BotaMAIN

Ushtarë, tanke dhe dronë: Evropa del zbuluar, pa ombrellën e NATO-s dhe SHBA-së

BE-ja nuk ka 300 mijë trupa të gatshme për dislokim të menjëhershëm. Mungojnë edhe mjetet

Samite, manovra të nxituara dhe dyshime. Cikloni Donald Trump ka zhytur Evropën në kaos – ose pothuajse. Administrata e re amerikane ka treguar se synon të mbyllë sa më shpejt dosjen ukrainase dhe të zhvendosë fokusin e saj nga Evropa drejt Kinës. Prej javësh, Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Evropës që të marrë vetë në dorë të ardhmen e Kievit. Dhe në Evropë, disa vende si Franca dhe Britania e Madhe po e pëlqejnë idenë e një autonomie thuajse të plotë.

Por ta bëjë pa ombrellën amerikane është një çështje e kushtueshme dhe komplekse. Kjo nuk do të thotë vetëm administrim i paqes në Ukrainë, por edhe mbajtja e një fuqie ushtarake, të mjaftueshme për të siguruar vetë kufijtë nga çdo kërcënim rus.

Sipas think tank-ut belg Bruegel, kjo autonomi mbetet një iluzion në periudhën afatshkurtër. Disa shifra ndihmojnë për ta kuptuar. Rusia ka dislokuar 700 mijë trupa në Ukrainë në vitin 2024, shumë më tepër se në vitin 2022, kur nisi “operacionin ushtarak special”. Vetëm vitin e kaluar, Moska prodhoi ose rinovoi mbi 1,500 tanke, 5,700 automjete të blinduara dhe 450 sisteme artilerie. Edhe pse Rusia nuk mund të përballojë një front të ri lufte, frika mbetet e lartë në kancelaritë evropiane.

Në shkurt, qarkulloi gjerësisht një raport i inteligjencës daneze, i cili paralajmëronte se nëse NATO do të perceptohej si e dobët, Moska mund të niste një luftë në shkallë të gjerë brenda pesë vitesh.

Përtej katastrofizmit, është e qartë se Evropa nuk mund të sigurojë një forcë parandalimi të barabartë, e lëre më superiore. Dy shembuj e ilustrojnë qartë këtë.

Një “forcë paqeruajtëse” për Ukrainën

Sipas ekspertëve të intervistuar nga The New York Times, për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm në Ukrainë, nevojiten të paktën 150 mijë trupa në terren. Parisi dhe Londra kanë sugjeruar vetëm 30 mijë, një shifër aspak e mjaftueshme.

Nëse ndodh një agresion rus ndaj një shteti të NATO-s, SHBA ka një mekanizëm të gatishmërisë që siguron një përgjigje të menjëhershme: 84 mijë trupa amerikane janë të pranishme në Evropë. Brenda 10 ditësh, ky numër mund të rritet në 100 mijë. Brenda një muaji, SHBA mund të sjellë 200 mijë trupa shtesë. Në total, 300 mijë ushtarë amerikanë mund të jenë të gatshëm për t’u vendosur në Evropë, brenda një muaji.

Evropa, ndërkohë, nuk ka një fuqi të tillë të gatshme për përdorim. Franca ka vetëm 58 mijë trupa tokësore, sipas Ministrisë së saj të Mbrojtjes. Britania e Madhe ka një kapacitet maksimal prej 74 mijë trupash.

Edhe duke shtuar kontingjentet e vendeve të tjera evropiane, është vështirë të arrihet impakti i 300 mijë trupave amerikane. Për më tepër, SHBA ka një komandë të unifikuar, gjë që nuk mund të thuhet për 29 vendet e NATO-s në Evropë, ku organizimi është shumë më kompleks.

Por edhe sikur koordinimi të përmirësohej, mbetet një problem madhor: mungesa e pajisjeve ushtarake. Vetëm për të mbrojtur shtetet baltike nga një sulm i mundshëm rus, Evropës do t’i duheshin 1,500 tanke, 2,000 automjete të blinduara luftarake, 700 sisteme artilerie.

Një fuqi zjarri më e madhe se e gjitha ajo që mund të mbledhin Italia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe së bashku.

Por mungesa e trupave dhe e pajisjeve nuk është problemi i vetëm. SHBA ka avantazhe të mëdha teknologjike, që Evropa nuk i ka. Mes tyre, kapaciteti i transportit të trupave dhe pajisjeve në distanca të largëta, superioriteti në raketa dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, dronët dhe lufta elektronike, si edhe aftësitë e inteligjencës dhe zbulimit

Lista e nevojave është aq e gjatë, saqë pavarësia ushtarake e Evropës mbetet pothuajse një iluzion. / il giornale – bota.al

Back to top button