve subversive. Gjithësesi nga pushteti turk, Fuat Avni cilësohet si një armik që zotohet të zbulojë “manovrat e pista” të qeverisë dhe “të vazhdojë ta bëjë këtë deri në rrëzimin e saj”.

Lista tejet e gjatë – dhe në përditësim të vazhdueshëm – e rrjedhjeve të informacionit, përfshin pushimin nga puna të qindra policëve dhe gjyqtarëve, që konsiderohen armiqësorë ndaj ekzekutivit, dyshimet mbi manipulimin e zgjedhjeve lokale të marsit të vitit të shkuar, që konfirmuan edhe një herë triumfin e AKP së kryeministrit të atëhershëm Erdogan apo edhe përgjegjësinë e këtij fundit në masakrën ndaj 34 civilëve kurdë në kufi me Irakun, në fund të vitit 2011.

Ndërkohë nuk mungojnë edhe goditjet politike ndaj shtypit opozitar turk, duke kulmuar me bastisjen dhe arrestimin e mbi 20 gazetarëvë të së përditshmes “Zaman” dhe kanalit televiziv “Samanyolu”, të dyja të kontrolluara nga imami dhe manjati Fetullah Gylen, prej 15 vjetësh i vetë-mërguar në Shtetet e Bashkuara.

Shtyllë kryesore e ngjitjes së presidentit Erdogan në pushtet, në fillim të viteve 2000, Gyleni u bë armiku i tij numër një, pasi cilësohet si një nga organizatorët e “Tanxhentopolit turk”, që përfshiu mbi një vit më parë qeverinë e udhëhequr pikërisht nga Erdogan. Kështu rrjeti i tij masiv i bashkëpunëtorëve në radhët e gjyqësorit dhe policisë, që në fillim ishte i dobishëm për t’u infiltruar në të gjithë ingranazhin e pushtetit turk, do të transformohej në strukturën kërcënuese të një “shteti paralel”.

Nuk janë të paktë, ata që mendojnë se pas Fuat Avniut, fshihet vetë i plotfuqishmi Gylen. Ajo që është e sigurtë, ka të bëjë me përçarjen që shkaktojnë zbulesa të tilla, në një vend ku shtypi i pavarur ka pësuar goditje të rënda. Pasi ka qenë për dy vite burgu kryesor në botë për gazetarët, gjërat u përmirësuan disi, të paktën deri para bastisjes së fundit. Por për organizatën “Reporterët pa Kufij”, Ankara e mbylli vitin 2014 në vendin e 154 nga 180 vende të marra në studim, përsa i përket renditjes mbi lirinë e shtypit.

Megjithatë sipas Erdoganit, shtypi turk është “më i liri në botë”. Kjo është edhe arsyeja se përse interneti luan një rol vendimtar, për shkak se është vështirësisht i kontrollueshëm. Bllokada ndaj Twitter-it në prag të zgjedhjeve të fundit lokale u anashkalua lehtë nga shumica e mbi 12 milionë përdoruesve turq. Kur në gushtin e shkuar një gjykatë urdhëroi mbylljen e llogarisë së Fuat Avni, ishte vetë ky i fundit që e parashikoi një aksion të tillë, duke u bërë thirrje ndjekësve të tij që ta ndiqnin në një adresë të re.

Një manovër anashkalimi që u përsërit edhe disa ditë më parë, pas një bllokimi të ri që pasoi shpallja e emrave të disa burokratëve, të akuzuar se përgjonin në mënyrë të paligjshme vetë kreun e shtetit. Brenda disa orësh, lexuesit e tij e shmangën bllokimin, ndërsa 40 mijë të tjerë e marrin rregullisht informacionin nga një tjetër adresë në anglisht.

Për më tepër, 92 përqind e përdoruesve të internetit në Turqi përdor rrjetet sociale, shkalla më e lartë në botë. Në epokën e Twitter-it, njeriu misterioz shkruan pa filtra. Dhe të frikëson me ato që thotë. Kushdo që fshihet pas Fuat Avni, vazhdon që t’i japë jetë një historie spiunazhi, që tregon qarqet e shkurtra të pushtetit turk.

“Gjatë dekadës së fundit, dhjetëra gazeta dhe televizioneve kanë transmetuar të njëjtat informacione”-thotë Geziçi. “Por sot rrjetet sociale, janë më të lira se mediat tradicionale”-shton ai. Sigurisht, kjo në sajë të anonimatit. Deri në pikën, që askush nuk është i sigurtë për kuptimin e pseudonimit, që do të vlente në fakt për një një “zemër” që ndihmon.

“Më duhet ta pranoj se mos identifikimi i këtij personi, ka qenë një dështim i yni”- thotë tani Ministri i Energjisë, Taner Jildiz. Kontrolli i rrjetit mbetet një merak i veçantë për Erdoganin që sqaron troç: “Çdo ditë e më tepër, unë jam kundër internetit”. Megjithatë, ndërkohë Fuat Avni premton të vazhdojë betejën e tij kundër “tiranit” dhe paralajmëron: “Mos keni frikë, ai po dridhet”. Cristoforo Spinella/La Repubblica/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button